Kosovë: Dështon nisma për unifikimin lidhur me dialogun me Serbinë | Ballkani | DW | 11.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Dështon nisma për unifikimin lidhur me dialogun me Serbinë

Partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, nuk duan as të takohen me partitë në pushtet për hartimin e një "platformë të përbashkët për dialogun me Serbinë". Ato kërkojnë zgjedhje të reja.

Dështoi sërish një takim i partive parlamentare i thirrur nga kryetari i kuvendit Kadri Veseli, për të unifikuar një qëndrim të përbashkët lidhur me dialogun final me Serbinë. Takimit nuk iu përgjigjen dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK) dhe lëvizja Vetëvendosja VV. Kryetari i kuvendit kishte për qëllim që në takimin sotëm ta diskutonin së bashku një rezolutë e (propozuar nga mazhoranca) me anë të së cilës do të arrihej dakordimi, që çdo marrëveshje e mundshme me Serbinë duhet të kalojë vetëm përmes kuvendit të Kosovës. Kryetari i kuvendit Kadri Veseli, tha pas takimit ku morën pjesë vetëm dy parti, PSD dhe Alternativa, se "Kosova nuk duhet t'i lejojë Serbisë të tregojë fuqi më shumë se ne".

"Unë kam një mesazh për partitë opozitare që nuk po marrin pjesë. Më i rëndësishëm është territori, e ardhmja jonë euroatlantike sesa çdo kolltuk. Është gabim historik që me ndarjen tonë i japim hapësirë Serbisë që të flasë në emrin tonë. Ne duhet të jemi bashkë, është i pashmangshëm konsensusi jonë. Thërras kolegët e opozitës LDK dhe VV të jemi bashkërisht nëse është interesi i Kosovës mbi interesin e kolltukëve. Takimi ka qenë shumë korrekt, ka qenë një qëndrim shumë parimor që Kosova të këtë konsensus. Ajo çka u pajtuam është që ne duhet të kemi një qëndrim në raport me Serbinë. Jo asociacion me kompetenca ekzekutive", tha Kadri Veseli. Kryetari i kuvendit tha se "rezoluta e propozuar nga partitë në pushtet përfshin të gjitha çka ka dashur pozita dhe opozita".

Partia më e madhe opozitare (LDK), tash e disa kohë është betonuar në qëndrimin e saj "për dialog me Serbinë", por para se të ndodhë kjo, LDK thotë se "në Kosovë duhet të mbahen zgjedhje të reja".

"Si parti politike, më e madhe në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe qytetarëve tanë, kurse në kuvend përmes grupit tonë parlamentar. LDK është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për t'u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve", thuhet në një komunikatë të shkurtër të kësaj partie. Në rezolutën e propozuar nga partitë në pushtet me të cilën qartësohet roli i kuvendit në dialog me Serbinë, nuk përmendet askund emri i Presidentit të Kosovës. Mirëpo, për partinë tjetër opozitare lëvizjen Vetëvendosja, kjo rezolutë ka për synim që ta ndihmojë Thaçin në dialog me Serbinë. Lideri i kësaj partie Albin Kurti, shkruan se "Thaçi duhet lënë i vetmuar në përpjekjet e tij për dialog me Serbinë".

"Dihet që Thaçi në ndërmarrjen e tij me Serbinë për "kompromis të dhimbshëm" mbi Kosovën, nuk ka mandat nga kuvendi dhe e ka popullin kundër. Madje, ai nuk ka as platformë me parime për negociata dhe as ekip negociator. Është i vetmuar. Kështu duhet të ngelet, sepse vetëm kësisoj nuk do të ndodhë ai "kompromisi i dhimbshëm" i paralajmëruar. Thaçi medoemos synon një letër nga kuvendi, një dokument nga kuvendi, rezolutë apo çkado qoftë ajo, që mandej të vrapojë te Vuçiqi në Bruksel", shkruan Albin Kurti. Sipas tij, "presidenti ka shkelur çdo rezolutë që është nxjerrë nga kuvendi", prandaj Kurti nuk i beson presidentit.

"Vështirë se ka mbetur ndonjë rezolutë e kuvendit pa e shkelur Thaçi si kryeministër apo president. Pse do të ishte ndryshe me rezolutën e ardhshme?!", shkruan Albin Kurti.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Partisë Social Demokrate (PSD), Dardan Sejdiu, që ishte pjesë e takimit të së enjtes (11.10), tha se debati për një platformë të përbashkët për dialogun me Serbinë, duhet të zhvillohet vetëm në kuvendin e Kosovës.

"Si PSD kërkesa jonë përveç që rezoluta e PSD-së të votohet, është që ky debat të kthehet në kuvend. Vetëm duke u ulur mund të gjejmë zgjidhje të përgjithshme. Politikën në ketë vend duhet ta shndërrojmë në përballje argumentesh në institucione. Kushdo që do të na ftojë këtë qëndrim do ta prezantojmë: kuvendi është mënyra edhe vendi", tha Dardan Sejdiu.

Sidoqoftë, partitë politike parlamentare në njërën anë s'po mund të merren vesh ndërmjet tyre për një platformë të përbashkët për dialog me Serbinë. Ndërkaq, në anën tjetër, presidenti po kërkon një grup uniteti që do ta udhëhiqte ai në dialogun me Serbinë. Kjo situatë ka përçarë skenën politike kosovare, e po ashtu së fundi ka ashpërsuar në masë të madhe edhe raportet ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj. Ky i fundit nuk e përkrah idenë e Thaçit për korrigjim kufiri me Serbinë, ndërsa, presidenti po vazhdon ta kritikojë kryeministrin për qëndrimet e tij, sikurse thotë, "të pamatura në raport me dialogun me Serbinë". Haradinaj thotë, se "kufijtë e Kosovës mund të ndërrohen vetëm me luftë".