1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Hetime rreth zarfeve që dyshohet se shkaktuan helmim

Bekim Shehu
14 Tetor 2019

9 persona u dërguan në qendrën spitalore në Kosovë, pas kontaktit me zarfet me vota të ardhura nga Serbia. Tani në hetimet për ekzaminimin e zarfeve do të përfshihen edhe ekspertë ndërkombëtarë.

https://p.dw.com/p/3REoL
Kosovo Wahl 2019 | Wahllokal in Pristina
Fotografi: DW/B. Shehu

Zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende po presin rezultatet e hetimeve të policisë rreth zarfeve të votimeve të ardhura nga Serbia, numërimi i të cilave tani duhet të presë. Nëntë persona u dërguan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas kontaktit me zarfet me vota të ardhura nga Serbia. Të prekurit kishin shenja alergjie në duar dhe trup. Tash për tash akoma nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me ndonjë helmim, apo çfarë mund ta ketë shkaktuar reaksionin alergjik. Gjendja e pacientëve është e stabilizuar, thuhet në një komunikatë për medie të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Gjendja e pacientëve e stabilizuar

"Dy nga pacientët kanë pasur edhe vjellje. Të gjithë kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ekipi kujdestar i Klinikës Infektive ka ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke u ofruar ndihmën e duhur mjekësore”, thuhet në komunikatën e QKUK-së.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u njoftua me rastin në një takim nga Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, të cilët e informuan atë siç thuhet "për rezultatet e hetimeve rreth raporteve për helmim të punëtorëve të KQZ-së, të cilët kishin kontakt me zarfet e ardhur nga jashtë Kosovës në objektin e shërbimit të votuesve, ku ishin të vendosura votat e diasporës”.

Presidenti Thaçi kërkoi nga institucionet shtetërore relevante që rasti të hetohet deri në fund. "Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve. Ekzaminimet do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë”, thuhet në një njoftim nga Presidenti Thaçi, i cili ftoi për përmbajtje deri në përfundim të hetimeve.

Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

Numërimi i votave nga Serbia pezullohet deri në fund të hetimeve

Në Ministrinë e Infrastrukturës ishin në të njëjtin vend zarfet me vota të ardhura nga Serbia dhe zarfet me vota e ardhura nga Diaspora. Zarfet me votat e diasporës sipas Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, do të transferohen ne Qendrën e Numërimit të Votave, ndërsa zarfet e ardhura nga Serbia do të qëndrojnë në të njejtin vend derisa të përfundojnë hetimet e policisë. 3700 zarfe me vota kanë ardhur nga Serbia, jo nëpërmjet postës, por nëpërmjet rrugëve tokësore.

Sipas Vetëvendosjes ata "janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë”. "Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Marko Djuric
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Serbia sheh përgatitje për manipulim

Lidhur me zarfet me vota të ardhura nga Serbia dhe mundësinë e helmimit të disa personave që i hapën ato, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai thotë se "ky është një paralajmërim se po përgatitet manipulimi i votave serbe në Kosovë”. "E gjithë kjo po bëhet për të akuzuar edhe një herë në mënyrë të gabuar serbët dhe t'i ekspozojë ata në urrejtje. Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t'u hapur rrugë njerëzve të Albin Kurtit në parlament”, thuhet në reagimin e Gjuriqit.

Në zgjedhjet e 6 tetorit në bazë të rezultateve preliminare nga votat e rregullta, lëvizja Vetëvendosja doli partia e parë, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në këto zgjedhje garoi edhe lista "Srpska” që e ka mbështetjen e Beogradit dhe ky subjekt politik mori 10 vendet e rezervuara për serbët, duke siguruar mbi 98% të votave të serbëve të Kosovës vetëm për "Listën Srpska", ndonëse kishte edhe dy subjekte tjera politike serbe që garuan në këto zgjedhje.