1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritje infeksionesh në Kosovë - Masat mund të ashpërsohen

Bekim Shehu
13 Maj 2020

Në tre ditët e fundit në Kosovë u regjistruan mbi 50 raste me Covid-19 duke rritur shqetësimin, se masat kufizuese nuk po respektohen sa duhet. Autoritetet paralajmërojnë për ashpërsimin në rast nevoje.

https://p.dw.com/p/3c9bF
Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Fotografi: Reuters/L. Hasani

Në Kosovë pas një rënieje të ndjeshme të të infektuarve në javën që shkoi, në tri ditët e fundit pati rritje të numrit të personave të infektuar në mbi 50. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 24 raste të reja, që është numri më i lartë në një ditë kohët e fundit, duke vënë në dyshim kështu mundësinë e lehtësimit të masave të parapara për fazën e dytë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se raste e reja u konfirmuan pas 257 testeve të bëra në rajone të ndyshme të Kosovës. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Gjilanit, 4 raste nga komuna e Prishtinës, 3 nga komuna e Vushtrrisë dhe nga 1 rast në Kamenicë, Mitrovicë dhe Ferizaj. Rastet e të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit e çuan në 919 numrin e përgjithshëm të të prekurve me Covid-19. Deri tani në Kosovë kanë humbur jetën 29 vetë. Rasti i fundit i vdekjes u regjistrua të martën, një grua 63 vjeçare nga komuna e Rahovecit e cila po trajtohej në Klinikën Infektive në Prishtinë. 14 persona u shëruan në 24 orët e fundit duke e çuar në 671 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Paralajmërim për qytetarët

Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 bëri që autoritetet e shëndetësisë në Kosovë të tërheqin vërejtjen, duke paralajmëruar se masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, mund të shtohen nëse qytetarët nuk respektojnë rregullat e parapara. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, tha se "nëse vazhdon të rritet numri i rasteve pozitive, nëse fillon të ketë vatra të infeksionit në komunitet, atëherë duhet të reagohet menjëherë". Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë, u takua të martën për të analizuar masat e ndërmarra kundër përhapjes së koronavirusit, duke kërkuar nga qytetarët që t'i respektojnë maksimalisht rregullat për parandalimin e përhapjes së virusit.

Kosovo | Stadtansichten aus Pristina
Fotografi: DW/V. Çerkini

Kosova tashmë ka filluar hapjen graduale duke lehtësuar pak masat, ndërsa faza e dytë e lehtësimit është paraparë të bëhet nga data 18 maj. Aktualisht është duke u zbatuar faza e parë e hapjes graduale ekonomike, duke lejuar të punojnë disa biznese nën kushtet e respektimit të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Por këto masa si duket nuk po respektohen sa duhet, konstaton zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti. "Kur ka filluar hapja graduale ekonomike, ne shohim mosrespektim të masave nga qytetarët dhe nga një numër i bizneseve", tha Hoti.

Kujdesi i qytetarëve vendimtar

Ulja e numrit të të infektuarve javën që shkoi, disa ditë me radhë me vetëm nga një rast në 24 orë dhe shumë të shëruar, ngriti shpresat që Kosova po e mund pandeminë. Mikrobiologu i njohur në Kosovë Lul Raka, shkroi në profilin e tij se "Kosova mund të ketë fituar një betejë më koronavirusin e ri, mirëpo si çdo shtet në botë është shumë larg për ta mundur atë tërësisht”. Sipas tij, dalja e parakohshme nga izolimi "do të ishte e rrezikshme”. "Duke marrë parasysh numrat e javës së fundit të të prekurve me COVID-19, Kosova betejën me këtë sëmundje e ka fituar, por për luftën është ende herët të flitet. Kujdesi i qytetarëve ka qenë vendimtar që ta kemi këtë numër të të infektuarve që e patëm. Por, duhet të vazhdojë edhe pas lirimit të masave, që tashmë po ndodh, që të kenë kujdes qytetarët. Ata duhet fokusohen në mbulimin e fytyrës me maska aty ku ka grumbullime të njerëzve dhe duke vazhduar me higjienën e duarve”, shkroi mikrobiologu Lul Raka.

Sipas mikrobiologut nga shembujt e shteteve tjera, të cilat kanë qenë të suksesshme në fazat e para, "çdo lirim i masave i parakohshëm ose i pakujdesshëm, është përcjellë me raste të reja të të infektuarve”. Sidoqoftë, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë në Kosovë do të takohet edhe një herë gjatë kësaj jave për të analizuar situatën në teren dhe sapo respektohen masat e ndërmarra. Faza e dytë e lirimit të masave është paraparë të fillojë nga data 18 maj.