1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krijimi i një qeverie të unitetit kombëtar i mundur?

Bettina Marx6 Shkurt 2007

Përpara fillimit të samitit të palestinezëve në Mekë

https://p.dw.com/p/Aqn2
Qyteti i shenjtë Mekë
Qyteti i shenjtë MekëFotografi: AP

Me ndërmjetësinë e Arabisë Saudite, organizatat e armiqësuara palestineze Hamas dhe Fatah, do të zhvillojnë sot (6.2) bisedime të reja mbi krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Në takim do të marrin pjesë presidenti i palestinezëve Mahmud Abbas, kryeministri, Ismail Hanija dhe lideri i Hamasit në mërgim, Chaled Maschaal.

Në Rripin e Gazës njerëzit të martën nuk i drejtohen Mekës vetëm në lutjet e tyre. Me tension, shumë dëshpërim dhe shumë pak shpresë ata ndjekin fillimin e bisedimeve mes fraksioneve palestineze në Arabinë Saudite. Ditët dhe javët e fundit kanë qenë një ferr i vërtetë për popullsinë civile në Rripin e Gazës, për 1,4 milionë banorët, të cilët nuk kanë mundësi të largohen prej dhunës. Amar është njëri prej tyre.

"Ishte e tmerrshme. Njerëzit kishin frikë edhe të mbyllur në shtëpitë e tyre pasi shumë njerëz të pafajshëm, edhe fëmijë, kanë humbur jetën," - thotë Amar.

Pas luftimeve të ashpra të cilat javën e shkuar u ndërprenë vetëm për dy ditë Amar shpreson që qetësia e rikthyer ditën e dielë të vazhdojë dhe që dy kampet e armiqësuara Hamas dhe Fatah të bien më në fund dakord për një qeveri të unitetit kombëtar.

"Falë Zotit sot gjendja është shumë më e mirë dhe mund të dalësh sërish në rrugë. Ne shpresojmë që siguria të vazhdojë dhe të krijohet një qeveri uniteti që ata t'i japin fund luftës me njëri-tjetrin," - thotë Amar.

Më shumë se 60 palestinezë janë vrarë dy javët e shkuara në Rripin e Gazës, viktima të luftës së ashpër për pushtet mes Hamasit që qeveris dhe Fatahut të mundur - një vit më parë në zgjedhje. Përkrahësit e armatosur të të dy grupeve u përleshën me mungesë të frikshme mëshire me njëri-tjetrin, vranë, morën pengje dhe torturuan viktimat. Spitalet shumë shpejt arritën kufijtë e kapaciteteve.

Me anë të medieve ato i bënë thirrje popullsisë të dhuronte gjak. Por përsa kohë në rrugë dominonin njerëzit e armatosur dhe nga çatitë e hyrjet e shtëpive hapej zjarr, askush nuk guxonte të dilte. Përleshjet e përgjakshme duhet t'i përkasin tani të kaluarës, tha kryeministri i palestinezëve Ismail Hanija:"Ne po shkojmë në qytetin e shenjtë Mekë, në vendin e shenjtë Arabinë Saudite me dëshirën e sinqertë për të arritur një marrëveshje ndërpalestineze e cila t'i japë fund gjakderdhjes dhe krizës."

Zëdhënësi i qeverisë Ghazi Hamad duke folur në radion izraelite shtoi se në disa pika ka ende mosmarrëveshje por ai shpreson që megjithatë të arrihet një rezultat. Sipas tij Hamasi dhe Fatahu, presidenti dhe kryeministri duan t'i japin sërisht shpresë popullit palestinez. "Ne nuk duhet t'i rikthehemi konfliktit të armatosur. Këtë nuk e pranon askush," - ka thënë Hamad.

Të dyja palët shpresojnë që në Mekë të arrijnë një marrëveshje për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Në të kaluarën bisedimet kanë dështuar gjithnjë pasi Fatah kërkonte poste kyçe ministrore ndërkohë që Hamasi nuk ishte i gatshëm t'i lëshonte ato. Sipas vlerësimeve të shumë vëzhguesve në krahinat palestineze Fatah nuk është megjithatë e interesuar në arritjen e një marrëveshjeje. Ajo shpreson në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për të detyruar Hamasin të largohet nga pushteti.

Qytetarët në Rripin e Gazës të tronditur nga krizat vetëm mund të luten që bisedimet në Arabinë Saudite t'i japin fund konfliktit të armatosur.

"Nëse do Zoti. Ne i lutemi që gjërat të bëhen më mirë kur ata (pra politikanët) të shkojnë në Mekë. Për ne iniciativa saudite është shumë e mirë dhe shpresojmë që të sjellë rezultate," - thotë Amar.