1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova baraz me Hong-Kongun nënkupton vetëm zvarritje

Bekim Shehu6 Nëntor 2007

Analistët në Kosovë mendojnë se propozimi i palës serbe për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas modelit të Hong Kongut, është vetëm një përpjekje për ta zvarritur procesin.

https://p.dw.com/p/C0yN
Pamje nga qyteti i Prishtinës
Muzeu Kombëtar dhe Xhamia e vjetër, PrishtinëFotografi: DW/ Pandeli Pani

Qëndrimi i fundit i autoriteteve të Beogradit, të cilat ofruan zgjidhje për Kosovën sipas modelit të Hong Kongut, për analistët kosovarë përbën vetëm një risi në procesin e negociatave shtesë ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe dhe asgjë më shumë. Analistët thonë se sa më afër përfundimit të negociatave deri më 10 dhjetor, pala serbe do të bëjë propozime të ndryshme në mënyrë që të tregojë se ka mundësi për zgjidhje kompromisi.

Palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet

Ilir Dugolli, analist i pavarur, thotë se takimet e njëpasnjëshme që po ndodhin ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, janë pothuaj të gjitha në të njejtën linjë, shprehen ide, bëhen propozime, por ajo që tashmë dihet është, se palët që nga minuta e parë nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Pala kosovare kërkon pavarësi, ndërsa, pala serbe e kundërshton atë.

Pala kosovare do të vazhdojë përpjekjet

Të bindur se nuk ka asnjë mundësi pë të arritur ndonjë marëveshje me palën serbe, negociuesit e Prishtinës thonë, se do të vazhdojnë angazhimet e tyre deri në përmbyllje të procesit të drejtuar nga treshja e grupit të kontaktit. Pas këtij procesi, ata presin një vendim të shpejtë për statusin e Kosovës. Ditëve të fundit që të gjithë udhëheqësit kosovarë kanë theksuar qëndrimin se nuk do të presin gjatë pas 10 dhjetorit për të shpallur pavarësinë e Kosovës. Për analistët kosovarë ndërkaq, nuk është shumë e qartë nëse kjo është shprehje reale e unitetit të tyre, apo edhe pjesë e fushatës për zgjedhjet e 17 nëntorit, të cilës ata do të mund t'i kthehen, pa u penguar nga procesi për statusin që pritet të vazhdojë edhe pas këtyre zgjedhjeve.

Çfarë ishte modeli i Hong- Kongut?

Dje në bisedimet e drejtëpërdrejta mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica, paraqitën si propozim që statusi i Kosovës të zgjidhet sipas modelit të Hong Kongut. Modeli nënkupton ekzistencën e kornizës së përbashkët kushtetuese, ku pjesët e vendit mund të qeverisin me vetveten, por nën një kulm të përbashkët. Palët nuk mund të ndryshojnë me vendime të njëanshme asgjë që është në kundërshtim me kushtetutën dhe parimet e sovranitetit. Dy kufijtë e jashtëm janë të paprekshëm. Dhe veprimi i forcave të sigurisë mund të jetë vetëm lokal, për qëllimet e ruajtjes së paqes dhe rendit.