Kritika lidhur me zbatimin e ligjit të migracionit në Gjermani - Konferenca federale e të ngarkuarve të landeve për të huajt | Gjermania | DW | 26.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kritika lidhur me zbatimin e ligjit të migracionit në Gjermani - Konferenca federale e të ngarkuarve të landeve për të huajt

Refugjatët në Gjermani deri tani janë pajisur me një leje të kufizuar qëndrimi të ashtuquajtur "Duldung". Kjo leje u është dhënë atyre që për arësye ligjore nuk fitojnë të drejtë azilimi dhe as lejen e përhershme të qëndrimit. Ky status i pasigurtë ekziston për disa mijëra refugjatë qysh prej vitesh dhe tani nëpëmrjet ligjit të ri të migracionit ai do të shfuqizohet. Në këtë mënyrë refugjatët e mbajtur deri tani në Gjermani do ta kenë më të lehtë që të marrin lejen e përhershme të qëndrimit.

Të ngarkuarit e landeve dhe të federatës me çështjet e të huajve që u mblodhën të enjten në Berlin e kritikuan mënyrën se si po zbatohet ligji i ri i migracionit. Autoritetet nuk lëshojnë leje të përhershme qëndrimi, ndërsa ekspertët për çështjet e të huajve kërkojnë që politika të ndryshojë mendimin dhe të hapet ndaj realitetit të emigracionit dhe të shumëllojshmërisë kulturore në Gjermani.

Integrimi i të huajve në Gjermani në të ardhmen duhet të jetë më shumë se sa vetëm një detyrë thjeshtë e politikës së rendit, për këtë bën thirrje e ngarkuara e qeverisë për integrimin e të huajve, Marie Luise Bek. Në një kohë që një në katër fëmijë që lind në Gjermani e ka njërin nga prindërit të huaj, është i tepërt debati për shoqërinë multikulturore dhe ky është tashmë një fakt: "Kopshtet e fëmijëve, shkollat, shkollat profesionale, tregu i punës, spitalet, azilet, që të gjitha këto duhet të hapen dhe të pajtohen me faktin e migracionit dhe të komportohen me shumëllojshmërinë."

Të ngarkuarit e federatës, të landeve dhe komunave me çështjen e të huajve u bëjnë thirrje qyteteve që të krijojnë modelet udhërëfyese të qyteteve të emigracionit. Në qytetet e mëdha gjermano-perëndimore 40% e popullsisë përbëhet me prejardhje emigrantësh.

Kurset e integrimit për të huajt të iniciuara në fillim të këtij viti janë mjaft të frekunetuara, vuri në dukje Marie Luize Bek. Madje ndërkohë ka më shumë të interesuar se sa oferta për kurse të tilla. Dy të tretat e pjesëmarrësve janë regjistruar vullnetarisht.

Në bazë të ligjit të ri të migracionit çdo emigrant ka të drejtë të marrë pjesë në një kurs integrimi. Për të huajt që jetojnë tashmë në Gjermani do të ofrohen edhe kurse suplementare. Të huajt, që nuk marrin pjesë në këto kurse ose i ndërpresin ato duhet të marrin parasysh konseguencat. Federata merr përsipër kostot për kurset e integrimit të llogaritura në rreth 264 milionë euro në vit.

Të ngarkuarit për të huajt kritikuan zbatimin e pamjaftueshëm në disa pika të ligjit të ri të migracionit. Vetëm pak refugjatë të huaj mbi 200.000, që jetojnë me statusin Duldung në Gjermani kanë marrë leje të përhershme qëndrimi. Në vend që atyre t´u jepet leja e përhershme e qëndrimit u shtyhet vazhdimisht afati i qëndrimit me Duldung: "Fakti që nuk hiqet rregulli i shtyrjes së vazhdueshme të afatit të qëndrimit me Duldung është në kundërshtim me atë që parashikon ligji", thotë Bek.

Sekretari i përgjithshëm parlamentar i partisë ekologjike në Bundestag, Volker Bek, bën përgjegjës për këtë ministrin socialdemokrat të punëve të brendëshme, Oto Shili. Burokracia e tij ka bojkotuar zbatimin humanitar të ligjit, thekson Bek.

Dhënia e nënshtetësisë turqve të rinj që jetojnë në Gjermani, sipas të ngarkuarve për të huajt, shpesh herë vështirësohet për shkak se ata duhet të kryejnë shërbimin ushtarak në Gjermani. Turqit mund të lirohen prej detyrimit të shërbimit ushtarak duke paguar një shumë prej 10.000 eurosh, por vetëm pak janë ata që e posedojnë këtë shumë. E ngarkuara për të huajt Bek kërkon që kjo pengesë në dhënien e nënshtetësisë të diskutohet në nivel qeverie.

  • Data 26.05.2005
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3f
  • Data 26.05.2005
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3f