1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova, problemi më delikat në marrëdhëniet mes Rusisë dhe BE-së

Anila Shuka27 Prill 2007

Mes Rusisë dhe Evropës vazhdon të mos ketë afrim për çështjen e Kosovës. Kjo doli në pah sërish në takimin dyditor të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Natos si dhe në takimin Këshillit Nato/Rusi të enjten dhe të premten në Oslo të Norvegjisë.

https://p.dw.com/p/ArW9
Sergej Lavrov në Oslo
Sergej Lavrov në OsloFotografi: AP

Takimi i ministrave të jashtëm të Natos në Oslo të Norvegjisë e vuri në dukje edhe një herë dallimin thelbësor që ekziston në qendrimin e Rusisë nga njëra anë, dhe të vendeve anëtare të Natos nga ana tjetër, në çështjen e Kosovës. Ministri rus i punëve të jashtme, Sergej Lavrov, nuk heq dorë nga qendrimi i Rusisë kundër një zgjidhje të imponuar për Kosovën. “Kjo është tërësisht e gabuar që Rusia dhe vendet perëndimore të zgjidhin problemin e Kosovës. Kjo është imperialiste. Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet nga vetë palët e involvuara, Prishtina dhe Beogradi dhe ky është parimi i vetëm, mbi të cilin mund të arrihen zgjidhje të qendrueshme.

Kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, por edhe në Palestinë, Qipro, Saharën Perëndimore dhe në vende të tjera, dhe ky është qendrimi i Rusisë, e ne nuk mund ta ndryshojmë,“ tha Lavrov të premten mbas një takimi me ministrin e punëve të jashtme të Norvegjisë Jonas Gar Stoere. Që Rusia nuk pranon as debate të mëtejshme për këtë çështje, kjo doli në pah nga fakti që për Kosovën nuk u diskutua në takimin e Këshillit Nato-Rusi një ditë më parë. Problemi i kërcënimeve ruse për të hequr dorë nga plani evropian për çarmatimin me armë konvencionale ishte tema qendrore e debatit, së bashku me planet amerikane për të ngritur një mburojë antiraketore në vendet e Evropës Lindore.

Rusia e ndjen veten të kërcënuar prej këtyre planeve, njëkohësisht edhe prej atij për zgjerimin e më tejshëm të Natos. Nga pikëpamja evropiane, çështja e Kosovës është më delikatja në axhendën e problemeve mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian, tha ministri italian i punëve të jashtme, Massimo D’Alema. “Rusia duhet ta kuptojë që Kosova është një çështje qendrore për stabilitetin evropian dhe duhet të na ndihmojë që ta zgjidhim, e jo ta lëmë pa zgjidhur.” NATO-ja, e cila është e stacionuar në Kosovë me 16500 ushtarë, është e interesuar që kjo çështje të mos ketë vonesa: “Përndryshe do të përballemi me një proces të pakontrolluar dhe me rreziqe të paparashikueshme”, tha Jaap de Hoop Scheffer, sekretari i përgjithshëm i Natos, në konferencën përmbyllëse për media të premten në Oslo.

Thirrja për zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës kishte bërë më parë edhe ministrja amerikane e punëve të jashtme, Condoleeza Rice. Sipas ministrit gjerman të punëve të jashtme, Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier), këtë radhë amerikanët nuk thanë se kanë ndër mend ta njohin pavarësinë e Kosovës pa u marrë vendim i Këshillit të Sigurimit. Kryetari aktual i Këshillit të Ministrave të BE-së, Shtajnmajer, tha se qendrimi i përbashkët evropian, sipas të cilit nuk duhet të ketë kurrsesi njohje të njëanshme të Kosovës, duhet të jetë marrë në konsideratë edhe nga SHBA/të.”

Ndryshe nga takimi joformal i ministrave të jashtëm të BE-së, që u zhvillua në fund të marsit në Bremen të Gjermanisë, divergjenca për planin e Ahtisaarit nuk u vunë re, megjithëse vendet kryesore që kishin shprehur dyshime, si Spanja, Sllovakia, Rumania a Greqia, janë njëkohësisht anëtare të Natos. Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Walter Steinmeier, që aktualisht është kryetar i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së, kujtoi se BE-ja në momente vendimtare gjithmonë ka vepruar njëzëri: Kolegu sllovak, që në vendin e tij ka probleme, sepse opozita në parlmaent ka një qendrim tjetër, në Këshillin e Sigurimit është sjellë shumë mirë.

Kështu që sa i përket propozimit të Ahtisaarit, në planin evropian gjithçka funksionion për mrekulli”, tha ai. Ministrat diskutuan të premten edhe për çështjen e zgjerimit të mëtejshëm të Natos. Mesazhi i tyre ishte i qartë: Portat e Natos janë të hapura, por biletat nuk janë prerë ende, por nuk dihet se cili nga tre vendet aspiruese (Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia) do të marrin ftesë për në samitin e ardhshëm që do të zhvillohet në prill të 2008 në Bukuresht. Deri në këtë samit, Nato-ja ka ndër mend që t’i mbështesë më fuqishëm përpjekjet e këtyre vendeve për reforma.