1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Parregullsi në zgjedhjen e operatorit të telefonisë mobile?

Ajete Beqiraj23 Mars 2007

Opozita ngre dyshime për parregullsi me rastin e përzgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Pozita i vlerësoi këto dyshime si të pabaza

https://p.dw.com/p/ArXQ
Të rinj me telefon celularë
Të rinj me telefon celularëFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Deputetë, kryesisht të opozitës, akuzuan qeverinë e Kosovës dhe Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit të Kosovës, për keqpërdorim dhe shtrembërim të procedures së përzgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë.

Ndërkohë, anëtarë të Organizatës Joqeveritare „Çohu“, kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Fokusi i kësaj organizate kundër-korrupsion, kësaj radhe është kthyer kah lidershipi institucional dhe politik i Kosovës.

Kreu i kësaj organizate, Avni Zogjani: „Ne kemi mjaft argumente se ata janë të korruptuar në këtë rast. Shkeljet janë evdiente, të vërtetuara dhe të njohura për publikun kosovar. Këto fakte i ka gjykata supreme e Kosovës, dhe Kosovës I kërcënohet 100 milionë euro dënim nga Mobil com i Austrisë. Ka bërë padinë!

Kryeministri Agim Çeku, i quajti të pabaza akuzat në adresë të qeverisë gjatë procesit të tenderimit. Ai tha se nuk ekziston provë e cila do të dëshmonte
akuzat e ngritura, përveç thashethemeve, duke ftuar organet kompetente për të hetuar dyshimet rreth këtij procesi.

„Unë, në çdo moment jam i gatshëm t’jap llogari para këtij parlamenti para qytetarëve për rolin e qeverisë dhe të jap përgjegjesinë, por në bazë të fakteve të gjetura nga organet kompetente e jo nga shoqatat joqeveritare apo njerëzit e pakënaqur“.

Kreu i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit të Kosovës, Anton Berisha, i hodhi poshtë akuzat e tilla duke thënë se përzgjedhja e operatorit të telefonisë, është bërë me procedura të rregullta ligjore, në mënyrë objektive, profesionale dhe konform
praktikave të mira ndërkombëtare.

„Konsideroj se përpjekja e përsonalizimit të këtij procesi në kontekstin negativ është e pashembullt në praktikat e vendeve evropiane dhe nga dokumentacioni që ekziston, është absolutisht i pambështetur në fakte“.

Që procesi ka qënë transparent dhe i pa ndikime, deklaroi edhe Joachim rucker, shef i Unmiku-t, zyrtarë të të cilit ishin në përbërje të komisionit përzgjedhës.

Shefat e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë shfaqur mendime të ndryshme. Alush Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës: „Ne nuk jemi në mbrojtje të ART-së, por njëkohësisht nuk i pranojmë akuzat ‚blanco’, të cilat jane akuza politike dhe si grup parlamentar, e mbështesim
vazhdimin e procedurave“.

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla: „Projektin e zgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë e konsiderojmë të suksesshëm, se 75 milionë është shitur licenca dhe jo asetet“.

Perfaqësuesi i ORA-s Nazmi Jashari, kritikoi për mostransparencë gjatë procesit të tenderimit.„Tenderët hapen publikisht, jo prapa perdeve. Nuk ka transparencë ku nuk ka opinion publik“.

Procesin e tenderimit të operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, e ka mbikëqyrur një kompani konsulente nga Suedia, e zgjedhur ne një tender të veçantë. Pas ofertës së kompanisë së parë prej 81 milion eurosh dhe dështimit që këtë shumë ta deponojë në Buxhetin e Kosovës brënda afatit të caktuar, ART-ja vendosi që si fitues të licencës të shpall ofertuesin e dytë, „Konzorciumin Telecom
Sllovenia“ dhe „Ipko Net“, i cili ofroi 75 milionë euro.