Kopshtaria, pasioni i gjermanëve | Gjermania | DW | 26.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kopshtaria, pasioni i gjermanëve

Në fillim të pranverës lulëzon në Gjermani tregtia me artikujt e kopshtarisë

default

Pasi dimri u rikthye javën e shkuar në Gjermani me temperatura të ulëta dhe dëborën që mbuloi katër cepat e vendit tani mund të vijë më në fund pranvera. Dielli po shfaqet përsëri dhe temperaturat janë në rritje. Tani fillon të marrë hov edhe biznesi i qendrave të kopshtarisë dhe tregtarëve të luleve. "Dega e gjelbër" është mjaft e zënë gjatë kësaj periudhe pasi gjermanëve u pëlqen t'i rregullojnë bukur e me larmi kopshtet e tyre dhe t'i zbukurojonë ballkonet me lule.

Nëse do të shpreheshim në gjuhën e kopshtarisë mund të thoshim me plot gojën se tregu i kopshtarisë në Gjermani është në kulmin e lulëzimit. Për lulet e ballkoneve dhe kopshteve si dhe për lulet dekorative dhe ato të vazove gjermanët shpenzuan vitin e kaluar gati 9,5 miliardë euro. Më shumë se kurrë më parë. Heinz Herker, kryetari i Shoqatës Qëndrore për Hortikulturën në Gjermani konstaton me kënaqësi:

"Gjelbërim, lule, ngjyra, jetë - të gjitha këto po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqërinë tonë. Ajo çka na shqetëson janë kostot të cilat na rëndojnë së tepërmi. Këto kosto nuk mund t'i përcjellim tek klientët. Fjala është në rradhë të parë për kostot e energjisë."

E megjithatë me një rritje prej 1,2% në vit kjo degë mund të thuhet se i ka punët shumë mirë. Çdo gjerman blen çdo vit lule dhe artikuj të tjerë kopshtarie, nga ujitësja e luleve deri tek prerësja e barit, në vlerë prej 115 eurosh. Gjermania është kështu kampione e pashpallur e kopshtarisë në botë. Pa importet nga vendet në zhvillim bollëku i luleve në kopshtet dhe vazot gjermane nuk do të kishte këto përmasa. Heinz Herker:

"Tregu afrikan është veçanërisht i rëndësishëm për prodhimin e trendafilave dhe luleve të tjera dekorative. Dhe natyrisht të rëndësishme janë edhe vendet e Amerikës së Jugut. Ekuadori, Kolumbia e të tjerë me rradhë mund të prodhojnë në lartësi të caktuara ku ndriçimi është shumë i mirë. Këto vende kanë kështu kushte klimaterike të shkëlqyera dhe janë natyrisht furnizuesit tanë kryesorë gjatë muajve të dimrit. Ato nuk e dëmtojnë edhe aq tregun tonë pasi egzistojnë lidhje reciproke. Nëse nuk do të kishim këtë prodhim të shkëlqyer trëndafilash i cili nuk është i mundur në kushtet e ndriçimit në Gjermani nuk do të mund të shisnim artikuj të tjerë shoqërues."

Plot 18 milionë kopshte të mëdhenj e të vegjël ka në Gjermani. Dhe këto kopshte janë për pronarët e tyre oaze shplodhjeje dhe qetësie. Peter Stollmann është njëri prej tyre.


“Po, kopshti im është një copëz jete cilësore. Kopshti është alternativa ndaj jetës së përditshme. Në të mund të shkëputesh nga mjedisi që të rrethon, kopshtit mund t'i japësh formën që të pëlqen. Është një gëzim për syrin dhe për shpirtin dhe shumë nga ato çka e bezdisin njeriun nga jashtë mund ta evitosh."


Shoqata Qëndrore e Hortikulturës ka zbuluar në sondazhe një tendencë të re në pasionin për kopshtarinë thotë kryetari i saj Heinz Herker:

"Kemi të bëjmë me një kluturë krejt të re kopshtarie. Duket se ka ardhur këtej edhe një copë Anglie ku kopshtaria është një eveniment social: të kesh një kopësht të bukur, të kujdesesh për të dhe të merresh me kopshtarinë me pasion, pa e parë si punë angari por si një përjetim gjatë kohës së lirë."

Kështu për kopshtarët e vegjël si p.sh. Heinz Grebing nuk janë të rëndësishme vetëm lulet e bukura:

"Për mua bëhet fjalë për një hobi gjatë kohës së lirë. Dhe natyrisht kopshti përgatitet në mënyrë të tillë që të mos jetë vetëm objekt soditjeje por edhe të përfitoj prej tij. P.sh.perime apo erëza të mbjella e rritura vetë. Kjo të jep shumë kënaqësi."

Gjermanët kanë zbuluar kopshtin si përjetim gjatë kohës së lirë ndërsa dega e hortikulturës ka gjetur në të një minierë ari. Në tregjet e artikujve të kopshtarisë në Gjermani pronarët e kopshteve pajisen në kohë me materiale për punët e pranverës. Dikush kërkon të ngrejë p.sh. një shtëpizë të vogël në kopësht e sigurisht pas shtëpizës i vjen rradha një rrugine të shtruar me gurë. Një aktivitet që nuk merr fund asnjëherë e me të cilin mund të merresh me kënaqësi deri në moshë të thyer.

Materialet e ndërtimit për shtëpizën dhe gurët për rruginën kushtojnë deri 3.000 euro. Tregu i gjelbër gumëzhin. Edhe gjatë këtij viti prodhuesit e artikujve të kopshtarisë presin të thyejnë një rekord të ri.

  • Data 26.03.2007
  • Autor Klaus Deuse
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqx4
  • Data 26.03.2007
  • Autor Klaus Deuse
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqx4