Konrad Clewing: Kosova duhet të anëtarësohet në NATO | Ballkani | DW | 03.08.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Konrad Clewing: Kosova duhet të anëtarësohet në NATO

Eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, paralajmëron të mos bëhen të njëjtat gabime si me Ukrainën

Dr. Konrad Clewing, Leibniz-Institut für Ost- und Südosteuropaforschung

Historiani Konrad Clewing është ekspert për Ballkanini në Institutin Leibniz të Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg

Deutsche Welle: Z. Clewing,  në kufirin serbo-kosovar pati një tension të ri në fundjavë,pasi qeveria e Kosovës donte të zbatonte rregullat e paralajmëruara prej kohësh për hyrjet e qytetarëve serbë dhe automjeteve të tyre me targa serbe. Tani ato janë shtyrë për 1 shtator. A shihni një kërcënim të shtuar për sigurinë e Kosovës dhe Ballkanit?

Konrad Clewing: Në terma afatshkurtër nuk shoh një kërcënim të veçantë, sepse KFOR-i i udhëhequr nga NATO mund ta stabilizojë situatën për momentin. Por unë shoh një problem të madh në faktin se përshkrimi i misionit të KFOR-it, i cili rrjedh nga një rezolutë e OKB-së e vitit 1999, nuk e përfshin aspak mbrojtjen e sigurisë së jashtme të Kosovës. Detyra kryesore është krijimi i një mjedisi paqësor dhe i lirisë së lëvizjes brenda Kosovës. Por, në planin afatgjatë, këto dy pika nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur gjendjen e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo është arsyeja pse duhet gjetur një zgjidhje e mirëmenduar dhe e qëndrueshme për të garantuar sigurinë e jashtme të Kosovës. Dhe këtë e shoh vetëm në perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Deri më tani, Gjermania ka mbështetur në radhë të parë perspektivën e BE-së për të gjithë Ballkanin Perëndimor, e cila gjithashtu kërkon eliminimin e konflikteve fqinje. A nuk mjafton perspektiva e BE-së dhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për zgjidhjen e përhershme të konfliktit?

Ndryshe nga NATO, BE-ja nuk ofron një sistem sigurie për anëtarët e saj. Sipas mendimit tim, dialogu i koordinuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është masa e duhur për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje në mënyrë afatgjate. Sepse kjo është çështje e politikës së sigurisë. A ka të drejtë Serbia të mohojë ose luftojë ekzistencën e shtetit të Kosovës, a ka të drejtë Kosova të bëjë kontrolle kufitare dhe të kërkojë që qytetarët e saj, përkatësisht qytetarët e Kosovës, të pranojnë dhe përdorin dhe posedojnë dokumente nga Kosova, së paku për nevojat që kanë në marrëdhëniet me shtetin e Kosovës. Dhe mendoj se kjo kërkesë nuk është as joreale dhe as e gabuar.

Megjithatë, si Gjermania ashtu edhe BE-ja duan që këto masa të zbatohen në marrëveshje me Serbinë. A është kjo realiste?

Mendoj se është naive. Kjo çështje themelore nuk mund të zgjidhet në marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përderisa Serbia nuk dëshiron ta njohë Kosovën. Si atdheu i serbëve të Kosovës apo si fuqi mbrojtëse e serbëve të Kosovës, Serbia ka të drejtë të sigurojë që veprimet e shtetit kosovar të mos kërcënojnë ekzistencën e serbëve të Kosovës. Por ajo që Kosova dëshiron të zbatojë këtu nuk është kërcënim për ekzistencën e saj. Është Serbia ajo që e paraqet si të tillë. Ishte një temë e madhe mediatike se Kosova gjoja po përgatitej të dëbonte serbët e Kosovës më 1 gusht. Kjo është në fakt një akuzë groteske dhe tregon gjithashtu se Serbia me të vërtetë nuk duhet trajtuar si një shtet i zakonshëm demokratik në propagandën e saj të brendshme dhe të jashtme dhe në kontrollin e saj mediatik, por ka shumë ngjashmëri me Rusinë përsa i përket përgatitjes së opinionit dhe operon me gënjeshtra. Kjo gjë përhap panik tek serbët e Kosovës dhe i përdor ata për t'i bërë më të bindur ndaj qeverisë. Situata e kësaj fundjavë duhet të jetë vërtet një shenjë paralajmëruese për qeverinë gjermane që të mos kthehet në ato linjat e vjetra të mosmarrjes seriozisht të rreziqeve.

Deutschland Diplomatie l Lajcak, Kurti und Vucic in Berin

Siguria e jashtme e Kosovës nuk arrihet në marrëveshje me Serbinë, thotë Konrad Clewing. Lajçak, Kurti, Vuciç, në një takim të ndërmjetësuar nga qeveria gjermane në Berlin.

A do të thotë kjo se Gjermania, si më parë në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, po tregon shumë konsideratë për interesat e Serbisë?

Gjermania dhe Perëndimi në tërësi janë të kapur nga një lloj mendimi dëshiror që pretendimet revizioniste - në këtë rast ato të Serbisë ndaj Kosovës, në rastin tjetër të Rusisë ndaj Ukrainës - nuk duhet të merren shumë seriozisht. Perëndimi mendon se në rastin më të keq mund të ndodhë që të pushtohen territore të vogla, siç ka qenë rasti i Krimesë në Ukrainë, ose siç është Kosova e Veriut në Kosovë. Dhe pikërisht mbi këtë bazë perëndimi i ka dhënë Serbisë gjithmonë një rol qendror në Ballkan. Mendoj se kjo politikë është naive dhe duhet ndryshuar urgjentisht.

Unruhen an der Grenze Kosovo-Serbien

​Barrikada të koordinuara nga Serbia në kufirin e Kosovës me Serbinë.

A nuk do ta largonte Serbinë nga Perëndimi anëtarësimi i Kosovës në NATO  popullsia e të cilës është skeptike ndaj perëndimit, dhe ta çonte atë përfundimisht drejt Rusisë?

Unë nuk e shoh këtë rrezik aq të madh, nëse Serbia vazhdon të ketë perspektivë për BE. Në skenarin tim, Kosova do të shkonte drejt NATOs dhe do të kishte garanci sigurie ndaj Serbisë. Dhe në këto rrethana nuk do të ketë më nevojë që Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën, sepse ajo nuk mund të bëjë asgjë që do ta vinte në rrezik ekzistencën e shtetit të Kosovës. Dhe kur perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE të bëhet e kapshem, nuk mendoj se Serbia do të ketë më interes të orientohet kah Rusia.

Intervista është realizuar nga Anila Shuka