1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për energjinë

21 Qershor 2022

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për energjinë në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

https://p.dw.com/p/4D2Mv
Hochspannungsleitungen in Finnland
Fotografi: Nukari/Lehtikuva/dpa/picture alliance

Tani e tutje qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe do të paguajnë faturat e energjisë elektrike të shpenzuar, fatura që ata nuk i paguajë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi,  tha pas arritjes së pajtimit se "Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës".

"Për normalizimin e plotë të faturimit të energjisë në veri janë parashikuar 90-100 ditë", tha ai. Sipas marrëveshjes parashikohet që Zyra e Rregullatorit për Energjinë e Kosovës (ZRRE), t'i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës. Elektrosever është kompani me pronësi serbe, e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjeve të Kosovës.

Kosovo Stadt Zvecan
Në katër komunat veriore të Kosovës do të bëhet faturimi i energjisë elektrike Fotografi: ARMEND NIMANI/AFP/Getty Images

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina ka refuzuar të flasë për energjetikën dhe se Beogradi e ka "detyruar” atë jo vetëm të flasë, por edhe të pajtohet për këtë çështje. Udhërrëfyesi përfshin sipas tij një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët. Sipas Petkoviqit pas kësaj marrëveshjeje është hapur rruga edhe për bisedime për formimin eAsociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, çështje kjo që Prishtina zyrtare e refuzon në mënyrë kategorike.

Lajçak: Një hap i madh përpara

Bashkimi Evropian e përshëndeti marrëveshjen për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. BE-ja i inkurajoi të dyja palët që të bëjnë në këtë frymë të bëjnë përparime të mëtejshme për të gjitha çështjet e tjera të pazgjidhura.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se ky  "është një hap i madh përpara".

Marrëveshja për energjinë ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015. BE-ja do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, tha në reagimin e tij se ky është një hap i rëndësishëm për dialogun.  Për këtë çështje Borreli tha se kishte biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Deutschland Diplomatie l Lajcak, Kurti und Vucic in Berin
Miroslav Lajçak, Albin Kurti dhe Aleksandar VuçiqFotografi: Pressestelle der Deutschen Bundesregierung

"Fola me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për t'i uruar ata për arritjen e marrëveshjejes mbi udhërrëfyesin e energjisë sot. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”, shkroi Borrel.

Marrëveshjen për energjinë e përshëndeti edhe qeveria gjermane. Sipas  zëdhënësit Steffen Hebestreit Gjermania i mbështet plotësisht hapat e ardhshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Urime kryenegociatorëve të Serbisë dhe Kosovës dhe Miroslav Lajčákut! Siç ka nënvizuar kancelari Olaf Scholz gjatë udhëtimit të tij të fundit në rajon: Gjermania mbështet plotësisht hapat e ardhshëm drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Hebestreit në Twitter.