1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Vetëvendosja fiton 50.28% të votave

Bekim Shehu
13 Mars 2021

Certifikimi i rezulateteve të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë i hap rrugën formimit të institucioneve të reja. Kandidat për kryeministër është Albin Kurti, ndërsa kandidate për presidente është Vjosa Osmani.

https://p.dw.com/p/3qamz
Kosovo Wahlkampagne Albin Kurti & Vjosa Osmani, Präsident
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Ashtu edhe siҫ dihej më herët, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi thellë me rezultat 50.28 për qind të votave. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 17 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.7 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.1 për qind dhe Lista Srpska me 5.09 për qind.

Përqinda e votave të fituara i siguron lëvizjes Vetëvendosja 58 deputetë, nga 120 sa ka gjithsej parlamenti i Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës siguron 19 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 vende, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 vende dhe Lista Serbe 10 vende që në fakt janë edhe 10 vendet e garantuara për komunitetin serb. Dhjetë vende të tjera u takojnë partive politike të pakicave jo serbe.

Zhvillim e pa korrupsion

Rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, lëvizja Vetëvendosje i cilësoi si referendum. "Me 50.28% qytetarët u deklaruan se regjimi i vjetër duhet të shkojë dhe vendit duhet t'i hapet perspektivë e re, me zhvillim e pa korrupsion, me mirëqenie e mirëqeverisje”, thuhet në reagimin e parë të Vetëvendosjes.

Pas ankesave në Panelin për Ankesa dhe parashtresa PZAP dhe Gjykatën Supreme, partia e boshnjakëve "Komuniteti i Bashkuar”, e udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq", humbi vendin në kuvend dhe në vend të saj  hyri Unioni Socialdemokrat i udhëhequr nga deputetja e disa legjislaturave Duda Balje.

Kosovo Pristina | Parlamentswahlen
Fotografi: Florion Goga/REUTERS

Edhe Iniciativa Rome, mbeti vetëm me një vend në kuvend. Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja në fillim të marsit, partitë e komuniteteve joserbe iu drejtuan Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke thënë se dy subjekte politike  Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiq dhe Iniciativa Rome, kanë fituar  vota në lokalitete të banuara me shumicë serbe dhe  pikërisht për këtë shkak këto dy subjekte humbën nga një vend në parlament.

Thirrje për reformë zgjedhore

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve u bëri thirrje deputetëve të rinj që ta bëjnë reformën zgjedhore.

"Dua t'i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t'ia japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme që të japë kontributin e vetë profesional në këtë reformë", tha Valdete Daka.

Pas certfikimit të rezultateve të zgjedhjeve,  sipas Kushtetutës së Kosovës, fillon afati prej 30 ditësh për konstituimin e parlamentit të ri dhe zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë. Pastaj, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga lëvizja Vetëvendosje që është fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kosovo Albin Kurti
Albin Kurti, kandidat për kryeministër Fotografi: Armend Nimani/AFP

Nëse herën e parë kandidati për kryeministër nuk i siguron votat e mjaftueshme prej së paku 61 sosh për ta formuar qeverinë, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh duhet të emërojë një kandidat tjetër për kryeministër. Nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti është i obliguar të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sfida tjetër me të cilën do të përballet legjislatura e re është edhe zgjedhja e presidentit të vendit. Zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave të parlamentit, përkatësisht 80 vota të deputetëve, që të paktën duhet të jenë të pranishëm në sallën e parlamentit gjatë votimit për president. Kandidate për presidente është Vjosa Osmani, e cila për tu zgjedhur në këtë post ka nevojë pos për votat e Vetëvendosjes edhe për votat e partive tjera. Edhe dështimi për të zgjedhur presidentin e ri mund të çojë vendin sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, lideri  i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Vjosa Osmani që aktuaisht është ushtruese e detyrës së presidentës e që në këto zgjedhje garoi me listën e Vetëvendosjes, i ftuan takime konsultative liderët e partive tjera, për të diskutuar lidhur me krijimin e institucioneve të reja. Këto takime janë paraparë të mbahen më 15 mars