Krahu Shrëderit synon koalicionin e madh | Studimi në Gjermani | DW | 24.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Krahu Shrëderit synon koalicionin e madh

Dështon ideja e krijimit të një koalicioni midis demokrsitianëve, liberalëve dhe ekologjistëve.

Pasqyrë e shtypit gjerman

Pasqyrë e shtypit gjerman

Bisedimet mes partive për krijimin e koalicioneve të mundshme qeveritare, vazhdojnë të dominojnë shtypin gjerman. Në lidhje më këtë në gazetën Märkische Oderzeitung, që botohet në Frankfurt mbi Oder shkruhet:

"Një koalicion mes demokristianëve, liberalëve dhe ekologjistëve duket se nuk do të ketë. Demokristianët dhe të Gjelbërit e quajtën takimin e tyre të parë pas zgjedhjeve, 'bisedë testuese', por në fakt gjatë saj ata nuk u përpoqën të gjenin të përbashkëtat, por vetëm sa këmbyen fjalime armiqësore. Eshtë për të ardhur keq, sepse megjithë orientimin e ndryshëm të këtyre partive, ato gjithsesi mund të gjenin të përbashkëta. Por me sa duket, asnjëra prej partive nuk e donte këtë. E pra një herë për një herë mund të thuhet se e reja politike, që pretendonte një koalicion të përbërë prej demokristianëve, liberalëve dhe ekologjistëve nën drejtimin e demokristianëve, mund të konsiderohet e vdekur. Nuk është gabim po të thuash se shpjegimi për këtë, duhet kërkuar në mungesën e kurajos politike.

Gazeta "Tageszeitung" e Berlinit, shkruan se në sfondin e mosarritjes të një emëruesi të përbashkët mes demokristianëve dhe ekologjistëve, përfaqësues të socialdemokratëve janë të mendimit, se një koalicion i madh mes tyre dhe demokristianëve duhet të jetë i vetmi që mund të pranohet.

Citojmë: "Krahu i Shrëderit në radhët e socialdemokratëve mendon se koalicioni i madh është mundësia e vetme, që duhet të synojë kjo parti. Tani, duhet që këta ta ndihmojnë kancelarin të ulet sërish me këmbë në tokë. Gjithsesi thuhet, se Shrëderin e kanë dëgjuar duke recituar në Berlin vargjet e Rilkes: 'Zot! Erdhi koha. Ishte vërtet një verë madhështore." Nëqoftëse kancelari do të arrijë, që të largohet pas pak kohe me dinjitet, atëherë pasuesit e tij me shumë dëshirë do të fillonin të bisedonin për pikat e përbashkëta me demokristianët. Ndër to bëjnë pjesë heqja nga axhenda e reformës në fushën e shëndetësisë, heqja dorë nga ideja e taksës mbi të ardhurat tepër të larta apo shfuqizimi i kontratave mbi tarifat në ndërmarrje. Tek e fundit, vetë punëdhënësit janë të interesuar për këto lloj tarifash. Një koalicion mes demokristianëve, liberalëve dhe ekologjistëve do të ishte një grup kaotik në krahasim me koalicionin mes demokristianëve dhe socialdemokratëve".


Gazeta Frankfurt Allgemeine Zeitung, kritikon faktin që demokristianët, liberalët dhe të gjelbërit hynë në bisedime duke u fshehur pas korracës së kërkesave të paplotësueshme nga pala tjetër.

Citat:"Demokristianët, liberalët dhe ekologjistët përfunduan bisedat e tyre pa i filluar mirë. Askush nuk e ka të qartë, nëse në rradhët e atyre që u ulën në tryezë për të biseduar ekzistonte dikush, që e kishte marrë vesh se nuk ka kuptim të ulesh për të biseduar, në qoftëse e konfronton bashkëbiseduesin me kërkesa të parealizueshme. Nuk mund të zhvillohen bisedime nëqoftëse tema antagoniste konsiderohen njëkohësisht prej palëve si gjëra thelbësore. Çmimi që duhet të paguajë çdo parti, që do të hyjë në koalicion është edhe heqja dorë prej pozicioneve të mbrojtura për vite me radhë. Ky përfytyrim gjeti shumë shpejt pasues pikërisht për elementin konstruktiv të tij, i cili do të sillte impulse të vërteta ndryshimesh qoftë për partitë, qoftë për vendin. Nga ana tjetër, kjo do të thoshte që përfundimin e votimeve ta mbushje me fantazi kreative. Por politikanët tanë nuk janë të tillë."

Gazeta e Bayreuth-it, Nordbayerische Kurier, është e mendimit se një koalicion i madh midis socialdemokratëve dhe demokristianëve nuk do të ishte në gjendje të thellonte procesin e reformave, ndërkohë që koalicioni mes demokristianëve, ekologjistëve dhe liberalëve, i quajtur si koalicioni "Xhamajka", mund të ishte një lloj shansi.

Citojmë: "Një koalicion i madh priret ndaj zhvillimeve të tilla, që mund ta frenonin procesin e reformave në Gjermani. Programet e partive janë shumë të ndryshme, frontet mes tyre të ashpërsuara, aktorët politikë të fiksuar në rolet e tyre. Duhet thënë se edhe demokristianët, liberalët dhe të gjelbërit janë shumë larg njeri-tjetrit në shumë fusha. Megjithatë një koalicion mes këtyre tri partive, nën drejtimin e demokristianëve do të përbënte një fillim të ri për Gjermaninë, duke sjellë zhvillim të përbashkët si të ekonomisë ashtu edhe të ekologjisë, duke u fokusuar në nevojat e ekonomisë dhe respektuar njëkohësisht pretendimet ndaj një shteti social modern. Koalicioni tripalësh do të shërbente si motorr i një modeli gjerman, që integron më mirë se deri tani rritjen ekonomike, mbrojtjen e ambientit dhe të drejtat e qytetarëve. Për fat të keq vizioni i një koalicioni "Xhamajka" është shumë larg realitetit gri të Berlinit".

  • Data 24.09.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artf
  • Data 24.09.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artf