1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovarët dhe ndër ta edhe serbët do të udhëtojnë edhe më tej me viza në BE

23 Dhjetor 2009

Ndërkohë që qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë gëzohen që nga 19 dhjetori mund të udhëtojnë pa vizë në vendet e BE-së, kosovarët, pavarësisht nga përkatësia etnike pyesin se kur do të kenë edhe ata këtë fat

https://p.dw.com/p/LCWg
Fotografi: DW/ Pandeli Pani

Deri sa të vijë kjo ditë ata do të vazhdojnë të presin 'me ditë' para dyerve të ambasadave për një vizë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Deputetja austriake, Ulrike Lunaçek e cila në cilësinë e raportueses për Kosovën e Parlamentit Evropian bisedoi me zyrtarët vendorë deklaroi se Kosova duhet të përballet me pengesa tjera politike dhe teknike.

"Edhe nëse Kosova përmbush të gjitha standardet kam frikë se në rast se pesë vende të BE-së vazhdojnë të mos e njohin Kosovën prapë do të kemi një problem politik", thotë Lunaçek. Ajo thekson se lufta kundër krimit të organizuar që është edhe kushti kryesor nuk varet nga heqja e vizave.

Ndërkaq Ministri i Brendshëm i Kosovës Zenun Pajaziti thotë se prioritet për Qeverinë e Kosovës ka integrimi në Bashkimin Evropian, kështu që liberalizimi i vizave është shumë me rëndësi. Përveç pengesave politike, kujtoi ministri, ekzistojnë edhe një numër i kushteve teknike që duhet të përmbushë Kosova në këtë rrugë.

"Nuk kemi qëndruar duarkryq", sqaron ministri Pajaziti për të shtuar se qeveria e Kosovës ka përcjellur zhvillimet në rajon, ka miratuar rrugërrëfyesin dhe i ka përcaktuar vetes detyrat si për shembull dhënien e pasaportave biometrike me të cilat pritet të fillohet vitin e ardhshëm.

Zhgënjim në të gjitha anët!

Nga ana tjetër serbët e Kosovës edhe pse posedojnë pasaporta biometrike nuk mund të udhëtojnë pa vizë. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës si Rada Trajkoviqi vlerësojnë se serbët e Kosovës kështu diskrimonihen trefish.

"Nga bashkësia ndërkombëtare, lidershipi shqiptar në Prishtinë dhe tani nga vet shteti i tyre. Kjo mund të ndikoj negativisht në proceset e ardhshme në Kosovë dhe në shpërnguljen e serbëve".

Serbët e Kosovës Qendrore - të zhgënjyer sepse nuk mund të udhëtojnë pa vizë në BE

"Personalisht janë e pakënaqur me këtë vendim", thotë një serbe e Kosovës.

"Nuk është e drejtë. Eshtë dashur të vlejë edhe për Kosovën për shkak se unë mendoj që ne jemi ende në kuadër të Republikës së Serbisë", thotë një serbe tjetër.

"Mendoj se nuk është në rregull. Është dashur të gjejnë ndonjë zgjidhje edhe për ne, për pakicat dhe për serbët e Kosovës", shton një qytetar serb.

Të pakënaqur edhe shqiptarët

Të pakënaqur janë edhe shqiptarët e Kosovës. Tre organizata joqeveritare, Lëvizja FOL, Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL) dhe Iniciativa për Progres (INPO), organizuan performancë para NEW BORN-it në Prishtinë, ku përmes mbulimit të kësaj skulpture me perden të zezë reaguan për izolimin gjithnjë e më të madh që po i bëhet Kosovës. Ato apeluan te BE që ta përfshijë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe te Qeveria e Kosovës që të angazhohet seriozisht në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

"Kosova është Afrikë në mes të Evropës", tha Seb Bytyqi, drejtori ekzekutiv i Institutit Ballkanik të Politikave për të sqaruar se: "Kosovarët po humbasin jetën e tyre për të shkuar në Evropë njëjtë si afrikanët kur provojnë të arrijnë në vendet evropiane".

Autor: Refki Alija/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi