1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Glauk Konjufca kryetar i ri i Parlamentit

Bekim Shehu
26 Dhjetor 2019

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhanë betimin dhe zgjodhën kryetarin e ri dhe kryesinë. Por Kuvendi u konstituua pa marrëveshje koalicioni ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së.

https://p.dw.com/p/3VMAo
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Pasi deputetët dhanë betimin, lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë që doli në zgjedhje, propozoi kandidatin e saj për kryetar. Kandidati Glauk Konjufca mori 75 vota, 27 ishin kundër dhe 6 abstenime. Në këtë seancë konstituive u zgjodh edhe kryesia e Kuvendit. Nënkryetar u zgjodhën Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës. Ndërsa nga komunitetet pakicë, Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komuniteti turk. Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi cilësohet i konstituuar si legjislatura e 7 në Kosovë.

Zgjedhja pa marrëvewshje

Kosovo 10 Jahre Unabhängigkeit
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës nuk ishte pjesë e ndonjë marrëveshje ndërmjet dy partive që dolën të parat në zgjedhje, Lëvizjes Vetëvendosja dhe LDK. Kjo e ka komplikuar situatën e mëtutjeshme për arritjen e një koalicioni të mundshëm qeverisës për formimin e qeverisë së Kosovës. Vet lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kuti një ditë para seancës konstituive, informoi se nuk ka marrëveshje koalicioni me LDK-në. Kurti ka thënë se LDK-ja e ka refuzuar ofertën e Vetëvendosjes, e cila i ofronte LDK-së pozitën e kryetarit të Kuvendit, një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri në qeveri.

"Është obligimi im moral dhe politik, shtetëror dhe kombëtar, qytetar dhe njerëzor që t'ju njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë, do të shkojmë pa pajtimin për qeverinë. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi mundur t'ia bashkëngjitim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive. Oferta ime e parmbrëmshme e datës së 23 dhjetor 2019, u refuzua dje nga LDK”, tha Albin Kurti.

Sipas tij, në rast se insistohet që LDK ta ketë edhe pozitën e presidentit, atëherë ai tha se i ka ofruar LDK-së që ta caktojnë një kandidat konsensual dhe jo partiak. Sipas Albin Kurtit, ky është kompromisi i fundit që mund të bëjë lëvizja Vetëvendosje.

Kosovo Pristina Interview Albin Kurti Adelheid Feilcke
Fotografi: DW/A. Bajrami

I menjëhershëm ishte reagimi  i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se për LDK-në, negociatat nuk kanë dështuar por "ka dështuar vetëm strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t'ia hedhur fajin LDK-së”.

"Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë. Ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shumë, pra gati sa ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit”, tha Isa Mustafa.

Radhën e ka presidenti

Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës çështja tash kalon tek Presidenti i Kosovës, i cili në bazë të Kushtetutës e obligon atë që të nisë bisedat me partinë fituese të zgjedhjeve për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Vet Presidenti në një reagim të parë pas konstituimit të Kuvendit, i uroi të gjithë deputetët e Legjislaturës së Shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

"Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t'i tejkaluar. Nda të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t'i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkroi Presidenti Thaçi.

Tash pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës,  Presidenti ka në dispozicion vetëm 15 ditë kohë që t'ia ofrojë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeverisës. Në rast se kjo dështon herën e parë, atëherë Presidenti bazuar në Kushtetutë ka të drejtë që të mandatojë një kandidat tjetër për mandatar për themelimin e qeverisë. Dhe nëse edhe herën e dytë dështon që të marrë votat e nevojshme në Kuvend, atëherë Kosova serish shkon në zgjedhje të parakohshme.