Kosova dhe Maqedonia e Veriut riatdhesojnë familjarë dhe luftëtarë të ISIS | Ballkani | DW | 19.07.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosova dhe Maqedonia e Veriut riatdhesojnë familjarë dhe luftëtarë të ISIS

Gjatë fundjavës Kosova dhe Maqedonia e Veriut riatdhesuan mbi 30 qytetarë, familjarë dhe ish-luftëtarë të shteti islamik ISIS, që kanë qenë prej vitesh në zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Në mesin e të kthyerve 11 qytetarë janë nga Kosova që kanë qëndruar në zonat e luftës në Siri. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, tha se duke riatdhesuar këta persona, Kosova ushtron përgjegjësinë, jo vetëm ndaj qytetarëve kosovarë, por edhe si anëtare e  koalicionit global për të mposhtur ISIS-in.

"Një grua dhe fëmijët që kemi kthyer  kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë nevojë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre”, shkroi ministri Svecla, duke rikujtuar megjithatë se, ata që kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht.

Riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga Siria e përshëndeti ambasada amerikane në Kosovë, duke thënë se "Kthimi i këtyre shtetasve demonstron vullnetin e Kosovës që të marrë përgjegjësi për shtetasit e saj, teksa jep shembull edhe për të tjerët. Kosova është udhëheqëse në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”.

Rreth 400 qytetarë të Kosovës përkrah ISIS-it

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah ISIS-it. Sipas njoftimeve të autoriteteve kosovare të sigurisë, mbi 70 vetë kanë humbur jetën në ato luftime, ndërsa shumë pre tyre janë kthyer.

Megjithatë autoritetet mendojnë se në zonat e konfliktit kanë mbetur edhe më tej luftëtarë, gra dhe fëmijë nga Kosova. Deri tash autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë ngritur akuza dhe kanë dënuar mbi 50 vetë për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Maqedonia e Veriut nis hetimet

Edhe në Maqedoninë e Veriut gjatë fundjavës u riatdhesuan katër pjesëtarë të ISIS-it dhe familjarët e tyre. Qeveria e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se katër personat e riatdhesuar ishin luftëtarë terroristë që luftuan në Siri dhe Irak dhe pesë gra e 14 fëmijë, familjarë të tyre.

"Procesi i kthimit të tyre në atdhe është bërë në bazë të zotimeve të Maqedonisë së Veriut që dalin nga e drejta ndërkombëetare, ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke njoftuar se "ndaj katër luftëtarëve të organizatës terroriste "Shteti Islamik” janë ngritur aktakuza përkatëse mbi bazë të të dhënave të siguruara nga Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme dhe Byroja e saj për Siguri Publike në bashkërenditje me Agjencinë për Sigurinë Kombëtare”.

Sipas qeverisë së Maqedonisë së Veriut shërbimet përkatëse do të mbledhin të dhëna mbi pjesëmarrjen e mundshme të të kthyerve në atdhe në vepra kriminale, për çdo rast veç e veç. Tash për tash, familjet e katër luftëtarëve të ISIS-it, do të vendosen në karantinë 14- ditëshe.

Fenomen global i nxitur nga kushtet lokale

Kosova është rreshtuar përkrah aleancës globale kundër terrorizmit të udhëhequr nga SHBA që nga viti 2015. Në po të njëjtin vit Kuvendi i Kosovës miratoi edhe ligjin, me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.

Imam von Großer Moschee in Prishtina festgenommen

Momenti i arrestimit të imamit të Xhamisë së Madhe të Kosovës në vitin 2017

Në Kosovë u krye në vitin 2017 një valë masive arrestimesh pasi Prokuroria Speciale e Kosovës hapi hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë, arrestoi mbi 40 nga ata që ishin pjesë apo kishin lidhje me të ashtuquajturin "Shteti Islamik".

Por, si e kanë shpjeguar sociologët fenomenin e pjesëmarrjes së të rinjve kosovarë në luftërat në Lindjen e Mesme?

Artan Muhaxheri, sociolog, është shprehur në një intervistë për DW-së se pjesëmarrja e të rinjve përkrah organizatës terroriste të IS-it është një fenomen global dhe edhe Kosova nuk është imune ndaj këtij fenomeni.

Sipas Muhaxherit, arsyet pse të rinjtë kosovarë i bashkohen IS-it, janë brishtësia e institucioneve të sigurisë, sistemi i dobët arsimor dhe papunësia e madhe në Kosovë. Sipas Muhaxherit funksionimi i dobët të organeve të sigurisë për faktin se Kosova është një shtet ri dhe pa përvojë në sistemin vetanak të sigurisë, është po ashtu një arsyet e rëndësishme.

"Një aspekt tjetër është edhe sistemi i dobët arsimor, sepse ekziston edhe një inflacion në institucionet private të arsimit, por edhe kualiteti i dobët i arsimit, prandaj këta të rinj nuk i marrin bazat e fuqishme të arsimit, të kulturës dhe të shkencave dhe bëhen me lehtësi prehë e indoktrinimit fetar të udhëheqësve fetarë, të papërgjegjshëm dhe ekstremistë”, shpjegon sociologu Artan Muhaxheri.