1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikë e ashpër ndaj kërkesave të CDU-së për kufizimin e migracionit

12 Tetor 2010

Debati mbi integrimin në Gjermani ka arritur një fazë tjetër të nxehtë: Këtë radhë, titujt e gazetave i mbush kryeministri i landit të Bavarisë Horst Seehofer, i cili ankohet për të huajt nga disa vende të caktuara.

https://p.dw.com/p/PbSc
Horst Seehofer, kryeministri i landit të Bavarisë
Horst Seehofer, kryeministri i landit të BavarisëFotografi: AP

Dihet që të huajt me prejardhje nga kultura të tjera si Turqia apo vende arabe, e kanë më të vështirë të integrohen, u shpreh kryeministri i landit të Bavarisë, Horst Seehofer në fundjavë në një intervistë me revistën politike Focus. Seehofer është anëtar i Unionit Kristian-Social (CSU), partisë motër të kancelares gjermane Merkel CDU (Unioni Kristian-Demokrat). "Prandaj mendoj se nuk kemi nevojë për migrantë nga kultura të tjera", theksoi Seehofer.

Kryetari i Bashkisës së Berlinit, Klaus Wowereit
Kryetari i Bashkisës së Berlinit, Klaus WowereitFotografi: AP

Ashtu si edhe pritej, këto fjali u komentuan në mënyra nga më të ndryshmet. Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Klaus Wowereit, i SPD-së, u shpreh: "Ato që thotë ai janë absurde. Këto janë pikërisht parrullat që nuk na nevojiten në debatin tonë mbi integrimin. Këto shprehje izolojnë, ofendojnë njerëzit që vijnë nga vende të tjera tek ne. Njerëz që duam të vijnë këtu, njerëz që kanë punuar në mënyrë të suksesshme në Gjermani. Eshtë gabim dhe politikanët mbajnë përgjegjësi. Ai duhet t'i përballet kësaj përgjegjësie tani."

Edhe kryetari i të gjelbërve gjermanë, Cem Özdemir, i komentoi fjalitë e Seehofer-it si të papranueshme: "Ne nuk do t'i seleksionojmë njerëzit që hyjnë në Gjermani në bazë të vendeve nga vijnë. Ne i seleksionojmë njerëzit nëse përshtaten këtu apo jo, gjithçka tjetër, edhe nga vijnë ata, nuk luan rol për ne."

Edhe bashkësia turke në Gjermani shprehu kritikë të ashpër. Kryetari i tyre Kenan Kolet: "Mendoja se Horst Seehofer është një politikan serioz por pas këtyre fjalëve nuk mund të merret më seriozisht. Këto fjalë janë të rënda dhe ofenduese dhe ndikojnë në mënyrë jopozitive tek imazhi i Gjermanisë në botë. Pres sigurisht tani nga kancelarja që të distancohet në mënyrë të qartë."

Seehofer gëzoi mbështetje vetëm brenda radhëve të partisë së tij. Shefi i grupit të landit të Bavarisë në parlamentin gjerman, Hans-Joachim Friedrich, theksoi në një intervistë se Seehofer "kishte absolutisht të drejtë, me ç'ka tha."

Sabine Heimbach, zëdhëse e kancelares gjermane Merkel
Sabine Heimbach, zëdhënëse e kancelares gjermane MerkelFotografi: REGIERUNGonline/Bergmann

Por vetë Seehofer nuk ishte më shumë i bindur. Ai u shpreh të hënën (11.10.) në Mynih, se nuk kishte kërkuar kurrë ndalimin e migrantëve nga Turqia dhe vendet arabe. Fjalët e tij kishin të bënin më të huajt që imigrojnë për të hyrë në tregun gjerman. Për këtë arsye kancelarja Merkel vendosi të mos distancohet nga fjalitë e Seehoferit. Zëdhënësja e saj, Sabine Heimbach tha, se Merkel telefonoi ditën e hënë (11.10.) me Seehoferin dhe se i kish thënë atij se njerëzit, që vijnë nga kultura të tjera janë të mirëseardhur në Gjermani:

"Mendoj se nuk ka asnjë vend për dyshim përsa i përket faktit se njerëzit që vijnë nga kultura të tjera janë të mirëseardhur. Pra nuk ka pse pritet një pronocim mbi këtë gjë."

Por edhe partnerët e koaliconit, FDP-ja, i interpretuan fjalët e Seehoferit ndryshe. Kryetari i Liberalëve të Rinj, Lasse Becker, shpjegoi se ka shpeshherë ndjenjën se Seehofer "rrjedh vetë nga një kulturë tjetër".

Autorë: Matthias Bölinger/ Sonila Sand

Redaktoi: Eliana Xhani