Kosovë: Zgjedhjet parlamentare më 6 tetor | Ballkani | DW | 26.08.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: Zgjedhjet parlamentare më 6 tetor

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori vendim që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më datën 6 tetor.

"Duke u bazuar nё pёrgjegjёsitё kushtetuese dhe ligjore, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka marrё vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës tё mbahen mё 6 tetor 2019”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më tej, "Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës sё Kosovës të ndërmarë tё gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës sё Kosovës, nё përputhje me kёtё vendim dhe legjislacionin nё fuqi”, thuhet nё mё tej nё vendimin e presidentit.

Vendimi që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen me datën 06.10, presidenti e mori vetëm pak orë pasi dekretoi shpërndarjen e Legjislaturës sё VI-tё tё Kuvendit tё Republikës sё Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet duhet të zhvillohen jo më larg se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit. Në dekretin e tij, presidenti tha, se "Ky ёshtё edhe një test shtesë për forcimin e demokracisë nё Kosovë, tё cilin institucionet, subjektet politike dhe qytetarët do ta kalojnë me shumë sukses”, shkruan Hashim Thaçi.

Shpërndarja e Kuvendit ndodhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt me shumë se një muaj më parë nga posti i kryeministrit, pasi ai u ftua nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në cilësinë e të dyshuarit. Që nga shpërndarja e Kuvendit, subjektet politike tashmë kanë filluar të zyrtarizojnë koalicionet parazgjedhore. Dy koalicione janë krijuar ndërkohë, ai ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e dretjuar nga Ramush Haradinaj dhe Partisë Socialdemokrate dhe tjetri ndërmjet Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re të biznesmenit Behxhet Pacolli. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende është në bisedime që të hyjë në koalicion me lëvizjen Vetëvendosja, mirëpo një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur. Partia Demokratike e Kosovës, (PDK), si duket do të garojë e vetme në këto zgjedhje, ndonëse nuk e përjashton mundësinë e koalicioneve pas-gjedhore. Zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në Kosovë, nga analistët po cilësohen si shumë të rëndësishme, ku qeveria e re pritet të përballet me shumë sfida ndër të cilat edhe me dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, shpërndarjen e parlamentit e cilësoi hap të rëndësishëm drejt krijimit të qeverisë së re, duke kërkuar "një fushatë, në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedime me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik, që do të siguronin se Kosova nuk humb më shumë kohë në ndërtimin e një baze për të ardhmen e saj”.