Kosova në prag të zgjedhjes së parlamentit të ri | Ballkani | DW | 13.02.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosova në prag të zgjedhjes së parlamentit të ri

Të dielën e 14 shkurtit në Kosovë zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhësve u bëhet thirrje të japin votën për të zgjedhur 120 deputetët e parlamentit të ri.

Kosova këtë të dielë (14.02) voton sërish. Qytetarëve me të drjetë vot u bëhet thirrje të japin votën për të zgjedhur 120 deputetët e parlamentit të ri.

ytetarëve me të drejtë vote u është bërë thirrje për pjesëmarrje në votime të dielën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. 888 qendra votimi do të jenë të hapura në të gjithë territorin e Kosovës. Në këto zgjedhje konkurojnë për 120 vendet parlamentare 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike,  2 koalicione dhe 5 nisma qytetare. 20 mandate sipas kushtetutës së janë të garantuara për pakicat kombëtare  10 nga to për serbët e Kosovës. Lista Srpska është partia më e madhe serbe që merr pjesë në këto zgjedhje. Kryetarja e KQZ, Valdete Daka,  thotë se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa sipas saj, "Kosova tashmë ka traditë në organizimin e zgjedhjeve”.

"Dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor dhe sidomos qytetarët tanë, se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, Ligjeve në fuqi dhe me standardet më të mira ndërkombëtare”, tha Daka. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë të përfshirë shumë mekanizma, siç janë KQZ, Policia e Kosovës, prokuroria e shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.  88 prokurorë 30 gjyqtarë  dhe 40 zyrtarë janë të angazhuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve, thotë prokurorja Laura Pula. "Dua të dal me një mesazh që prokuroria së bashku me policinë do të arrestojnë apo ndalojnë të gjithë zyrtarët që në çfarëdo mënyre ndikojnë në keqpërdorimin e votës së qytetarit të Kosovës”, thotë Laura Pula.

Edhe ambasadorët e shteteve më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, iu bënë thirrje të gjithëve për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt. "Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurtë, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurtë, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, thuhet në një komunikatë të  QUINT.

Partitë kryesore politike që garojnë në këto zgjedhje, kanë kandidatët e tyre për kryeministër, i cili zgjidhet me votat e deputetëve në parlament pas zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosja ka kandidatin e saj Albin Kurti, i cili megjithatë në këto zgjedhje nuk mund të jetë në listën zgjedhore, pasi KQZ nuk e certifikoi atë për shkak të problemeve me ligjin. LDK ka në garë për kryeministër kandidatin Avdullah Hoti, kryeministri aktual në detyrë. PDK konkuron me Enver Hoxhajn, që tashmë udhëheq partinë, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, i cili në Gjykatën Speciale po përballet me akuzat për krime lufte. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, iu bashkua listës Vetëvendosja dhe synon postin e presidentes. Të njëjtin post e synon edhe Ramush Haradinaj i AAK-së. Sfida e parë e parlamentit të ri do të jetë zgjedhja e presidentit, i cili më pas duhet ta propozojë formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në sallë e dy të tretave të deputetëve dhe nëse kjo nuk mund të arrihet në  tre  raunde, atëherë vendi sërish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u votua më 3 qershor, pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, që në zgjedhjet e fundit doli partia e parë. Qeveria Kurti u rrëzua me një mocion  mosbesimi që u ngrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte partner i koalicionit me Vetëvendosjen. Ndërsa vet qeveria Hoti u rrëzua në dhjetor të vitit që shkoi me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila zgjedhjen e saj e cilësoi jo kushtetuese për shkak të një vote të një deputeti që ishte i dënuar dhe sipas gjykatës nuk kishte të drejtë vote.    

Fushata zgjedhore për këto zgjedhje që mbahen me 14 shkurt ishte vetëm 10 ditë. Ajo kaloi e qetë pa asnjë incident, por partitë politike në tubimet  e tyre nuk respektuan masat anti-COVID-19. Vetëm në Prishtinë autoritet shqiptuan 11 gjoba për subjektet politike, të cilat nuk respektuan masat anti-COVID-19. Masat më së shumti u shkelën nga partitë kryesore politike që në legjislaturën e kaluar vet miratuan ligjin anti-covid dhe masat për mbrojtje kundër virusit.  

Në këto zgjedhje pritet të votojnë një numër më i madh i qytetarëve edhe nga diaspora. Sipas KQZ-së, 102.100 qytetarë  janë regjistruar dhe verifikuar për të votuar. Kësaj radhe vëzhgues ndërkombëtar do të ketë vetëm nga ambasadat e huaja në Kosovë, ndërsa numrin më të madh të vëzhguesve mbi 600 e kanë rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.