Kritika në Francë për pasivitetin e Shirakut | Politika | DW | 16.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Kritika në Francë për pasivitetin e Shirakut

Për rivendosjen e rendit dhe të qetësisë në periferitë e Parisit si dhe në zonat problematike, qeveria franceze vendosi të zgjasë kohën e veprimit të ligjeve të gjendjes së jashtëzakonshme. Parlamenti francez e mirato të martën zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Zhak Shirak

Zhak Shirak

Fjalimi i presidentit francez drejtuar kombit është në gojën e të gjithëve. Zhak Shiraku foli për nevojën për të respektuar njëri-tjetrin, por për të respektuar edhe ligjet e republikës dhe për luftën kundër diskriminimeve. Leila është studente, ajo jeton në një lagje problematike në Lion të Francës jugore dhe e ka dëgjuar me vëmendjen fjalimin e Shirakut:

"Ai nuk e vlerëson si duhet pakënaqësinë në periferitë. Të krijohet pak përshtypja se Franca ekziston në dy forma. Franca e vërtetë, dhe Franca e periferive me një brez që është brez i humbur. Duhen hapur sërish perspektiva dhe një e ardhme."

Edhe në qarqe politike pati kritika për fjalimin që mbajti Shiraku më shumë se dy javë pas shpërthimit të trazirave. Një nga deputetët e socialistëve në opozitë:

"Boll me hendekun midis fjalëve dhe veprave. Na kujtohet fjala e Shirakut për çarjet sociale, që ka mbajtur dhjetë vjet më parë. Asgjë nuk ka ndërmarrë ai atëherë si president i shtetit për t'i mbyllur këto carje"

Një pjesë e madhe e deputetëve socialistë vërtet që në Asamblenë Kombëtare votuan kundër vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, por në miratimin e projektit kjo nuk pati ndonjë ndikim: gati 350 deputetë votuan për ruajtjen e ligjeve të emergjencës, vetëm 150 votuan kundër. Edhe Të Gjelbrit në parlament nuk qenë të gatshme ta mbështesin këtë masë. Deputeti Noel Mamere:

"Kjo është një opozitë frontale kundër gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ua vë edhe më fort vulën periferive. Eshtë sikur të vësh një kapak mbi një tenxhere e cila vazhdon të vlojë. Jo me represion, rend dhe frikë zgjidhen problemet në periferitë, por vetëm përmes një dialogu."

Eksceset vërtet që gradualisht po pakësohen. Por çdo natë, ka djegie autobusësh dhe veturash: natën duke gdhirë dita e sotme iu vu flaka të paktën 160 automjeteve. 44 vetë u arrestuan, u bë e ditur nga njoftimet e policisë.

Por edhe në të ashtuquajturat kohë "normale", në Paris u vihet flaka rreth 2.800 automjeteve në muaj. Prej fillimit të vitit këtë fat e kanë pësuar 28 mijë automjete. Pakënaqësia, urrejtja dhe ndjenja se për ty nuk ka nevojë njeri, nuk po shkarkohen vetëm prej disa javësh. Dëmi material i shkatërrimeve këtë vjeshtë, prej shoqëwrive të sigurimeve llogaritet në 240 milionë euro. Prandaj presidenti Shirak premtoi:

"Pagesat e dëmshpërblimeve po shpejtohen. Viktimave dëshiroj t'u shpreh shqetësimin tim dhe solidaritetin e të gjithë kombit."

Në Francë, sigurimet e automjeteve paguajnë dëmet e shkaktuara nga zjarri, edhe kur ato shkaktohen nga trazira brenda vendit. Sidoqoftë, rreth 82 përqind e francezëve e janë anëtarësuar në këtë sigurim vullnetar. Të tjerët mund t'u drejtohen prefekturave. Sepse shteti duhet të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga përleshje të armatosura ose të paarmatosura. Në paketat e sigurimeve gjermane, nga ana tjetër, dëmshpërblimet për dëme të shkaktuara nga trazirat e brendshme përjashtohen shprehimisht. Megjithatë: tek fqinji lindor i Francës deri tani automjetet që digjen nuk bëjnë pjesë në pamjen e zakonshme të natës.

  • Data 16.11.2005
  • Autor Stefanie Markert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqsa
  • Data 16.11.2005
  • Autor Stefanie Markert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqsa