1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Restrospektivë e vitit 2005

Bekim Shehu31 Dhjetor 2005

Ngjarja historike e vitit: Hapen bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Por në vitin që po lëmë pas janë shënuar edhe ngjarje të tjera, të cilësuara si mjaft të rëndësishme

https://p.dw.com/p/AqrZ
Marti Ahtisari
Marti AhtisariFotografi: AP

Kosova në 2005: Grupi i Kontaktit përcakton parimet bazë, sipas të cilave nuk ka kthim në gjendjen e para vitit 1999, nuk ka ndarje të territorit dhe as bashkim të Kosovës me një vend tjetër. Këshilli i Sigurimit emëron Marti Ahtisarin, të dërguar të posaçëm për statusin. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vetëdorëzohet në Gjykatën e Hagës.

Përmbledhje e ngjarjeve kryesore të vitit në Kosovë

Fillimi i vitit që po lëmë pas, nisi me një angazhim të madh të qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në përmbushjen e standardeve. Një vlerësim pozitiv i tyre nga KS-it, do të mundësonte hapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës. Por tre muajt e parë të vitit shënojnë edhe krizën më të rëndë në Kosovën e pasluftës. Më 8 mars, Ramush Haradinaj, jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe paralajmëron dorëzimin e tij në Gjykatën e Hagës. Kjo pas ngritjes së një aktpadie për krime kundër njerëzimit gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ramush Haradinaj para mediave deklaroi: "Kam marrë aktakuzë nga Tribunali i Hagës. Jam i akuzuar. Një ndër të akuzuarit jam edhe unë. Këtë e kam marrë sot zyrtarisht. Ajo që dua të them, është se jam krejt i pafajshëm."

Pas kësaj deklarate të zotit Haradinaj, gjendja e sigurisë duket e qetë por shumë e brishtë. Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, viziton shumë vendbanime dhe takon qytetarët për të bindur ata, se trazirat dhe dhuna mund të kthejnë të gjitha proceset prapa. Ai kërkon që qytetarët t'i përmbahen kërkesës së Haradinajt për qetësi dhe vazhdim të punës. Petersen u bënë thirrje të gjithë udhëheqësve politik të Kosovës që të tregojnë përgjegjësi, të bashkohen rreth një interesi të përbashkët. Ai thotë se, së bashku mund të tejkalohen të gjitha vështirësitë dhe do të mund të vazhdohet drejt rrugës evropiane për një Kosovë demokratike.
Ndërkohë, qeveria Kosovës do të udhëhiqet sërish nga koalicioni dy patiak, LDK dhe AAK, por kësaj radhe me kryeministër Bajram Kosumin, i propozuar nga vet zoti Haradinaj. Tre muajt e parë në vlerësimin e standardeve u cilësuan si muajt më të suksesshëm.

Ka disa javë që është parë dhe duhet pranuar fakti që instiucionet e Kosovës janë duke punuar shumë që të lëvizin përpara proceset në vend dhe ky rezultat e ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Viti 2005 është një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën, ku duhet të përfundojë më sukses procesi i përmbushjes së standardeve që do të hapë rrugën e bisedave për statusin e Kosovës, tha soren Jesen-Petersen.

Këshilli i Sigurimit thotë se deri në gjysmën e vitit 2005, mund të hapet mundësia e vlerësimit të gjithmbarshëm të standardeve dhe në rast të vlerësimit pozitiv do të mund të hapen bisedimet për statusin. Grupi i Kontaktit paraqet parimet e tij. Nuk ka kthim në gjendjen e para vitit 1999, nuk ka ndarje të Kosovës por nuk ka edhe bashkim të saj me ndonjë vend tjetër. Grupi i kontaktit thotë, se të gjitha opsionet për statusin e Kosovës do të jenë në tavolinë, duke tërhequr vëmendjen se zgjidhja do të jetë rezultat i dialogut dhe negociatave.

Mesi i vitit 2005 e gjen Kosovën në një fazë të re. Këshilli i Sigurimit vendos që të hap mundësinë e vlerësimit gjithpërfshirës të standardeve, një hap ky para hapjes së bisedimeve. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, përzgjedh si të dërguar të tij ambasadorin norvegjez, Kai Aide. Ambasadori Aide do të udhëtojë nëpër Kosovë dhe do të paraqesë një raport të hollësishëm për shkallën e përmbushjes së standardeve.

Raporti për nga përbërja qe mjaft i gjatë që të jetë konkret dhe esencial. Por ai do të jetë mjaft i shkurtër për t'u lexuar nga të gjitha strukturat e larta. Mandati im është që t'i raportojë sekretarit të përegjithshëm të OKB-së, nëse duhet të ecet në hapin e ardhshëm të procesit politik, tha Kai Aide.

Raporti i tij ndërkaq do t'i paraqitet sekretarit të përgjithshëm, Kofi Annan dhe ai do t'i rekomandojë KS, të hapë bisedimet për statusin. Në Kosovë ky moment cilësohet historik. Në Prishtinë krijohet Grupi Negociator i Kosovës, i cili që në fillim paraqet një platformë për bisedimet sipas së cilës, pavarësia është e panegociueshme. Presidenti Rugova, kryeministri Kosumi, kryeparlamentari Daci dhe Hashim Thaci e Veton Surroi janë pesëshja negociatore e Kosovës.

Presidenti Rugova deklaron: "Unë insistoj për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Europës dhe të botës."

Pavarësia e Kosovës, ka thënë edhe kryeministri Kosumi do t'a qetësojë gjithë rajonin dhe do të hapë perspektiva të reja për qyetarët e Kosovës: "Krijimi i shtetit të Kosovës është një proces që prek interesin e çdo qytetari dhe ne kemi hapur një sërë dialogjesh të brendshme me gjithë strukturat e shoqërisë, me të gjitha komunitetet në shoqërinë tonë, për të krijuar besimin e të gjithë qytetarëve në këtë proces."

Pavarësia e Kosovës, ndërkaq, kundërshtohet fuqishëm nga zyrtarët serbë. Boris Tadiç, presidenti i Serbisë, gjatë një vizite në Kosovë thekson, se Kosova vazhdon të mbetet pjesë e pandashme e Serbisë.

Unë jam kundër pavarësisë së Kosovës dhe për mua pavarësia e saj është e papranueshme. Unë asnjëherë një zgjidhje të këtillë nuk do t'a përkrahë, tha presidenti serb, Boris Tadiç.

Këto ishin pozicionet e palëve para bisedimeve. Jozyrtarisht ato filluan me ardhjen e kryendërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari në rajon. Në Prishtinë ai tha se një afat kohor të bisedimeve nuk ka por kjo varet nga palët negociatore. Unë i kam siguruar palët në bisedime se do të ecet përpara sa më shpejtë të jetë e mundur. Mbetet prandaj në duart e Këshillit të Sigurimit që të vendosë, se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës, ka thënë Marti Ahtisari duke përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës.