1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koreja e Veriut dëshiron të negociojë me SHBA për planet e saj të testeve raketore

Martin Fric21 Qershor 2006

Koreja e Veriut dëshiron të negociojë me SHBA për planet e saj të testeve raketore. Ambasadori amerikan në Japoni tha megjithatë se kuadri për negociata duhet kërkuar në bisedimet gjashtëpalëshe për programin atomik të Koresë së Veriut.

https://p.dw.com/p/Aqpa
Pamje centrali atomik në Korenë e Veriut
Pamje centrali atomik në Korenë e VeriutFotografi: AP

Kriza e shkaktuar nga një test i mundshëm raketor i Koresë së Veriut është ashpërsuar edhe më tej. Sipas të dhënave amerikane, përgatitjet për një nisje të raketës në një terren testimi në bregun jugor të Koresë së Veriut kanë vazhduar, edhe nëse nuk mund të thuhet me saktësi se në c'masë është ngarkuar raketa me karburant.

Ndërkohë, SHBA e kanë aktivizuar me sa duket sistemin e tyre të mbrojtjes raketore. Pas një informacioni të medieve japoneze me një përmbajtje të tillë, Pentagoni deklaroi në Uashington se nuk shprehet për statusin e sistemit. Por ambasadori amerikan në Japoni, Tomas Shifer la të kuptojë se vendi i tij mund ta rrëzonte një raketë të tillë. SHBA zotërojnë më shumë opsione se në të kaluarën, deklaroi Shifer, të gjitha këto opsione ndodhen në tryezë.

Sipas informacioneve japoneze, të paktën një shkatërrues AEGIS amerikan po patrullon para bregdetit të Koresë së Veriut, dhe kjo anije mund të lëshojë në ajër raketa mbrojtëse. Ndërkohë, Pheniani angazhoi një figurë tjetër në fushën e shahut: misioni i tij diplomatik në Kombet e Bashkuara në Nju Jork u deklarua i gatshëm për bisedime direkte me SHBA për testet raketore. Nëse Uashingtoni është i shqetësuar, tha zëvendësshefi i misionit, Hang Song-Ryol, atëherë koreoanoveriorët janë dakord për një takim. Pheniani bëri të ditur se persona jo të brendshëm nuk kanë të drejtë të bëjnë kritika. Startimi i raketës nuk do ta dëmtonte moratoriumin për lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, i cili është në fuqi prej shtatë vjetësh.

Sfondi: si shpërblim për heqjen dorë nga testi, SHBA lehtësuan në vitin 1999 sanksionet ekzistuese kundër Koresë së Veriut, por negociatat e drejtpërdrejta të nisura atëherë ka vite që janë bllokuar. Ndërkohë, edhe Koreja e Jugut e ka ashpërsuar tonin ndaj shteti vëlla në veri. Seuli e kërcënoi Phenianin me ndalimin e ndihmave të tij ushqimore, nëse Veriu nuk heq dorë nga startimi i raketës. Ministri i ribashkimit, Yang Chang-seok deklaroi se vendi i tij mund t'i pakësonte ose ndalonte krejtësisht furnizimet me oriz për Korenë e Veriut. Plane të detajuara për këtë megjithatë ende nuk ekzistojnë.

Përballë spekullimeve për një test të mundshëm, ish-presidenti i Koresë së Jugut, Kim Dae-jung e shtyu udhëtimin e tij të planifikuar për në Korenë e Jugut. Kimi do të udhëtonte sipas planit javën e ardhshme drejt Phenianit, për të qendruar atje katër ditë, për të folur me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong -il. Të dy Kimat u takuan gjashtë vjet më parë në një takim të nivelit të lartë në Korenë e Jugut, kur ranë dakord për një afrim paqësor të të dyja shteteve koreane. Një përsëritje e këtij takimi, në "rrethanat aktuale praktike të papritura" është i pamundur, u bë e ditur nga qarqe pranë Kim dae-jungut.

Koreja e Veriut pati testuar së fundi në verë 1998 raketën me rreze të mesme veprimi, Taepodong-1. Për të u tha se ajo do të dërgonte në hapësirë një satelit koreanoverior. Por shkalla e fundit e raketës shpërtheu, mbeturinat e Taepodong 1 përfunduan në Oqeanin Paqësor.