1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova konflikt i ngrirë?

Bekim Shehu19 Mars 2008

Reagime nga politika kosovare pas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku zhvillimet në veri të Kosovës shihen si rrezik potencial për ndarjen e Kosovës.

https://p.dw.com/p/DRBw
Ura simbol në MitrovicëFotografi: DW/Sand

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës për të mohuar rrezikun e ndarjes mbështeten në pohimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila disa herë e ka bërë të qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Vështirësitë që kanë institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë për shtrirjen e ndikimit në pjesën veriore të Kosovës kanë të bëjnë me situatën e tensionuar që po mbretëron në këtë pjesë nga protestat e vazhdueshme të serbëve, janë të mendimit përfaqësuesit e Kosovës. Sipas tyre shumë shpejt këto mekanizma do të operojnë edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Komentet e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës bëhen pas publikimit të raportit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, ku thuhet se zhvillimet në veri të Kosovës janë një rrezik real që Kosova të ndahet në lumin Ibër në Mitrovicë dhe në këtë kuadër Kosova të bëhet edhe një konflikt i ngrirë. Hajredin Kuqi, zëvëndëskryeministër i Kosovës është i mendimit: "ne duhet të funksionojmë në kohën e bashkëpunimit në kohën e kooperimit dhe kurresesi në kohën e konfrontimit. Koha e ndarjeve etike dhe koha e ndarjeve të teritoreve të reja tashmë ka marë fund dhe në raport me Kosovës kjo duket e pa imagjinueshme".

Në të njëjtën linjë shprehet edhe presidenca e Kosovës e cila hedh poshtë mundësinë e ndarjes. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, përmend se lojërat e Serbisë tashmë dihen. Ky vend e ka bërë të qartë se po luan kartën e njohur për ndarjen e Koosvës.

Xhavit Beqiri: "Kjo u dëshmua dy ditë më parë kur serb protestues të nxitur nga Beogradi, vranë një polic ndërkombëtare dhe plagosën dhjetëra të tjerë. Pra, Serbia do të bëjë cështë e mundur që ta minojë stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë"

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e tij, konstaton se vetëm njohja e pavarësisë së Kosovës nga më shumë shtete, mund ta parandalojë mundësinë e ndarjes. Kosovën si shtet të pavarur një muaj pas shpalljes së pavarësisë, e kanë njohur zyrtarisht 28 shtete, ndërsa ajo është në pritje të njohjes nga vende tjera. Kryeministri Hashim Thaqi, thotë se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës është në binarët e duhur.