1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ägypten 3 Proteste

Vilma Filaj-Ballvora7 Shkurt 2011

Në Egjipt po konturohet një pikëkthese: qeveria nisi bisedimet me përfaqësuesit e Vëllazërisë Myslimane. Këto janë bisedimet e para zyrtare prej shumë vitesh me partinë më të madhe në opozitë - parti e ndaluar zyrtarisht

https://p.dw.com/p/10Bn0
Bisedimet e para mes qeverisë dhe opozitësFotografi: AP

Para pak ditësh nëpër rrugët e Egjiptit hidheshin gurë dhe njerëzit vriteshin - ndërkohë që frontet mes qeverisë dhe opozitës vazhdonin të ishin të tensionuara. Tashmë duket se ka nisur çtensionimi. Nën trysninë e protestave gati dyjavore në Egjipt qeveria e presidentit Husni Mubarak filloi për herë të parë dialogun me Vëllazërinë Myslimane dhe politikanë të tjerë opozitarë. Zëvendëspresidenti i ri Omar Suleiman të dielën (06.02.2011) zhvilloi bisedime me përfaqësues të opozitës dhe me politikanë të pavarur. Synohet themelimi i një komiteti, i cili brenda një muaji duhet të shqyrtojë ndryshimet kushtetuese, tha zëdhënësi i qeverisë. Në fillim të marsit ky komitet duhet të prezantojë propozimet e veta. Zëvendëspresidenti Omar Suleiman njoftoi gjithahstu, se do të shfuqizojë gjendjen e jashtëzakonshme, nëse këtë e lejon gjendja e sigurisë. Gjendja e jashtëzakonshme ekziston në Egjipt qysh prej vitit 1981.

Fillimisht Vëllazëria Mysliamne pati deklaruar, se është e gatshme të hyjë në bisedime vetëm pas dorëheqjes së presidentit Husni Mubarak. Gjatë protestave masive ato qëndruan gjatë në sfond. Por të shtunën (05.02.2011)vëllazëria u afrua me demonstruesit në sheshin Tahrir.

Ägypten Proteste auf dem Tahir Platz in Kairo NO FLASH
Protestat në sheshin Tahrir të KajrosFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe pse protestat vazhdojnë gradualisht po vendoset normaliteti në Kajro

Protestat megjithatë vazhduan edhe gjatë fundjavës, rreth 6000 demonstrues u mblodhën të dielën (06.02.2011) për të kërkuar dorëheqjen e Mubarakut. Njerëzit nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, ja se çfarë deklarojnë demonstruesit: "Zot i Madh, unë do të jem me revolucionin edhe sikur kjo të më kushtojë me fëmijët, me shtëpinë e me punën time. Jeta do të vazhdojë vetëm pasi të kemi një kthesë dhe të vendoset drejtësia."

"Jeta nuk do të vazhdojë, pa u larguar kryesia e qeverisë. Mubaraku duhet të largohet, sepse ai është përgjegjës për gjendjen e keqe në Egjipt."


Përtej sheshit Tahrir në Kajro ka nisur të kthehet gradualisht normaliteti. Pas rreth një javë ndërprerjeje të punës të dielën hapën dyert shumica e bankave. Njoftohet se përpara tyre ka pasur radhë të gjata dhe se gjatë ditës së hënën pritet të fillojë rishtaz funksionimi normal i aktivitetit tregtar. Në këtë mënyrë synohet që t' u hiqet frika njerëzve nga një kolaps i sistemit financiar në mbarë vendin.

Ägypten Proteste Regierung Banken
Të dielën (06.02.2011)u hapën sërish disa bankaFotografi: dapd

SHBA kërkojnë reforma

SHBA kërkojnë me ngulm reforma të shpejta demokratike në Egjipt. Sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka thënë në një bisedë telefonike me zëvendëspresidentin egjiptian Omar Suleiman se e nevojshme është një axhendë reformash konkrete dhe një plan i qartë kohor në mënyrë që t`i tregohet opinionit dhe opozitës se qeveria në Kajro angazhohet për ndryshime. Lidhur me sulmet ndaj gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, Shtëpia e Bardhë nxorri një deklaratë ku thuhet se Kajro mban përgjegjësinë në mbrojtjen e popullit.

Kancelarja Angela Merkel theksoi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se vendimtar është një ndryshim i rregullt pushteti në Egjipt, në mënyrë që të mënanjohet krijimi i vakumit të pushtetit dhe kaosi.

Zëvendëskryetari i Fraksionit kristiandemokrat Andreas Schockenhoff dhe ekspertja për çështjet e mbrojtjes e Partisë së Demokratëve të Lirë, Elke Hoff, kanë propozuar zgjidhjen e luftës për pushtet në Egjipt, me pranimin e presidentit Husni Mubarak në Gjermani. Schockenhoff i tha gazetës "Bild am Sonntag", se në këtë mënyrë Gjermania jep një kontribut konstruktiv në ndryshimin paqësor të pushtetit në Egjipt. Ngjashëm argumenton edhe Schockenhoff. Në të kaluarën Mubaraku ka qenë disa herë në Gjermani për trajtim mjekësor.

Autor: A. Brockmann/V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: A.Verbica