1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kurti heq tarifën 100% për lëndën e parë nga Serbia

Bekim Shehu
21 Mars 2020

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vetëm me ministrat e tij dhe të pakicave, pa ministrat e LDK-së, mori vendim për heqjen e tarifës për lëndën e parë nga Serbia. Por qeveria Kurti mund të rrëzohet brenda katër ditësh.

https://p.dw.com/p/3ZqGM
Kosovo Premierminister Albin Kurti PK in Pristina
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me një vendim të qeverisë mbrëmë vonë, hoqi tarifën 100% për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kurse nga data 1 prill, tarifa 100% zëvendësohet me masa të reciprocitetit të plotë. Në një mbledhje të qeverisë të mbajtur në distancë dhe pa përfshirjen e partnerit të koalicionit LDK, kryeministri Kurti, shkroi se në facebook se "vendimi u mor me 10 vota për dhe dy abstenime në mbledhjen e qeverisë”. "Sonte, nga ora 24:00 (mesnata e ditës së premte) do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për importimin e lëndës së parë.Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerr një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100 për qind”, shkroi Kurti në profilin e tij social. Asnjë reagim nuk ka deri tash nga Serbia.

Kosovo Regierungsbildung Albin Kurti und Isa Mustafa
LDK ka dërguar ndërkohë në Kuvend mocionin e mosbesimit për qeverinë KurtiFotografi: Getty Images/AFP

Për SHBA vendimi i pamjaftueshëm

Këtë vendim Kurti e kishte paralajmëruar edhe më herët me 26 shkurt, por kishte thënë se po e kërkon edhe pajtimin e partnerit të koalicionit LDK-së. Kjo e fundit kërkonte heqjen e tërësishme të tarifës ndaj mallrave të Serbisë ashtu si po kërkon edhe SHBA. Mediet në Prishtinë shkruajnë se edhe pas vendimit të kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës për lëndën e parë serbe, SHBA e konsideron të pamjaftueshëm këtë vendim, madje duke e cilësuar si një vendim të Kurtit për të blerë kohë. SHBA-të e përsëritën qëndrimin se tarifa ndaj mallrave të Serbisë duhet të hiqet plotësisht, sepse ajo po dëmton ekonominë e Kosovës.

Vendimin për heqjen e tarifës vetëm për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e partisë së tij dhe të pakicave, e mori në kohën kur tashmë partneri i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka dorëzuar në Kuvend mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti. Ky mocion u bë pasi kryeministri Kurti e shkarkoi ministrin e Brendshëm Agim Veliu që vjen nga LDK pa konsultuar partnerin e koalicionit, dhe për shkak që sic thotë LDK, "Kurti ka rrezikuar në masë të madhe marrëdhëniet me SHBA-së”.

Reagime nga opozita

Nga ana tjetër ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, qeveria e të cilit në nëntor të vitit 2018 e vendosi tarifën 100% për mallrat e Serbisë, e kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti për heqjen e tarifës për lëndën e parë që vjen nga Serbia. "Qeveria në largim nuk mundi të ikë pa e hequr taksën! Në pikën 1 hiqet taksa për lëndën e parë kurse në pikën 3 të vendimit obligon veten për heqje të plotë të taksës me 1 prill. Me këtë e zhvlerësoi kundërvlerën për marrëveshjen finale dhe e humbi plotësisht kreditin te partnerët ndërkombëtarë, e posaçërisht te SHBA-ja. Ashtu si e kishte fillimin e turpshëm, Qeveria në ikje gjithashtu po largohet me turp”, shkroi në profilin e tij social Haradinaj, i cili vazhdon të këmbëngulë që tarifa ndaj mallrave të Serbisë duhet të mbetet 100%.

Kosovo | Regierungsschef Ramush Haradinaj tritt zurück
Fotografi: picture-alliance/dpa/AA/E. Keci

Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) pjesë e shoqërsë civile, në një deklaratë për medie, thotë ta ketë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen të tarifës ndaj lëndës së parë nga Serbia. "Tarifa 100% është në kundërshtim të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes Stabilizim-Asocimit (MSA). Vendimi i sotëm siguron që Kosova të respektojë obligimet që burojnë nga procesi integrues, avancon bashkëpunimin rajonal dhe krijon mjedis të nevojshëm politik për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës§, thuhet në deklaratën për medie të EPIK.

Sidoqoftë, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, mund të jetë qeveria më jetëshkurtër në historinë e pasluftës. Kjo për faktin që tashmë partneri i koalicionit në qeverinë Kurti LDK-së e ka dorëzuar në Parlament mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti. Mocionin e kanë mbështetur edhe tri partitë politike opozitare, Partia Demokratike e Kosovës PDK, e udhëhequr nga Kadri Veseli, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK e Ramush Haradinajt dhe Nisma Social Demokrate e udhëhequr nga Fatmir Limaj. Sipas Kushtetutës së Kosovës kur një mocion mosbesimi për qeverinë dorëzohet në Kuvend, brenda dy deri në pesë ditë ai duhet votuar në Parlament. Mocioni i mosbesimit i inicuar nga LDK, u dorëzua në parlament ditën e premte datë (20.03) dhe mocioni duhet dalë për votim më së largu deri ditën e mërkurë, nëse në ndërkohë, nuk ka tërheqje të mocionit nga nismëtari në këtë rast të LDK-së.