1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Haradinaj shkarkon ministrin serb Teodosijeviq

Bekim Shehu
9 Prill 2019

Ministri Teodosijeviq, që u shkarkua nga kryeministri Haradinaj, masakrën e Reçakut e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”, ndërsa, shqiptarët e Kosovës që luftuan për çlirim të Kosovës i quajti “terroristë”.

https://p.dw.com/p/3GW84
Kosovo Ramush Haradinaj, Premierminister & Kabinett | Entscheidung Zölle gegen Serbien
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Kosovo Government

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, shkarkoi nga detyra ministrin serb të Administratës së Pushtetit lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviq. Ky i fundit në një emision televiziv serb, masakrën në Reçak të vitit 1999 ku u masakruan 46 civilë shqiptarë, e cilësoi si një "trillim të shqiptarëve”, ndërsa shqiptarët e Kosovës që luftuan për çlirimin e Kosovës nga forcat serbe i quajti "terroristë”. Këtë deklaratë të ministrit serb që vjen nga lista Srpska, nuk e toleroi kryeministri Ramush Haradinaj, i cili nga nga SHBA-ja ku ndodhet për vizitë, mori vendim për shkarkimin e menjëhershëm nga posti të ministrit të Administratës së Pushtetit lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviq.

"Sot kam marrë vendim për shkarkimin e ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si dikush deri sot koleg i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askënd që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në një postim në profilin e tij social, shkroi se "diskursi fashist i Listës Serbe është cinizëm dhe hipokrizi politike, si dhe njëherësh përpjekje për fshehje të së vërtetës duke mohuar krimet shtetërore të Serbisë dhe politikën e spastrimit etnik të 1999-ës. Është injorim i dhunës shtetërore kundër popullit të Kosovës dhe krim i dyfishtë ndaj viktimave”, shkroi Enver Hoxhaj.

Dy javë më parë, ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, pati shkarkuar nga detyra edhe një zëvendësministre serbe në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, e cila po ashtu në një emision televiziv serb, pati deklaruar, se "bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe janë gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb”. Menjëherë edhe zëvendësministren Mikiq, Haradinaj e shkakroi nga detyra duke thënë, se "në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike, aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave”.

"Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me kushtetutë dhe ligj”, pati thënë në vendimin e tij Haradinaj.

E për këtë vendim, Vesna Mikiq, pati thënë se Ramush Haradinaj, nuk e pranon mendimin ndryshe dhe se ajo tha se deklaratat e saja për bombardimet e NATO-s janë mendime të saj në kuadër të lirisë së shprehjes.

Për shkarkimin e zonjës Mikiq, pati reaguar Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ku thuhej se "shkarkimi i saj është edhe një tjetër provë që Ramush Haradinajt i duhen serbë të dëgjueshëm dhe të bindur".

"Zonja Mikiq ka shprehur mendimin që mbizotëron në mesin e popullit serb lidhur me sulmet e NATO-s ndaj Serbisë. "Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij mund t'u ngrenë edhe dhjetra monumente agresorëve dhe terroristëve, por populli serb nuk do të detyrohet t'i respektojë ata që i kanë bërë keq", thuhej në reagimin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Sidoqoftë, shkarkimi nga detyra i ministrit serb të Administratës së Pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq, vjen vetëm një ditë pasi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shpalli 19 majin datën kur në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme. Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, patën dhënë dorëheqje në fund të nëntorit të vitit të shkuar, në shenjë kundërshtimi dhe proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës shtesë prej 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Ata patën deklaruar se "Funksionimi i mëtejshëm i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar”, ndërsa edhe deputetët e listës serbe në parlamentin e Kosovës tash e sa kohë vazhdimisht bojkotojnë seancat parlamentare të kuvendit të Kosovës.