Kosovë: Opozita e (pa)koordinuar kundër idesë për korrigjim kufijsh | Ballkani | DW | 25.09.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Opozita e (pa)koordinuar kundër idesë për korrigjim kufijsh

Partitë politike opozitare në Kosovë po përpiqen të bashkërendojnë veprimet kundër idesë së presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh dhe kundër kryeministrit Haradinaj që të qeverisë vendin.

Ndërkohë që udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës po ndodhen në Nju Jork, ku po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, partitë opozitare po bëjnë përpjekje që me protesta dhe mocione të kundërshtojnë qëndrimin e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit Kosovë-Serbi, përkatësisht me mocion mosbesimi ta rrëzojnë qeverinë Haradinaj. Presidenti Thaçi para udhëtimit për një Nju Jork, tha se idenë e tij për korrigjim kufiri do të përpiqet ta prezantojë para administratës amerikane. Në Nju Jork gjendet edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por ky i fundit nuk e mbështet idenë e ndryshimit të kufijve. Partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbajti një mbledhje të kryesisë ku u shpreh shqetësimi që sipas LDK-së, "dy udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës udhëtojnë për në SHBA me dy agjenda shtetërore".

"I kemi përcjell me kujdes sidomos këto veprimet e fundit dhe na vije keq që njëri përfaqësues i institucioneve të vendit, presidenti shkon për të biseduar korrigjim kufijsh e kryeministri shkon për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, këto janë vlerësime dhe veprime mish-mash të institucioneve të vendit, të cilat duhet të ndalen sa më parë. Unë e kam thënë edhe në disa raste tjera që kjo qeveri tani është e shpartalluar dhe duhet të bëhemi bashkë si opozitë dhe ne do i bashkërendisim veprimet tona si LDK deri në rrëzimin e qeverisë", tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Partia tjetër opozitare lëvizja Vetëvendosja për të shtunën  (29.09) ka thirrur për protestë qytetare kundër idesë së Presidentit për korrigjim kufijsh por edhe kundër qeverisë Haradinaj. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, vazhdon të këmbëngulë që "Presidenti Thaçi duhet ndalur që të bëjë pazare me territor".

"Ideja e korrigjimit të kufijve në dialogun Kosovë-Serbi, ku presidenti i Kosovës Hashim Thaçi merr pjesë pa mandat nga Kuvendi e pa ekip gjithëpërfshirës nuk është asgjë tjetër pos pazare e aventurë e tij personale. Me këto sjellje presidenti po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë", thotë Albin Kurti, duke përsëritur që "protesta qytetare paqësore është e nevojshme".

Protestës së thirrur nga Vetëvendosja nuk do t'i bashkohet partia opozitare LDK, por megjithatë, kjo parti nuk e përjashton mundësinë e protestave, por në një kohë tjetër.

"Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është kundër shprehjes së vullnetit të qytetarëve qoftë edhe përmes protestave, mirëpo ne si kryesi nuk e kemi vlerësuar se është momenti i duhur që ne ta thërrasim anëtarësinë e LDK-së për protesta për arsye se mendojmë se na kanë mbetur edhe dy tri veprime që duhet të realizohen brenda institucioneve dhe pastaj për ne është hapi i fundit protesta, të cilën nuk e përjashtojnë, por nuk do i përgjigjemi ftesës së Vetëvendosjes", thotë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Sidoqoftë, debati rreth mundësisë së korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, ide kjo e Presidentit Hashim Thaçi ka polarizuar skenën politike kosovare, ndërsa, hapur me qëndrime të ndryshme shfaqen Presidenti dhe kryeministri Haradinaj. Ky i fundit tha në një emision televiziv para se të nisej për në Nju Jork, se është kundër idesë së ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Kufijtë që i kanë vendosur çizmet ushtarake vetëm çizmet i garantojnë. Nuk lejoj të preken kufijtë tanë", tha Haradinaj. E duke ju referuar deklaratës së kryeministrit, presidenti Thaçi tha, se "ata që po flasin për luftra, nuk jam duke i penguar, kush të ketë qejf le ta nisë ku të dojë. Luftrat nuk zhvillohen në emisione televizive por në istikame", tha Thaçi.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian filloi në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 u nënshkrua një marrëveshje bazë për përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi, ndërsa tash të dy presidentët edhe Thaçi edhe Vuciq, janë dakorduar që ky dialog të hyjë në fazën finale. Kjo për faktin që edhe Kosova edhe Serbia synojnë të jenë pjesë e BE-së. E për këtë kushti është një marrëveshje Kosovë-Serbi, ligjërisht e obligueshme për të dyja vendet.

 

Reklamë