Kosovë: 47 kandidatë në listat për deputetë kanë probleme me ligjin | Ballkani | DW | 20.01.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: 47 kandidatë në listat për deputetë kanë probleme me ligjin

Nga 28 subjekte politike me gjithsej 1079 kandidatë për deputetë, 47 prej tyre mund të mos kenë të drejtë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme. Emrat nuk janë bërë publikë, por që tani ka filluar debati politik.

Në Kosovë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur, se 47 kandidatë në listat e partive që janë paraqitur në KQZ, janë shpallur fajtorë për vepër penale me vendim të shkallës së prerë të Gjykatave. Këta si të tillë mund të mos kenë të drejtë të garojnë në zgjedhje, ndonëse KQZ-ja akoma nuk e ka thënë fjalën e fundit. Nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ky konstatim me përgjigje sipas tij, ka ardhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Këshilli Gyqësor i Kosovës pas verfikimit të emrave. "Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vitet e fundit”, tha zëdhënësi Valmir Elezi.

Kosovo Pristina | Neue Regierung | Avdullah Hoti

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kandidon sërish për LDK

KQZ vendos së shpejti

Zëdhënësi i KQZ-së, bëri të ditur se ky institucion ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë konfirmimin për përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, bazuar në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. E në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vitet e fundit.

Ndonëse akoma nuk dihen emrat e kandidatëve për deputetë që kanë problem me ligjin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se tani "Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatisë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre dhe se këto rekomandime do të paraqiten në një mbledhje të radhës së KQZ-së”, që do të mbahet së shpejti më së largu deri më datën 22.01. Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai e ka të drejtën që të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndërkohë që çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme për t'u trajtuar, çështje këto që duhet të përmbyllen më së largu deri më 31 janar.

Kosovo Wahlkampagne Albin Kurti & Vjosa Osmani, Präsident

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti garojnë së bashku

Haxhiu: Albin Kurti gëzon mbështetje të madhe

Ndonëse akoma nuk janë publikuar emrat e personave që nuk do të mund të kandidojnë në këto zgjedhje për deputet, njëra nga zyrtaret e larta të lëvizjes Vetëvendosja Albulena Haxhiu, shkroi se "Albin Kurti gëzon mbështetje të madhe qyterare”. Albin Kurti i prin listës së lëvizjes Vetëvendosja me pretendimin për t'u bërë kryeministër. "Albini, gëzon mbështetje shumë të madhe qytetare dhe kjo mbështetje është e pakontestuar, prandaj qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar për tendencat e qëllimshme për largimin nga lista të Albinit! Në shtetin e kapur, kështu ndodh! Këto janë përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur!”, shkroi Albulena Haxhiu në profilin e saj social Facebook.

Nuk dihet akoma nëse Albin Kurti do të mund të garojë apo jo në listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvdosja, sepse akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi qeverinë Hoti dhe mundësoi shpërndarjen e parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, në mediet e Kosovës u ngrit dilema, nëse në këto zgjedhje do të mund të garojë lideri i Vetëvendosje Albin Kurti dhe disa zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes. Këta janë të dënuar me një vendim të prerë të Gjykatës për shkak se kishin hedhur gaz lotsjellës në parlament në vitin 2015. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se çdokush që ka një vendim për një vepër penale në tri vitet e fundit, përjashtohet nga mundësia për kandidim.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt, në KQZ kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë i këtyre subjekteve politike është 1 079. Tri subjektet më të mëdha politike, lëvizja Vetëvendosja VV, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK dhe Partia Demokratike e Kosovës PDK, tashmë kanë kandidatët e tyre për kryeministra.

BE pret zgjedhje sipas standardeve evropiane

Lëvizjes Vetëvendosje i prin lideri i saj Albin Kurti, i pasuar nga Vjosa Osmani, e cila në listën e Vetëvendosjes garon për deputete, ndonëse ajo pretendon postin e presidentes së vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës, postin e kryeministrit e kërkon sërish me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti. Listës së Partisë Demokratike të Kosovës i prin Enver Hoxhaj që pretendon postin e kryeministrit. Ndërsa, listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i prin Ramush Haradinaj, i cili nuk synon postin e kryeministrit, por atë të presidentit të vendit. Për të garuar në këto zgjedhje është regjistruar edhe subjekti politik më i madhi i serbëve të Kosovës lista Srpska dhe parti tjera të pakicave tjera kombëtare. 10 ulëse janë të rezervuara vetëm për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndërsa 10 vende tjera për pakicat e tjera që jetojnë në Kosovë.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit do të zgjasë vetëm 10 ditë. Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithpërfshirëse.