1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Vazhdojnë debatet për zhvillimet politike - Kuçi: nuk ka nevojë për qeveri teknike

18 Tetor 2010

Në Kosovë, akoma po vazhdojnë debatet rreth zhvillimeve politike pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të tërhiqet nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës.

https://p.dw.com/p/PgUa
Fotografi: AP/DW

PDK: Do të respektohen kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Partia Demokratike e Kosovës, ka lënë të hapura të gjitha mundësitë për të dalur nga situata e krijuar pas vendimit të LDK-së që të tërhiqet nga koalicioni qeverisës me të. Në një mbledhje të këshillit drejtues të kësaj partie të mbajtur të dielën (17.10.) në mbrëmje, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, tha se të gjitha veprimet e ardhshme do të merren në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“PDK-së do të jetë e sinqertë para qytetarëve të Republikës dhe Kushtetutës dhe ligjeve dhe do t'i respektojmë të gjitha procedurat e parapara me kushtetutë dhe rregulloren e punës së kuvendit”, tha Hajredin Kuçi.

Sipas zotit Kuçi, kjo parti i jep përkrahjen e plotë bartësve të institucioneve shtetërore, Presidentit në detyrë Jakup Krasniqi dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, që në kuadër të autoritetit të tyre kushtetues dhe ligjor të vazhdojnë udhëheqjen kompetente të institucioneve. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, hedhë poshtë mundësinë e krijimit të një qeverie teknike.

“Jo nuk besoj që ka këtu ide për qeveri teknike. Nuk ka asnjë nevojë, asnjë legjitimitet të tillë”, tha Kuçi.

Mirëpo, sipas vendimit të LDK-së për tërheqje nga koalicioni, zëvëndëskryeministri, ministrat dhe zëvëndësministrat e kësaj partie sot (18.10.) dorëzojnë postet.

Sejdiu: Dalja nga koalicioni është një vendim në momentin e duhur

Në foto, kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu
Në foto, kryetari i LDK-së, Fatmir SejdiuFotografi: picture-alliance/dpa

Kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, thotë se vendimi për tërheqje nga koalicioni është në momentin e duhur dhe nuk është vendim që dëshiron ta dëmtojë qëndrueshmërinë në Kosovë.

“Është një vendim që shumë njerëz të LDK-së e kanë kërkuar edhe më herët. Është një vendim në momentin e vet, dhe jo vendim që dëshiron të vë Kosovën jashtë rrjedhave të stabilitetit”, thotë Fatmir Sejdiu.

Sipas Zotit Sejdiu, ekzistojnë rrugë ligjore e kushtetuese për tejkalimin e situatës së krijuar, përfshirë mundësinë e koalicioneve të reja qeverisëse apo formimit të qeverisë teknike deri në zgjedhjet e parakohshme, tashmë të caktuara për 13 shkurtin e vitit 2011. Por, cilat janë zgjidhjet e mundshme në këtë situatë të krijuar. Disa nga to i shpjegon për programin tonë, politikologu, Ramush Tahiri.

“Kur ministrat e LDK-së tërhiqen qeveria mbetet me poste vakante. Më pas kryeministri në bazë të Kushtetutës ka të drejtë të plotësojë këto vende të ministrave me njerëz të tjerë dhe për këtë nuk ka nevojë të kërkojë votëbesimin e qeverisë. Por, në anën tjerë, kryeministri ka të drejtë ta kërkojë votëbesimin e qeverisë para parlamentit dhe gjithashtu kryeministri mundet edhe të paraqes dorëheqje dhe të kërkojë mandat e ri”, thotë Ramush Tahiri.

Daka: jemi të shqetësuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Në foto analisti, Ramush Tahiri
Në foto analisti, Ramush TahiriFotografi: DW

Një variant tjetër sipas zotit Tahiri, është që kryeministri i Kosovës mundet që në kuvend ta parashtrojë kërkesën për mosbesimin e qeverisë dhe nëse kjo kërkesë i merr 61 vota të parlamentit, atëherë, presidenti në detyrë duhet ta shpërndajë parlamentin dhe të organizojë zgjedhje të jashtzakonshme brenda 45 ditësh. Por, e shqetësuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është shprehur kryetarja e komisionit qendror të zgjedhjeve, Valdete Daka.

“Ne jemi te obliguar t'i mbajmë, por nuk mund të garantojë se ato do të jenë plotësisht sipas standardeve ashtu siç kërkohet, sepse është një afat shumë i shkurtër”, thotë Valdete Daka.

Sidoqoftë, rrugëdalja nga situata e krijuar politike në Kosovë është debatuar gjatë ditës së dielë edhe në takime me dyer të mbyllura ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesve diplomatikë të akredituar në Prishtinë. Detaje nga ky takim nuk janë bërë të njohura.

Opozita: rënia e qeverisë së koalicionit është përfundim i natyrshëm i kësaj qeverie

Opozita: zgjidhja e vetme - zgjedhjet e jashtëzakonshme
Opozita: zgjidhja e vetme - zgjedhjet e jashtëzakonshmeFotografi: AP

Opozita, nga ana e saj, vlerëson se rënia e qeverisë së koalicionit është përfundim siç thonë i natyrshëm i kësaj qeverie, ndërsa ka qëndrime të ndryshme rreth zhvillimeve në vijim. Një pjesë e opozitës mendon se zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë mbetur zgjidhja e vetme për situatën në vend, ndërsa një pjesë mendon se është e pamundur që kjo të ndodhë në një kohë të shkurtër.

Koalicioni qeverisës ndërmjet rivalëve të vjetër Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2007. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit në janar të vitit 2008 ndërsa një muaj më vonë në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Zgjedhjet lokale të vitit 2009 shënuan një periudhë përplasjesh ndërmjet partnerëve të koalicionit, PDK-PDK, ndërsa dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të Kosovës, sipas analistëve i dha goditjen e fundit këtij koalicioni.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti