Kosova - pjesë e pandashme e Serbisë? | Ballkani | DW | 25.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova - pjesë e pandashme e Serbisë?

Më 28 dhe 29 tetor qytetarët serbë janë thirrur në referendumin për miratimin e kushtetutës. Ndërsa Kosova po përgatitet institucionalisht dhe shpirtërisht për t'u shkëputur nga Serbia, kushtetuta e miratuar një muaj më parë me shpejtësi nga parlamenti serb, e ka deklaruar Kosovën pjesë të pandashme të territorit të Serbisë. Sa realiste është kjo perspektivë?

Parlamenti serb miraton kushtetuten më 30 shtator 2006

Parlamenti serb miraton kushtetuten më 30 shtator 2006

Në kërkim të përgjigjes së kësaj pyetjeje, një organizatë gazetarësh gjermanofonë "Journalist.Network" zhvilloi javën e kaluar një udhëtim në Serbi dhe Kosovë.

Tadiç: Kosova është jo vetëm pjesë e historisë, por edhe e identitetit tonë. Qyetetarët tanë janë përpara reformave më të mëdha në historinë e vendit dhe për këto reforma nevojitet energji e madhe kombëtare. Humbja e Kosovës do të shkaktonte humbje të kësaj energjie. Serbia nuk pretendon të udhëheqë jetën e shqiptarëve në Kosovë, por ajo ka një të drejtë legjitime të ketë ndikim ndaj interesave të serbëve atje, dhe të ruajë integritetin.

Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit në Beograd mendon se çështja e Kosovës po keqpërdoret edhe në dëm të Serbisë:

Biserko: Çështja e Kosovës po manipulohet jashtë mase. Në fakt është Serbia ajo që po del e humbur duke e mbajtur peng Kosovën, e duke shkaktuar kështu mbajtjen në tension të rajonit. Pavarësia e Kosovës do të hapte rrugë për zhvillimin e gjithë rajonit.

Për presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, Serbia ka jo vetëm të drejtë juridike ndaj Kosovës, por edhe morale:

Tadiç: "Sigurisht që ka. Kosova ka qenë një rreth vicioz krimesh jo vetëm në kohën e Millosheviçit, por edhe më parë. Sot ne kemi një imazh të thjeshtëzuar sikur vetëm Serbët e kanë fajin në Kosovë. Ballkani ka qenë gjithmonë arenë krimesh. Unë dëshiroj një epokë të re politike në Ballkan, ku të hyjnë vlera të reja politike dhe morale, e ku të thuhet qartë se kush cilat krime ka bërë në të kaluarën, por ku ofrohen edhe mundësi të reja për të ardhmen. Kosova nuk mund të vazhdojë në këtë gjendje, ajo nuk mund të kthehet më pas, pra, duhet ketë një zgjidhje të re."

Tezën e Tadiçit që në Ballkan të gjithë janë fajtorë e kundërshton aktivistja për të drejtat e njeriut, Biljana Kovaçeviç Vuko, nga Humanitarian Low Center

Kovaçevic-Vuko: "Me kushtetutën e re ata po proklamojnë vazhdimësi me politikën e Millosheviçit dhe kushtetutës së tij dhe politikës së tij që sipas tyre ishte legjitime: "Serbia humbi luftën por ajo nuk u dënua, të gjithë ishin fajtorë." Por, pa shkëputje nga e kaluara nuk do të ketë përparim."

Tadiç thotë se bashkësitë etnike kanë të drejta të garantuara në kushtetutë:

Tadiç: Para së gjithash gjuhët e dy nacionaliteteve do të jenë zyrtare në krahinat ku ato përbëjnë shumicën, madje do të jenë gjuhët kryesore. Shqiptarët në Serbi përbëjnë afro 20 për qind të popullsisë duke përfshirë edhe Kosovën. Ky është një standard evropian. Unë personalisht, si president i Serbisë, angazhohem që secili nacionalitet ta ruajë gjuhën e tij. Unë i kushtoj vëmendje jo vetëm etnive të mëdha, por edhe atyre më të vogla, si ukrainasit, maqedonasit, rusët. Gjuhët e etnive të ndryshme nuk mund të jenë zyrtare në të gjithë territorin, por para së gjithash në ato vende ku jetojnë këto etni.

Për Sonja Biserkon nga Komiteti Helsinkit në Beograd, kushtetuta e re është fitore e politikës së Millosheviçit:

Biserko: "Kam frikë se kjo kushtetutë është pjesë e projektit kombëtar serb, por këtë radhë duke bashkuar shtetin etnik serb. Por gjithashtu mendoj se në këtë moment qëllimi i kushtetutës është prishja e autonomisë së Vojvodinës dhe cementimi i konceptit të shtetit centralist. Sipas mendimit tim, kjo është një fitore e Millosheviçit, kushtetuta e tij në vitin 1990 shënoi fillimin e shkatërrimit të Jugosllavisë, ndërsa tani kushtetuta përmban disa elemente që janë edhe më keq. Ka një sërë ambiciesh që na tregojnë që Serbia ende nuk është një shtet modern."

Referendumi është i vlefshëm në se për të votojnë 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Këtu përfshihen edhe një milionë qytetarë të Kosovës, të cilët tashmë qysh prej 17 vjetësh i kanë bojkotuar zgjedhjet në Serbi.

Tadiç: "Sigurisht, ky është problemi i legjitimitetit të kushtetutës. Unë do të dëshiroja që të gjithë të merrnin pjesë në këtë referendum. Por njoh edhe disa serbë, që nuk duan të marrin pjesë," - shton me buzëqeshje.

E megjithatë ekspertët janë mendimit se kushtetuta e re do të miratohet në referendumin e fundjavës. Tadiç, duhet t'u nënshtrohet zgjedhjeve të reja për të rifituar legjitimitetin si president. Por Serbia ende nuk e ka vendosur se kur do të zhvillohen ato. Kjo zvarritje ka vënë në dilemë sidomos Bashkimin Evropian, për shpalljen e statusit të ri të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu pret që kjo çështje të zgjidhet deri në fund të vitit:

Sejdiu: "Ne mund të themi se dëshirojmë vërtetë të mbyllet një proces i rëndësishëm që ka filluar. Ka qenë një investim i madh ndërkombëtar dhe i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës. Dëshirojmë që kjo storie e përbashkët të mbyllet brenda 2006-ës e të jetë një shembull i mirë po ashtu i hapjes së perspektivave të reja të zhvillimit të Kosovës. Mendojmë se presidenti Ahtisaari do të dalë me propozim konkret, për arësye se është pjekur lënda apo materia që të shkohet në vendimin final. Ka aty këtu zëra që thonë se mund të shtyhet procesi, por mund të shtyhet me pak kohë. Insistimi ynë është që të ofrohet në 2006-ën. Mund t'ju them një argument të rëndësishëm, se Kosova ka shtyrë zgjedhjet e veta të parapara për këtë vit që do të ishin koincidencë me statusin, dhe nuk ka ndonjë arësye të veçantë të priten zgjedhjet në Serbi."

Për këtë qendrim të presidentit Sejdiu, dhe shumicës shqiptare në Kosovë, ka mirëkuptim kryeadministratori i Kosovës, Joahim Ryker:

Ryker: Mbas dhjetë vjetësh shtypjeje në vitet 90 -të, mbas shtatë vjetësh administrimi nga Bashkësia Ndërkombëtare, mbasi para dy vjetësh Kai Aide tha se status-quo-ja është e papranueshme, mbasi Grupi i Kontaktit ka thënë në takimin e tij në Londër në janar, se do të bëjë gjithçka për të arritur një zgjidhje në fund të vitit, dhe mbasi Grupi i Kontaktit në takimin e zhvilluar në shtator në Nju Jork e konfirmoi këtë edhe një herë, nuk kemi pse të çuditemi që kërkesat tani janë të mëdha, dhe nuk mund të thuhet që këto kërkesa janë të shpikura nga vetë shqiptarët. Ato janë pretendime që i ka ngjallur edhe bashkësia ndërkombëtare, e për këtë ka pasur arësye të mira, sepse është e qartë që kjo lloj statuskuoje nuk mund të vazhdojë dhe Kosova duhet të hyjë në një status të ri. Kushtet për këtë janë pjekur. Nga koha e rezolutës në Këshillin e Sigurimit e deri në atë të aplikimit praktik të statusit do kemi një fazë provizore, në të cilën pjesën më të madhe të përgjegjësisë do t'ua kalojmë organeve përkatëse në Kosovë, e pjesën tjetër misionit civil ndërkombëtar që do të vazhdojë të jetë prezent."

Për formën konkrete të statusit, Ryker thotë se nuk është i autorizuar të japë këshilla, por ai u referohet paracaktimeve të Grupit të Kontaktit për mosbashkim me territore të reja, mosndarje të Kosovës dhe moskhtim në statusin para 99-tës, duke theksuar se duhet marrë parasysh edhe vullneti i qytetarëve. "Atë që mbetet mund ta interpretojë kushdo si të dojë," - shton diplomati gjerman.

Shumë ekspertë interpretojnë nga këto paracaktime të Grupit të Kontaktit sovranitet të kufizuar për Kosovën, që do të thotë: moskthim në territorin serb. Atëherë: A mos përbën fiksimi i Kosovës përjetësisht në territorin serb në kushtetutën e re të Serbisë një provokim për Bashkësinë Ndërkombëtare?

Tadiç: "Kjo dë të thotë që ky provokim ka nisur që prej shumë dekada, sepse që në kushtetutën tonë të vitit 1912, Kosova është pjesë e Serbisë. Kosova është pjesë e Serbisë sipas të drejtës ndërkombëtare. Ne jemi duke u përballur me shumë probleme tani, por në anën tjetër ne duhet të nënvizojmë të drejtat tona në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Ne e kemi për detyrë të respektojmë të drejtën ndërkombëtare, e kush do ta bëjë këtë në rastin e Kosovës, në se nuk e bëjmë ne?

  • Data 25.10.2006
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arbg
  • Data 25.10.2006
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arbg
Reklamë