Kosova shpalli persona non-grata dy zyrtarë rus | Ballkani | DW | 22.10.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosova shpalli persona non-grata dy zyrtarë rus

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dy zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë, që u shpallën persona non grata, me aktivitetet e tyre kanë cënuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpalli persona të padëshiruar dy zyrtarë rus nga Zyra Ndërlidhëse e Federatës Ruse, që punojnë në Kosovë. Lajmin e bëri të ditur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila më herët tha se i kishte kërkuar Ministrisë së Jashtme t'i shpallte këta persona si të padëshiruar për shkak të asaj që u cilësua: "veprimtari e dëmshme nga ana e tyre, e që ka cënuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

"MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në një njoftim të presidentes Osmani. Sipas presidentes Osmani, "institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, "synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian”.

"Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhet në njoftimin e presidentes.  Tash për tash nuk bëhet e ditur se cilat kanë qenë aktivitetet e këtyre dy zyrtarëve që kanë nxitur autoritetet e Kosovës t'i shpallin persona të padëshiruar.

"I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cënohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”, tha presidentja Osmani.

Disa javë më parë  në veri të Mitrovicës qëndroi një delegacion nga - siҫ u quajt - "Shtëpia Ruse”, ku së bashku me dy ministra të qeverisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq dhe deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq,  ishin të pranishëm gjatë arritjes së një marrëveshjeje të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe delegacionit rus.

Rusia ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë që nga viti 2005, të cilën e pati përuruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.