1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kristiandemokratët dhe kristiansocialët gjermanë synojnë mbledhjen e nënshkrimeve kundër fillimit të negociatave me Turqinë

Nina Verkhojzer11 Tetor 2004

Qeveria gjermane mbështet pranimin e Turqisë në Bashkimin evropian. Kristiandemokratët dhe kristiansocialistët kanë një pikëpamje tjetër, ata preferojnë partneritetin e privilegjuar. Kjo do të thotë që Turqia do të jetë një partnere që bashkëpunon ngushtë me Bashkimin evropian por nuk do të jetë anëtare e tij. Nga kreu i partisë kristiandemokratë tani flitet për një aksion nënshkrimesh në popullin gjerman

https://p.dw.com/p/Ar5Z

Megjithëse shefat e qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian akoma nuk kanë vendosur për fillimin e bisedimeve të pranimit të Turqisë në Bashkimin evropian, partia kristiandemokrate, CDU dhe ajo kristiansociale, CSU janë shprehur për një mbledhje nënshkrimesh kundër këtij procesi.
Për politikanin e CSU-së Mikael Glos, pranimi i Turqisë në BE është çështje me rëndësi kyçe për Gjermaninë. Glos kërkon për këtë fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve në popull, propozim ky që mbështetet si nga shefja e CDU-së Angela Merkel, ashtu edhe nga shefi i CSU-së Edmund Stojber.

"Unë mendoj se ja vlen të mendohemi për fillimin e një aksioni firmash për të kërkuar një partneritet të privilegjuar dhe jo anëtarësimin e plotë të saj. Unë gëzohem që ne me të vërtetë kemi një ofertë për t'i bërë Turqisë, dhe nuk themi thjesht jo.
Kur të vijë koha duhet të vendosim se si të veprojmë."
Kristiandemokratët dhe kristiasocialët gjermanë nuk arritën të fitojnë mbështetje të gjerë me modelin e tyre për partneritet të privilegjuar. Sipas këtyre partive simotra, pranimin e Turqisë në Bashkimin evropian, vetë BE nuk mund të përballojë dot dhe nuk mund t'a financojë. Një arsye tjetër sipas tyre është se Turqia nuk i plotëson kërkesat ekonomike dhe të shtetit juridik. Për shkak se qeveria gjermane është për fillimin e negociatave me Turqinë dhe do të votojë pro kësaj në samitin e BE-së në dhjetor, partia kristiandemokrate synon të veprojë me mjete të tjera, si aksionin e nënshkrimeve apo organizimin e një referendumi. Ky qëndrim nuk gjen miratimin e qeverisë gjermane. Dihet se qenë qeveritë e udhëhequra nga kristiandemokratët ato, që e linin të hapur mundësinë e futjes së Turqisë në Bashkimin Evropian. Propozimi i kristiandemokratëve ka ndeshur në kundërshtimin jo vetëm të partive të tjera në bundestagun gjerman, por edhe te vetë politikanëve të tjerë të Unionit gjerman. Deputeti evropian i CDU-së Elmar Brok është shprehur se ky propozim i shkakton dhimbje barku. Ndërkohe që politikanë të tjerë po të Unionit janë shprehur qartë kundër fillimit të mbledhjes së nënshkrimeve tek populli gjerman.