1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: A do të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi?

Bekim Shehu
27 Shkurt 2018

Kuvendi i Kosovës do të provojë të mërkurën sërish ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, në ditën kur në Prishtinë do të jenë krerët e BE-së, Jean-Claude Juncker, Federika Mogherini dhe Johanes Hahn.

https://p.dw.com/p/2tQ27
Kosovo Parlament in Pristina
Fotografi: Reuters/H. Reka

Vazhdimi i seancës e jashtëzakonshme e parlamentit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, mbahet të mërkurën (28.02). Seanca mbahet në ditën kur Kosovën e vizitojnë tre krerët e Bashkimit Evropian, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja e diplomacisë së BE-së Federika Mogherini dhe komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është kusht që Kosova duhet ta përmbushë në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen. Dy tentime në kuvendin e Kosovës për ta ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi, dështuan javën e shkuar për shkak të dallimeve të mëdha që kishin parititë politike rreth kësaj çështjeje. Megjithatë, gjatë fundjavës kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, u dakorduan rreth kësaj çështjeje, mirëpo, kundër ratifikimit të demarkacionit vazhdon të jetë lëvizja Vetëvendosje dhe lista Srpska. Lëvizja Vetëvendosje është kundër, sepse thotë se Kosova po humbet territor, ndërsa, lista Srpska, thotë se për këtë subjekt më i rëndësishëm është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, sesa demarkacioni me Malin e Zi. Të dyja këto subjekte politike përfaqësohen me 42 deputetë, ndërsa, për t'u ratifikuar demarkacioni nevojiten 80 vota nga 120 sa i ka parlamenti i Kosovës. Tash për tash akoma nuk është e qartë nëse ndonjë deputet nga dy subjektet kundërshtuese të demarkacionit, Lëvizjes Vetëvendosja dhe listës Srpska do të mund ta votojnë ligjin e demarkacionit.

Të ndodhur në këtë situatë, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, edhe njëherë u bëri thirrje deputetëve të kuvendit që ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi, për faktin që sipas saj, tashmë janë ndërmarrë hapa të mirë në këtë drejtim.

"Deklarata e presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi dhe e dyta marrëveshja ndërmjet pothuajse të gjitha partive, që mbështesim ratifikim e demarkacionit. Këto janë hapa të mirë. Është afër që të zgjidhet dhe me rëndësi që votimi të bëhet nesër. Duhet të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit, por demarkacioni është hapi para liberalizimit. Mos e humbni rastin për ta ratifikuar demarkacionin. Na ndihmoni në mënyrë që ne të mund t'iu ndihmojmë”, tha Natalya Apostolova pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

E ky i fundit është i bindur se demarkacioni me Mali e Zi, duhet të ratifikohet në kuvendin e Kosovës."Liberalizimi duhet të ndodhë, në të njëjtën kohë edhe demarkacioni do të votohet. Qytetarët presin dhe ne do ta sjellim lajmin e mirë nesër duke e votuar Marrëveshjen. Kemi bërë shumë për të arritur konsensusin. Kur t'i përmbushim obligimet tona presim përkrahjen e BE-së. Nuk duhet të vonohemi as të humbim raste më tej”, tha Kadri Veseli.

Sidoqoftë, tema e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, riaktualizohet në kuvend pikërisht në ditën kur tre krerët e Bashkimit Evropain, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja e diplomacisë së BE-së Federika Mogherini dhe komisioneri për zgjerim Johanes Hahn, qëndrojnë në Kosovë për ta rikonfirmuar - siç thanë -"perspektiven evropiane të Kosovës”.

Këtë e thotë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

"Presidenti Juncker, zëvendëspresidentja Mogherini, dhe komisari Johannes Hahn, do të tregojnë se BE-ja është në anën e qytetarëve të Kosovës, teksa ata punojnë me ngulm për t'u afruar më shumë me Bashkimin Evropian. Ky mesazh është përcaktuar nga Strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Strategjia është për të gjashtë partnerët në rajon, për Kosovën po aq sa edhe për të tjerët”, shkruan Natalya Apostolova. Sipas saj, "Kosova, do të jetë pjesë e iniciativave udhëheqëse të paraqitura në kuadër të Strategjisë, çka do ta përforcojë aftësinë e saj për të zbatuar reformat e nevojshme në rrugën e saj evropiane dhe për të arritur një standard më të mirë jetese për popullin e saj”.