1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni në Maqedoni është ende i lartë në mesin e gjykatësve

5 Tetor 2009

Edhe krahas reformave të shumta në sektorin e gjyqësisë, efektet e saj nuk ndjehen nga qytetarët. Sipas avokatit te popullit Ixhet Memeti gjyqësia zë vendin e parë nga numri i ankesave të parashtruara nga qytetarët.

https://p.dw.com/p/Jy5L
Flamuj të Maqedonisë dhe të BE-së në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Maqedonia është duke ndërtuar një sistem më efikas për mbrojtjen e qytetarëve, pjesa më e madhe e reformave në gjyqësi është në përfundim e sipër, janë miratuar një sërë ligjesh, të cilat do të mundësojnë një efikasitet më të lartë të gjyqësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Njëherit është zvogëluar edhe numri i lëndëve të pazgjidhura me vite. Këto argumente i ka prezantuar ministri i drejtësisë, Mihajllo Manevski, pasi dikasteri i tij ishte akuzuar për mosluftën efikase të korrupsionit në gjyqësi. Gjithnjë sipas Manevskit edhe pse ka përparim në sistemin gjyqësor, ende ka hapësirë për të punuar në avancimin e tij.

“Nuk mund të gjeneralizohen gjykatat në përgjithësi, ngaqë jo të gjithë gjykatësit janë të korruptuar. Maqedonia nuk ngec në procesin e reformave, hapat pozitivö në këtë drejtim presim që të reflektohen edhe në raportin e Komisionit Evropian”, ka deklaruar ministri i drejtësisë, Mihajllo Manevski.

Sipas tij qytetarët kanë paraqitur ankesë për 54 gjykatës për shkeljen e procedurave gjyqësore. 19 prej tyre janë suspenduar, ndërsa 6 kanë dhënë dorëheqje. Për çrrënjosjen e korrupsionit në gjyqësi ministri Manevski kërkon financim më stabil të këtij sektori.

Por pse pas të gjitha këtyre reformave qytetarët nuk i ndjejnë efektet e tyre?

Slagjana Taseva, kryetare e Transparencë 0 korrupsion thotë se vetëm gjatë këtij viti 150 qytetarë kanë parashtruar ankesa për shkelje të të drejtave të tyre nga ana e gjykatave.

“Integritetin e gjyqësisë e krijojnë gjykatësit, ata janë më meritorët dhe më përgjegjësit që një gjykim të jetë i drejtë dhe konform ligjeve”, thotë Taseva.

Gjykatësi Bllagoja Simev vlerëson, se nëse një gjykatës është i korruptuar kjo nuk do të thotë se tërë gjykata ëshë e korruptuar.

“Punën më transparente në shtet e bëjnë gjykatësit. Ata gjykojnë në seanca të hapura, në prezencë të mediave. Qytetarët, nëse nuk janë të kënaqur me vendimin, mund të ankohen edhe në instanca më të larta gjyqësore”, thotë Simev.

Avokati i popullit Ixhet Memeti thotë se numri i ankesave nga ana e qytetarëve rritet gjithnjë e më shumë dhe ky është tregues se në Maqedoni nuk kemi gjykatë efikase.

“Shikuar nga prizmi i punës së avokatit të popullit sistemi gjyqësor gjithnjë zë vendin e parë nga ankesat, që qytetarët i drejtojnë tek institucioni ynë dhe ai për çështje juridike, që janë punë dhe çështje të gjyqësorit,“ thotë Ixhet Memeti.

Për zhdukjen e korrupsionit në gjyqësi është propozuar që në strategjinë kombëtare prej vitit 2010 të rritet përqindja financiare në buxhetin vjetor, që i takon gjykatave.

Autor Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica