1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Udhëheqësit perëndimorë nuk kanë mbështetje për luftë

Peter Kapern10 Shtator 2013

Udhëheqësit perëndimorë nuk kanë mbështetje për luftë, mendon ish-ambasadori i SHBA në Gjermani John Kornblum, dhe në bisedë me Deutschlandfunk flet mbi vështirësinë për të nisur sot një luftë.

https://p.dw.com/p/19eQV
John Kornblum ish-ambasadori i SHBA në Gjermani
Fotografi: picture-alliance/ZB

DLF: Zoti Kornblum, në Sankt Petersburg nuk pati ndonjë afrim në pozicione me Rusinë, vetëm një mbështetje të vakët nga partnerët evropianë, të cilët duan fillimisht të presin se çfarë do të shkruhet në raportin e inspektorëve të OKB-së. A e bënë ditët e fundit për Barack Obaman më të vështirë, që ta marrë miratimin për goditjen ushtarake nga deputetët?

Kornblum: Po. Besoj se ditët e fundit ia vështirësuan punën. Ne shohim një zhvillim interesant, jo patjetër pozitiv në botën perëndimore. Po të hidhni vështrimin përreth: tek SHBA, Franca, Gjermania, Anglia, secili nga udhëheqësit politikë që besonte se mund të vepronte me siguri në kuadër të traditës së angazhimeve ushtarake, për të mbrojtur edhe njerëzit, duket se po mëson, se një veprim i tillë nuk gjen më kaq shumë mbështetjeje dhe madje edhe mund të mos gjejë fare mbështetje. Besoj se këtu po përjetojmë një lloj kthese në qëndrimin e popullit në vendet perëndimore, përsa i përket mbështetjes së misioneve të tilla.

DLF: Si e intepretoni në këtë kuadër sjelljen e qeverisë gjermane? Kancelarja nuk donte ta mbështeste në Sankt Petersburg rezolutën e shteteve evropiane në mbështetje të SHBA, por një ditë më vonë e bëri. Ç'përshtypje ju lë kjo?

Kornblum: Jo veçanërisht pozitive, do të thosha. Po kancelarja është në mes të fushatës elektorale dhe në fushatë ka ndoshta rregulla të tjera. Po të lexosh nga ana tjetër, sa fort kritikohet tani në Francë presidenti Hollande, në një vend që tradicionalisht i dërgon me dëshirë trupat e tij për misione të tilla, ose po të mendosh për votimin në Angli, që ishte një katastrofë e vërtetë për Cameronin, atëherë e shohim që një udhëheqës politik në Perëndim duhet të mendojë tani me të vërtetë dy herë, përpara se të thotë që rekomandohet ndërhyrja ushtarake.

DLF: Le të mbetemi shkurt tek Gjermania. "New York Times" shkruan se Gjermania është fantazma në marrëdhëniet ndërkombëtare. A ka të drejtë gazeta?

Kornblum: Jo, unë nuk do të shkoja kaq larg. Gjermania sigurisht që e ka shumë të vështirë këtë lloj angazhimesh politike-ushtarake. Kjo nuk ndodh së fundi, ka ndodhur që në vitin 1990 në luftën e Gjirit, kur Helmut Kohli tha fare qartë se Gjermania nuk mund të marrë pjesë. Unë besoj se pas këtyre zgjedhjeve duhet të ketë shumë shpejt një reflektim të ri për politikën e jashtme dhe të sigurisë në Gjermani. Nuk mjafton më që të themi se ne do të veprojmë mbi bazën e Evropës, nuk mjafton më të thuash vazhdimisht se ne jemi për një zgjidhje politike. Duhet parë edhe që aleatët kanë nevojë për mbështetje dhe se prej një vendi tani kaq të fortë pritet edhe një politikë aktive.

Intervistën e zhvilloi Peter Kapern nga Deutschlandfunk.