Kosovë: KQZ Certifikon subjektet politike për zgjedhjet | Ballkani | DW | 10.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: KQZ Certifikon subjektet politike për zgjedhjet

BE-ja do të monitorojë zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga partitë politike përfaqësim më të madh të grave në listat zgjedhore.

21 parti politike, 4 koalicione parazgjedhore gjithsej janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të konkuruar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor, njoftoi KQZ. Katër subjektet më të mëdha politike, LDK, PDK lëvizja Vetëvendosja dhe AAK-PSD, tashmë kanë hartuar listat e kandidatëve për deputet dhe të nominurarit për kryeministër. LDK synon postin e kryeministrit me kandidaten Vjosa Osmani. PDK, ka kandidatin, kryetarin e saj Kadri Veseli, ish-kyetar i kuvendit. Lëvizja Vetëvendosja garon për kryeministër me kryetarin e saj Albin Kurti, dhe koalicioni AAK-PSD me kandidatin Ramush Haradinaj, që udhëhoqi qeverinë gjatë dy vjetëve të shkuara. Në garë do të ketë edhe parti të serbëve të Kosovës, ndërsa, më e madhja në garë është lista "Srpska”.

Zgjedhjet për Parlamentin e Kosovës, që mbahen më 6 tetor, do të vëzhgohen nga Bashkimi Evropian, pas një kërkese që presidenti i Kosovës i ka bërë këtij mekanizmi ndërkombëtar.

"Ata kanë pranuar me kënaqësi të vëzhgojnë zgjedhjet dhe të kemi një mision vëzhgues në të njëjtin format siç e kemi pasur”, ka thënë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, duke bërë të ditur se po ashtu misioni i OSBE-së, do të mbështesë me këshillim procesin zgjedhor në veri të Kosovës.

E Bashkimi Evropian, përkatësisht shefja e BE-së për politikën e Jashtme Federika Mogherini, përmes një letre i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Thaçi për dërgimin e një misioni evropian, i cili do të vëzhgojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit.

"Do të doja t'ju falënderoj për letrën tuaj të datës 26 gusht 2019, duke e ftuar Bashkimin Evropian që t'i vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor. Pas ftesës suaj, unë kam marrë vendim për të dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve”, thuhet në letrën e përfaqësues së lartë të BE-së, Frederica Mogherini. Ajo njofton se shumë shpejt do ta emërojë kryesuesin e këtij misioni, derisa stafi i tij pritet të vijë në ditët e ardhshme në Kosovë.

Zgjedhjet e 6 tetorit do të monitorohen edhe nga një rrjet i madh i organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile "Demokracia në Veprim (DnV).

Sipas DnV-së çështja e parë që kërkon vëmendje të menjëhershme nga subjektet politike është nominimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), duke respektuar parimin e barazisë gjinore.

"Të dhënat nga zgjedhjet e kaluara parlamentare tregojnë se partitë politike kanë nominuar vetëm 25 gra (ose rreth 9%) nga 263 anëtarë të KKZ-ve, në mbi 40% të komunave nuk kanë pasur asnjë grua në përbërje të KKZ-ve ndërsa vetëm katër nga 38 KKZ janë udhëhequr nga gratë”, thuhet në një njoftim të DnV. Shoqëria civile kërkoi që në listat e kandidatëve për deputet subjektet politike përfundimisht të garantojnë zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore duke aplikuar kuotën gjinore 50% në listat e tyre zgjedhore dhe të sillen konform parimeve bazë të demokracisë. "Pjesëmarrja e barabartë e grave në politikë, është një ndër elementet kyçe të demokracisë e cila mundëson zhvillim juridik dhe social të shoqërisë. Kuota gjinore prej 30% për listat e kandidatëve ka rezultuar në përfaqësimin më të madh të grave, pa pasur nevojë për kuotë gjinore. Gjegjësisht, në legjislaturën e pestë, 20 nga 39 gratë deputete nuk kishin nevojë për kuotë për t'u zgjedhur”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Mirëpo si duket subjektet politike nuk dëgjuan këshillën e shoqërisë civile. Tashmë ato kanë publikuar listat e kandidatëve për deputet dhe asnjë nga listat nuk kalon kuotën e 30% të përfaqësimit të femrave në këto lista.

"Në legjislatura e VI-të nga 38 deputete, 17 prej tyre kanë hyrë në Kuvend në sajë të kuotës, kurse 21 prej tyre kishin fituar mandate pa kuotë. Po ashtu, në legjislaturën e fundit, shtatë nga 14 komisionet parlamentare janë udhëhequr nga deputetet gra. Ndaj garantimi i barazisë gjinore në lista zgjedhore, sipas DnV-së, përveç që siguron respektimin e të drejtave fundamentale, kontribuon për një qeverisje më të mirë dhe demokratike”.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 6 tetorit, të drejtë vote kanë 1.972. 466 votues, ka njoftuar KQZ. Kryetari ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Enis Halimi, thotë se krahasuar me listën përfundimtare të votuesve në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në listën votuese preliminare për zgjedhjet e 6 tetorit janë mbi 81 mijë votues më shumë.

"Sa i takon listës preliminare votuese, ne kemi marrë ekstraktin e parë nga regjistri civil me të dhënat e shtetasve 18-vjeçar, duke përfshirë edhe ata shtetas që deri më datën 6 tetor do ta arrijnë këtë moshë. Lista preliminare e votuesve përmban 1 milionë e 972 mijë e 466 emra të votuesve. Krahasuar me listën përfundimtare të zgjedhjeve lokale 22 tetor 2017, lista preliminare për këto zgjedhje përmban 115 mijë emra më shumë në numër krahasuar me zgjedhjet e kaluara 2017. Pra kemi 33 mijë e 791 janë larguar qoftë si të vdekur apo votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës”, tha Enis Halimi.

Por, shoqëria civile ka evidentuar edhe disa probleme të tjera që duhet të evitohen gjatë këtyre zgjedhjeve. "Vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, janë evidentuar mbi 70,000 fletëvotime të pavlefshme, prej të cilave në 48.26% të rasteve janë shënuar vetëm kandidatët por nuk është shënuar subjekti politik, tregues ky për mungesën e informimit adekuat lidhur me mënyrën e votimit, si dhe problemeve me dizajnin e fletëvotimit. Lidhur me këtë, kërkojmë nga KQZ-ja që të marrë parasysh rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile lidhur me përmirësimin e fushatave për informimin dhe edukimin e votuesve, si dhe të përdorë dizajnin e fletëvotimit të propozuar nga shoqëria civile, i cili është përgatitur nga ekspertë të fushës, është testuar në publik, dhe i njëjti i është prezantuar KQZ-së, bashkë me rezultatet e testimit, qysh në vitin e kaluar”, thotë DnV.

DnV thotë se do të vazhdojë të ndjekë nga afër të gjitha proceset që ndërlidhen me organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë në proces, të garantojnë organizimin e mirëfilltë të zgjedhjeve, duke aplikuar standardet demokratike dhe duke respektuar ligjet në fuqi.

Thirrje për një proces të drejtë zgjedhor kanë bërë edhe ambasadat në Kosovë të vendeve më të industrializuara QUINT. Këto vende presin që zgjedhjet të jenë të besueshme, kërkojnë nga banorët e Kosovës që të dalin e të votojnë, ndërsa, kandidatëve u bëhet thirrje që ta lenë mënjanë retorikën populliste dhe nacionaliste.

"Votuesit dëshirojnë që udhëheqësit e tyre të sigurojnë që të rinjtë e Kosovës do të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Votuesit meritojnë përgjigje të detajuara nga partitë për atë se si programet e tyre do të forcojnë sistemin e arsimit ashtu që të diplomuarit të jenë më mirë të përgatitur për punësim; se si ato programe do të krijojnë vende pune dhe do të përmirësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe investimet, si do të përkrahin ndërmarrësin, do të mbajnë përgjegjësinë fiskale, dhe si do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit me energji dhe mjedisin", thuhet në deklaratën e QUINT-it.