Kritikë ndaj projektligjit gjerman për të huajt | Gjermania | DW | 15.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kritikë ndaj projektligjit gjerman për të huajt

Shoqatat gjermane në mbrojtje të refugjatëve dhe organizata bamirëse e cilësojnë projektligjin për të huajt "kthim prapa, pengues për integrimin dhe kundër refugjatëve". Kjo thuhet në një deklaratë të përbashkët të tyre të publikuar të mërkurën në Berlin.

default

Kritika e organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut është e qartë: "Zbatimi i direktivave të BE-së është keqpërdorur për të ashpërsuar ligjin për azilin!". As me projektligjin e ri refugjatët e ardhur nga zonat e krizave, si për shembull, Afganistani e Iraku, nuk kanë garanci ligjore. Drejtori i shoqatës gjermane në mbrojtje të refugjatëve, Pro Asyl, Gynter Burkhardt, thotë se "Ndërsa Bashkimi Evropian u garanton këtyre njerëzve të drejtë mbrojtje, qeveria gjermane e injoron atë e bën sikur kjo e drejtë evropiane të mos ekzistojë".

Sipas ligjit të ri, i cili mendohet të kalojë në kabinet qysh brenda marsit, ekziston mundësia që refugjatët të kthehen me detyrim në Irak dhe Afganistan, përsa kohë që kërcënimi i dhunës në vend nuk u drejtohet atyre personalisht. "Për të prekurit nuk ka dallim, se a ka edhe të tjerë që kërcënohen me vdekje në vendin e tyre, prandaj edhe ligjvënësi evropian e ka caktuar atë direktivë. Nuk është e rëndësishme se sa njerëz janë të rrezikuar, por që ata janë të rrezikuar," argumenton Elke Tießler - Marenda nga Caritas Deutschland.

Në projektligjin e ri zbatimi i kësaj direktive të BE-së u lihet në dorë ministrave të landeve. Në konferencat që ata zhvillojnë dy herë në vit, ministrat kanë mundësi të vendosin për një ndërprerje të kthimit të detyruar në vende të caktuara. Wolfgang Grenz nga Amnesty International kujton se kjo ka mbi dhjetë vjet që faktikisht nuk ka ndodhur: "Kjo do të ishte e pranueshme, por ministrat e brendshëm nuk kanë nxjerrë një dekret të tillë qysh në vitin 1996, dhe është një vendim politik për të mos e bërë një gjë të tillë", thotë ai.

Deri tani refugjatët e prekur, shumica nga Kosova, Afganistani dhe Iraku, faktikisht nuk janë kthyer me detyrim, por ata për një kohë shumë të gjatë kanë qendruar me statusin e parregulluar, të ashtuquajturin "Duldung", i duruar . Afro 180.000 të këtillë ka sot në Gjermani, prej të cilëve rreth 50.000 janë nga Kosova, 35.000 pjesëtare të pakicave. Ana pozitive e projektligjit është që tani për këta njerëz ka një mundësi zyrtarizimi. Por parakushtet e vëna janë aq të vështira për t'u plotësuar, saqë mendohet që vetëm 20 për qind e tyre të përfitojnë.

Fundi i pritjes së gjatë për refugjatët kosovarë?

Aktualisht ka dy rregullore, të cilat mund t'u japin shpresë kosovarëve me qendrim të gjatë e të parregulluar në Gjermani. Së pari, një vendim i Konferencës së Ministrave të Brendshëm, në nëntor të vitit të kaluar, si edhe rinovimi i ligjit për lejen e qendrimit, që e miratoi të martën koalicioni i madh. Në të dyja këto rregullore parashikohen lehtësime për rregullimin e statusit, por përfaqësuesi i organizatës pro Asyl thotë, se këto përmirësime mund të kapin vetëm një pjesë të vogël të refugjatëve në përgjithësi:

"Unë jam skeptik në përgjithësi, unë besoj se nga 100.000 njerëzit, që mendohet të përmbushin në Gjermani parakushtin që ka të bëjë me qëndrimin: "Kjo do të thotë, si familje gjashtë vjet, ndërsa si njeri më vete, tetë vjet, besoj se prej tyre shumë shumë 20 për qind do të përfitojnë."

Nëse ndjekim këtë përllogaritje, atëherë i bie maksimumi 10.000 kosovarë nga fundi i vitit të gjenden me leje qendrimi në dorë. Ky numër i vogël rezulton nga fakti, që shumica e familjeve me fëmijë nuk e përballojnë dot jetën pa ndihmën sociale, ndërkohë që pavarësia nga ndihma sociale është kushti tjetër kryesor për të përfituar nga ky ligj. Pra shumë do të kthehen me detyrim.

Ministri gjerman i punëve të brendshme Wolfgang Schauble, në një takim në shoqatën e gazetarëve të huaj para një jave (06.03.) në Berlin do të argumentonte për refugjatët kosovarë: "Ne atëherë i bëmë thirrje popullsisë sonë për të qenë zemërgjerë se njerëzit janë në hall, aty ka luftë e duhet t'i strehojmë e kur të mbarojë lufta ata do të kthehen përsëri në shtëpitë e tyre. E para eci mirë, e dyta, jo, ende jo." Politikani kristiandemokrat thotë se tani ne duhet ta korrigjojmë këtë situatë.

Prova për gjermanishten e bashkëshortëve

Përveç Ligjit për Azilin, organizatat kanë kritikuar edhe rregullin e ri për bashkëshortët e huaj, të cilët para se të vijnë në Gjermani duhet të dëshomojnë që kanë njohuri të gjermanishtes. Qeveria me këtë donte të shmangte rrezikun e martesave të detyruara. "Por kjo tani i ka kapur të gjithë, dhe jo të gjithë kanë mundësi të mësojnë gjermanisht në vendet ku jetojnë, kritikon Elke Tießler - Marenda nga shoqata "Caritas".

Marenda thotë se të prekurit do të përdorin rrugën juridike, në rast se ky ligj do të hyjë në fuqi me të vërtetë: "Ne shpresojmë, që ky rregull të mos miratohet, në rast se po, atëherë shpresojmë që gjykata kushtetuese ta konfirmojë mendimin tonë, që kjo është në kundërthënie me kushtetutën, sepse këtu nuk respektohet familja dhe martesa ashtu si duhet."

  • Data 15.03.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqxI
  • Data 15.03.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqxI