Kosova nuk pranohet në Interpol | Ballkani | DW | 20.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova nuk pranohet në Interpol

Në Asamblenë e Përgjithshme të organizatës Interpol që po mbahet në Dubai, janë mbajtur dy votime lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Por Kosova dështoi në të dy votimet.

Kosova ka dështuar për herë të tretë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Interpol. Ajo po përpiqet prej vitit 2010 që të anëtarësohet në këtë organizatë, por dy herë ka dështuar të futet në rend dite. Kësaj radhe kërkesa e Kosovës është futur në rend dite, por pas dy votimeve dështoi të pranohet në Interpol. Në raundin e dytë dhe vendimtar, për anëtarësimin e Kosovës në Interpol votuan 68 shtete, kundër ishin 51 ndërsa abstenuan 16 sosh. Në raundin e parë për anëtarësimin e Kosovës kanë votuar 76, kundër ishin 56 ndërsa kanë abstinuar 22 vende. Për anëtarësimin e një shteti në Interpol kërkohen dy të tretat e votave.

Mediat njoftojnë se pas dështimit edhe në raundin e dytë delegacioni i Kosovës është larguar nga salla në mënyrë demonstrative. Delegacioni i Kosovës në Dubai, i prirë nga ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, pohonte më parë se Kosova "e ka mbështetjen e duhur për anëtarësim". 

Dështimi i Kosovës ka ardhur pas një fushate të gjërë të Serbisë dhe aleatëve të saj kundër anëtariësimit të Kosovës. Ministri i Brendshëm i Serbisë Nebojsha Stefanoviq i cili gjendet në Dubai në krye të delegacionit serb, tha se organizata Interpol duhet të deklarohet kundër anëtarësimit të "shtetit ë rrejshëm". Në të kundërtën, siç tha ai, të dhënat e kësaj organizate "do të binin në duart e terroristëve".

Organizata Interpol ka 193 anëtarë, ndër to është edhe shteti palestinez, i cili është anëtarësuar, përkundër vullnetit të SHBA dhe Izraelit. 

Reklamë