Kosovë: Thaҁi dhe Haradinaj qendrime të ndryshme për korgjim kufiri | Ballkani | DW | 08.08.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Thaҁi dhe Haradinaj qendrime të ndryshme për korgjim kufiri

Thaҁi: Përmes paqes mund të korigjohet kufiri. Haradinaj: Kufijtë ndërrohen vetëm me luftë. LDK, do të kërkojë mendim të Gjykatës Kushtetuese për deklaratat e "pamatura" të Thaҁit për korgjim kufiri me Serbinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҁi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë qëndrime të ndryshme sa i përket korgjimit të kufirit me Serbinë. Presidenti vazhdon të kembëngulë për korgjim të kufirit me Serbinë, përrkatësisht siҁ thotë ai "që tri komunat e banuara me shqiptar në jug të Serbisë t'i bashkohen Kosovës", ndërsa, thotë se në këtë proces nuk ka ndarje të Kosovës dhe as autonomi për serbët.

"Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim territori dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit dhe njohje e anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë. Synimi im nuk është ndryshimi i kufijve është korrigjim i tyre. Kemi diku 400 kilometra kufi me Serbinë që duhet të ndodhë si demarkim mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë", tha Presidenti Thaçi ne një konferencë për medie.

Presidenti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, por duke respektuar marrëveshjen e Brukselit, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke paralajmëruar vështirësi në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

"Askush nuk do të vijë as në Kosovë e as në Serbi që t'i rregullojë punët dhe se sa më parë që të ndodhë pajtimi, aq më parë do të ketë integrim në Bashkimin Evropian. Prandaj, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe përgjegjshëm karshi interesave të qytetarëve duke respektuar të kaluarën e hidhur që kemi mes vete, duke mos e harruar, por le të ndodhë pajtimi dhe le të ndodhë mirëkuptimi, fqinjësia dhe e ardhmja evropiane e sigurtë", tha presdenti Thaçi.

Por, nga ana tjetër është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ,të cilit nuk po i pëlqejnë deklaratat e presidentit për korgjim të kufirit Kosovë-Serbi. Haradinaj tha të merkurën (08.08) gjatë një vizite në Vlorë të Shqipërisë, se për të "hapja e temave të kufijve është e papranueshme”.

"Luftërat kanë qenë tragjike në të kaluarën dhe realiteti i sotëm është krejt rezultat i atyre epilogëve të atyre luftërave. Ne duhet të konsolidojmë arritjet tona, pra Shqipëria, Kosova e kudo që jemi shqiptar, por hapja e temës së kufijve është e papranuar për mua. Ajo është një retorikë politike. Beogradi bën një retorikë, Prishtina nga ana tjetër bën një kundër retorikë, kundërpërgjigje. Në fund kufijtë ju e dini nuk lëvizin me fjalë", tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, është edhe partia më e madhe opozitare, e cila po e kundërshton presidentin në idetë e tij për korgjim kufiri dhe në këtë linjë LDK, do të kërkojë mendim të Gjykatës Kushtetuese për deklaratat - siç thotë - " të pamatura të Presidentit Thaçi”. Nëpërmjet një komunikate për medie pas një mbledhjeje të kryesisë së kësaj partie, thuhet se "çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”.

"Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i vendit ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cënuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ndërkohë, së fundi në debatin për retorikën Prishtinë-Beograd, lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi, u përfshi edhe administrata amerikane. Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë "që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin”, citojnë mediet në Prishtinë, departamentin amerikan të shtetit.