1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ndalon hyrjen e mallrave maqedonase

Fatos Musliu9 Shtator 2013

Acarohet mosmarrëveshja tregtare midis Maqedonisë dhe Kosovës. Nga mesnata ka filluar zbatimi i urdhërit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për të mos lejuar hyrjen e mallrave maqedonase në Kosovë.

https://p.dw.com/p/19eAg
Fotografi: DW/Esat Ahmeti

Kamionët, që transportonin gypa të prodhuar në një fabrikë në Gjevgjeli, ishin të parët që u përballën me praktikat e reja kufitare. Ato u detyruan të kthehen prapa nga terminali doganor në Han të Elezit për në terminalin maqedonas në Bllacë, pasi kishin arritur vetëm pak minuta pas hyrjes në fuqi të urdhëresës administrative.

Problemet mes Kosovës dhe Maqedonisë, apo si po e quajnë mediat vendase “lufta tregtare mes dy fqinjëve”, nisën pas një importi të kushtëzuar të miellit dhe grurit, që Shkupi zyrtar ua vendosi prodhuesve kosovarë. Më pas qeveria në Prishtinë miratoi kundërmasat, të cilat kushtëzonin importin e disa produkteve të qumështit nga Maqedonia. Si kundërpërgjigje e kësaj mase qeveria e Maqedonisë vendosi “taksa kufitare” për qytetaret e Kosovës. Sipas këtij vendimi çdo shtetas i Kosovës, që hyn në Maqedoni, ka për obligim të paguajë taksë në vlerë prej 2 euro, 5 euro për makinë dhe 20 euro për kamionë dhe autobuzë. Ky vendim i qeverisë së Shkupit nga Prishtina zyrtare u vlerësua si provokim dhe nxiti vendimin e radhës së Kosovës për të bllokuar hyrjen e të gjitha prodhimeve maqedonase në tregun kosovar.

Tentim për zhbllokimin e situatës

Në tentim për të tejkaluar krizën e importit dhe eksportit të mallrave mes Maqedonisë dhe Kosovës, kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe homologu i tij maqedonas Nikolla Gruevski, kanë zhvilluar një bisedë telefonike për të kërkuar një mënyrë për tejkalimin e situatës së krijuar në vendkalimet kufitare. Dy kryeministrat kanë rënë dakord që së shpejti të realizohet një takim në nivel të ekipeve ministrore të të dyja vendeve, që do të kryesoheshin nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraqini dhe ministrja e Tregtisë së Kosovës Mimoza Kusari-Lila, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dalë nga kjo situatë.

Qytetarët të indinjuar nga taksat kufitare

Aplikimi i taksave kufitare nga pala maqedonase dhe embargoja për mallrat e Maqedonisë nga pala kosovare ka shkaktuar pritje të gjata në vendkalimin kufitar Bllacë, mes Kosovës dhe Maqedonisë. Udhëtarët nga Kosova, që vijnë në Maqedoni, shprehen të revoltuar nga kjo taksë të cilën e vlerësojnë si haraç.

“Kam paguar 10 euro për pesë persona dhe 5 euro për makinën. Nuk mund ta vlerësoj ndryshe vetëm se kjo është një plaçkitje”, thotë Burim Miftari nga Hani i Elezit.

“Këtë nuk e kemi menduar asnjëherë. Nuk është në rregull. Unë po shkoj për kontroll në spital në Shkup, vizitat mjekësore i kam të shpeshta dhe kjo taksë do të më rëndojë buxhetin familjar”, thotë një banor i Ferizajit.

“Kolona e automjeteve në kufi është shumë e gjatë, pothuajse dy orë jam në pritje, kjo është e tepërt. Së paku është dashur një kohë të na informojnë për këto masa të reja në kufi”, thotë Agim Saiti nga Prishtina

“Nuk është në rregull kjo që ndodh mes dy shteteve, ne jemi fqinj, kemi marrëdhënie pune, familjare. Ky nuk është vendimi i duhur. Qytetarët duhet të lëvizin lirshëm”, thotë Agron Emini nga Shkupi.

Reagime për masat e reja në kufi

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka reguar për aplikimin e taksave kufitare. Sipas tyre situata po merr përmasa shqetësuese. Ajo jo vetëm që vazhdon në mënyrë të theksuar të përkeqësojë komunikimin e lirë mes bizneseve të të dyja vendeve, por njëkohësisht ndalon komunikimin dhe lëvizjen e lirë edhe të njerëzve. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkon nga qeveritë e të dyja vendeve të respektojnë kriteret e CEFTA-s dhe parimet bazë të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.

Ministrja e Tregtisë së Kosovës Mimoza Kusari-Lila
Ministrja e Tregtisë së Kosovës, Mimoza Kusari-LilaFotografi: DW/E. Ahmet

Edhe lëvizja ‘Zgjohu!” përmes një reagimi dënon vendimin e qeverisë së Maqedonisë për vendosjen e taksave kufitare për qytetarët e Kosovës.

Shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës gjatë vitit 2012 ka arritur vlerën prej 320 milion euro, prej të cilave 303 milion janë nga eksporti i mallrave të Maqedonisë në Kosovë dhe 17 milion euro janë eksportuar nga Kosova në Maqedoni. Ekspertët thonë se kjo “luftë tregtare”, shkon në dëm të Maqedonisë, e cila në vazhdimësi ka shënuar suficit në shkëmbimin tregtar me Kosovën. Vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti kompanitë nga Maqedonia kanë eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej 160 milionë dollarësh.