1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Harmonizim qëndrimi për dialogun me Serbinë?

8 Tetor 2018

Në Kosovë gjatë kësaj jave pritet që partitë politike parlamentare të takohen për të harmonizuar qëndrimet për një qasje të përbashkët në dialogun me Serbinë.

https://p.dw.com/p/36B7X
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës u bënë thirrje partive politike opozitare që ta mbështesin një rezolutë të propozuar nga qeveria, e cila e qartëson se çdo marrëveshje në dialogun me Serbinë të kalojë vetëm përmes kuvendit. Në këtë rezolutë ku nuk përmendet askund emri i Presidentit të Kosovës, thuhet, se "Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative, përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë". Rezoluta përmban gjashtë pika ku në fund thuhet se "Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoriteti suprem, i cili do të ratifikojë marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".

"Kuvendi i Kosovës me votat e dy të tretave të deputetëve, ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: Territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake".

Kjo rezolutë ndonëse akoma nuk është vendosur në kryesi, pritet të diskutohet këtë të enjte (11.10)në një takim të partive politike i thirrur nga kryetari i kuvendit Kadri Veseli.

E ky i fundit tha se rezoluta që është propozuar, së bashku me partnerët e koalicionit, ajo nuk duhet parë thjesht si një veprim politik i koalicionit qeverisës, por si një propozim në interes të shtetit. "Në këtë rezolutë jemi përpjekur që të inkuadrojmë dhe harmonizojmë të gjitha pozicionet dhe deklaratat e shprehura në këtë periudhë, mbi çështjen e fazës finale të dialogut me Serbinë. Kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet e tjera ndërkombëtare", thotë Kadri Veseli, duke i bërë thirrje opozitës "që të lenë mënjanë dallimet partiake, dhe të bëhen pjesë e procesit të dialogut".

"Me sa duket nga qëndrimet publike, të gjitha partitë parlamentare e mbështesin në parim procesin e dialogut, por kanë dallime në qasje duke ofruar propozime të ndryshme rreth rezolutës për procesin e dialogut. Prandaj kam vendosur që të ftoj të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare për të diskutuar e harmonizuar një rezolutë të përbashkët në kuvend", thuhet në ftesën e kryetarit të kuvendit bërë partive politike parlamentare për një takim për ditën e enjte.

Edhe Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, thotë se në rezolutën e propozuar nga partitë e koalicionit qeverisës për dialogun me Serbinë, Kuvendi i Kosovës do të ketë rol aktiv në këtë proces, pikërisht ashtu siç është kërkuar nga opozita dhe shoqëria civile.

"Ky dokument, që është hartuar nga partnerët e koalicionit përcakton edhe temat e panegociueshme në dialogun me Beogradin, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kundërshtimi i shprehur nga partitë opozitare për këtë rezolutë, dëshmon se nuk ka "vullnet politik", për t'u përmbyllur procesi i dialogut. Prandaj sjellja e kundërt konfirmon se nuk ka vullnet politik jo vetëm për ta përmbyllur dialogun por as për t'i dhënë rol Kuvendit sikurse është përsëritur në vazhdimësi", thotë Enver Hoxhaj.

Por të kundërtën e zotit Hoxhaj e thotë, kryetari i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, duke e akuzuar vet qeverinë që - sikurse ai thotë - po ia mundëson presidentit "që të përhapë idetë e tij për korrigjim kufijsh".

"Duke lexuar opinione të ndryshme fitohet përshtypja se po bëhet garë se kush po i thotë më shumë e më fort presidentit se e ka keq me përhapjen kokëfortë të teorive të tij shumë konfuze, por të rrezikshme, për korrigjim të kufirit me Serbinë, si zgjidhje e marrëveshjes përfundimtare. Qe e ka keq dhe gabim? E ka! Por shtrohet pyetja se kush ia dha shansin që ta ketë keq", shkroi në profilin e tij social Isa Mustafa. Ai thotë se qeveria u tërhoq nga obligimi i dialogut që me Kushtetutë dhe vendim të kuvendit i takon asaj.

"Në fillim të këtij viti qeveria i propozoi kuvendit një platformë për dialogun Kosovë-Serbi, pa asnjë përmbajtje, veç asaj se, dialogun duhet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës. Po të mos ishte kjo sjellje dhe ky veprim i qeverisë, ne s'do të kishim problem as me presidentin dhe as me teoritë e tij për korrigjim të madh e të butë të kufijve dhe as me ofertën për shkëmbim të territorit si pasojë përfundimtare e korrigjimit", thotë Isa Mustafa. Sipas tij, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të ndodhë bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh efektet e saj për shtetësinë e Kosovës, por edhe për rajonin.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011 në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet tyre, kusht ky i domosdoshëm i vënë nga Bashkimi Evropian që të dyja vendet, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të integrohen, përkatësisht të anëtarësohen në BE.