1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova, neglizhenca e Dejtonit

Anila Shuka21 Nëntor 2005

Gazetat gjermanofone botojnë artikuj të ndryshëm rreth dhjetëvjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit

https://p.dw.com/p/Arsl

"Sueddeutsche Zeitung" (19.11.) mund të lexohet:

"Konferenca e zhvilluar në nëntor të 1995-ës në shtetin amerikan të Ohajos e la jashtë vëmendjes konfliktin e Kosovës. Tani del që kjo ka qenë neglizhencë. Kur negociatori amerikan Riçard Hollbruk shëtiste me pushtetarin serb Sllobodan Millosheviç, shqiptarët kujtonin përtej gardhit me megafonë fatin e krahinës në jug të Serbisë. Holbruku donte të shkonte tek ata, por Millosheviçi ia bëri me dorë, që jo. Presidentin serb nuk e bezdisi askush tjetër me kërkesën e shqiptarëve për pavarësi. ‚Presdienti‘ i Kosovës Ibrahim Rugova nuk arriti ta ndërkombëtarizonte problemin me anë të qendresës paqësore kundër regjimit serb. Atëherë në plan të parë doli "Ushtria Çlirimtare e Kosovës."

Kujtimi dhe bilanci i përzier i paqes së rivënë asokohe në Bosnjë-Hercegovinë nuk të japin shkak për optimizëm para fillimit të bisedimeve për Kosovën."

(...)

"Në Dejton Hollbruku mbeti i çuditur, që kishte tre kabina përkthimi për tre gjuhë, atë serbe, kroate dhe boshnjake, por që në treja dëgjohej e njëjta gjuhë dhe zëri i të njëjtit përkthyes. Megjithatë do të ishte utopi multietnike, sikur fiksimi tek përkatësia etnike do të mund të shmangej me një dinakëri kaq të thjeshtë. Kjo nuk vlen vetëm për Bosnjë-Hercegovinën, por shumë më tepër për serbët dhe shqiptarët në Kosovë. Edhe për shkakun se ata flasin gjuhë krejtësisht të ndryshme. Historia e mosbesimit ndaj njëri-tjetrit është shumë më e gjatë," përmyll korrespondenti i "Sueddeutsche Zeitung" nga Beogradi Bernhard Kueppers.

Në të njëjtën gazetë, komentatori Mark Hoch, shfrytëzon rastin për t’i bërë thirrje perëndimit:

"Jubileu i Dayton-it i ofron perëndimit tashmë mundësinë që të kërkojë reforma të qarta nga qeveria në Sarajevë. Për këtë ai nuk do të mund ta detyrojë Bosnjën, por do t’i duhet t‘i bindë të tre grupet etnike. Shpërblimi për këtë sforcim mund të quhet Evropë. Në dhjetor, Bosnja do të jetë vendi i fundit i Ballkanit perëndimor, që do të hapë bisedime me Brukeslilin për asociim në Bashkimin Evropian. Rruga deri në BE do të jetë shumë e gjatë. Viti 2014, 100-vjetori i Luftës së Parë Botërore, që filloi në Sarajevë, do të ishte një datë e bukur," - përfundon komentatori i Sueddeutsche Zeitung.

Rudolf Gruber, korrespondent i gazetës "Schwaebische Zeitung", në një koment të botuar sot (21.11.) në internet shkruan:

"Kur presidenti amerikan, Klinton, në nëntor të vitit 1995 i ftoi udhëheqësit ballkanikë në Dejton të Ohajos, nuk e bëri as për hir të demokracisë e as për hir të drejtësisë ndaj ish-republikave të Jugosllavisë, që ishin bërë copë-copë nga luftrat dhe që ishin vetëshpallur të pavarura. Klintonit i nevoijtej qetësia në Ballkan para rizgjedhjes si president në vitin 1996. Për këtë i mjaftoi edhe emëruesi më i vogël i përbashkët që mund të arrihej ndërmjet princërve të Ballkanit, Millosheviçit, Tuxhmanit dhe Izetbegoviçit: Përfundimi i luftës," – shkruan autori në artikullin me titullin "Çështja e Kosovës rëndon Ballkanin". "Marëveshja e paqes së Dejtonit dhjetë vjet më parë përfundoi luftrat postjugosllave, po mangësitë e saj po e vështirësojnë deri më sot demokratizimin dhe integrimin evropian të Ballkanit," – konkludon "Schwaebische Zeitung".