1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovës nuk i duhet dhuna

Bekim Shehu25 Shtator 2006

Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali gjerman, Roland Kater deklaroi se, trupat e KFOR-it, do të bashkëpunojnë ngushtë me udhëheqësit politikë në Kosovë në mënyrë që të krijohen të gjitha kushtet që vendimi përfundimtar për të ardhmen e Kosovës të pranohet nga të gjithë.

https://p.dw.com/p/ArcN
Prishtina
PrishtinaFotografi: AP

Komandanti i forcave paqeruajtëse gjenerali gjerman, Roland Kater, tha se Kosova ka hyrë në një fazë vendimtare të përcaktimit të statusit të saj politik dhe zhvillimet e deritashme të këtij procesi ai i cilëson si të zhvilluara në frymën demokratike.

Gjenerali gjerman, Roland Kater, i cili në krye të forcave paqeruajtëse erdhi në fillim të këtij muaji, tha se në Kosovë ka udhëheqës politik vizionarë dhe në këtë linjë, tha se forcat paqeruajtëse do të bashkëpunojnë ngushtë me udhëheqësit në Kosovë në
mënyrë që të krijohen të gjitha kushtet që vendimi për të ardhmen e Kosovës të pranohet nga të gjithë.


"Më duhet të takoj dhe të bisedoj me liderët politik sepse jam absolutisht i bindur që kjo valë demokratike në të cilën po kalojmë është e mundur nëse ecim së bashku, dhe rrjedhimisht kemi komunikim të mirë. Duhet të kemi biseda të afërta për të gjitha çështjet, të hapura dhe të sinqerta"- tha gjenerali Roland Katër, pas një takimi që zhvilloi me njërin nga anëtarët e grupit negociator të Kosovës, Veton Surroi.

Gjatë dy javëve të shkuara, ndërkaq, në Kosovë u shënuan disa incidente, shpërthime me bomba në rajone të ndryshme ku pati të plagosur dhe dëme materiale. Në këtë linjë, kryetari i partisë politike Ora, Veton Surroi, thotë se Kosovës nuk i duhet dhuna sidomos në këtë fazë të zgjidhjes së statusit.


"E ndajmë natyrisht mendimin e njëjtë, se gjëja e fundit që i nevojitet Kosovës, këto ditë, është dhuna e çfarëdo forme, jo vetëm ajo ndëretnike por edhe ajo brenda një etnie. Kosova besoj se ka kapacitet të mjaftueshëm edhe politik por edhe me praninë e forcave të NATO-s në Kosovë, që të vazhdojë këtë proces në qetësi, që qytetarët dhe forcat politike të papenguara nga çfarëdo ndikimi negativ të mund të procedojnë drejt statusit, ashtu siç e meriton populli i Kosovës"- thotë Veton Surroi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, është shprehur se, procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës është në fazën e duhur, ndërsa, shpërthimet e fundit sipas tij e kanë zbehur imazhin pozitiv të Kosovës. Sidoqoftë, komandanti i forcave paqeruajtëse, gjenerali gjerman, Roland Kater, shtë shprehur se misioni i tij në Kosovë është ushtarak, mirëpo ai do të jetë i hapur dhe i përkushtuar për të ndihmuar shoqërine kosovare edhe në fusha tjera. Në këtë linjë, komandanti i KFOR-it, sot do të shpërndajë, në një nga komunat e Kosovës, në Podujevë, vegla teknike për nevoja shkollore për fëmijët e kësaj komune.