Konferenca gjermano-shqiptare “Perspektivat e tregut në Shqipëri” | Ekonomia | DW | 20.10.2008
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ekonomia

Konferenca gjermano-shqiptare “Perspektivat e tregut në Shqipëri”

Nga data 21 deri më 22 tetor 2008 përfaqësues të biznesit nga Gjermania dhe Shqipëria, ekspertë e politikanë do të krijojnë një pasqyrë të qartë mbi perspektivat e reja për investime, tregti dhe bashkëpunim.

BDI - Shoqata Gjermane e Industrisë

BDI - Shoqata Gjermane e Industrisë

Konferenca organizohet nga komisioni për Lindjen i Shoqatës Gjermane të Industrisë, BDI dhe Shoqata Gjermane për bashkëpunimin teknik, GTZ.

Tregje të hapura, por ende të pazbuluara presin sipërmarrës të guximshëm dhe të vendosur. Një treg i tillë është edhe ai i Shqipërisë, ekonomia e së cilës prej disa vitesh shënon rritje të konsiderueshme me 5 deri 6% në vit. Duke u nisur nga një bilanc pozitiv, në 20 vjetorin e ndihmës për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, konferenca ka për qëllim të krijojë një tablo të qartë mbi perspektivën e këtij bashkëpunimi.


Jelena Granovskaja, drejtore ekzekutive e Komisionit për Lindjen në Shoqatën e Industrialistëve gjermanë, thotë, se konferenca ka dy qëllime: ”Së pari të kujdesemi për të dhënë një imazh për Shqipërinë si vend partner të Gjermanisë. T´u themi gjermanëve që ja ku kemi një vend shumë interesant në mes të Evropës. Përveç kësaj mendojmë, se ashtu si vitin e kaluar shumë biznese do të pasojnë konferencën. Një prej temave të konferencës është energjia. Në këtë drejtim ka interes të firmave të mëdha gjermane si Siemensi, por edhe të firmave të vogla, si për shembull të firmave që prodhojnë panele solare. Ne mendojmë se firmat që prodhojnë panele diellore mund t´i ofrojnë ato në tregun shqiptar. Pra kështu mund të lindin biznese të reja. Nga ana tjetër ka shumë firma konsultuese që kanë ide apo propozime konkrete për të zgjidhur probleme të ambjentit njëkohësisht me ato të mënjanimit të mbeturinave.”


Komisioni për Lindjen i Lidhjes së Industrialistëve gjermanë që nga viti 2002 ka qenë shumë aktiv në Shqipëri. Fillimisht angazhimi nisi me një program për të nxitur dhe ndihmuar shoqatat. Aktualisht po zbatohet një program për të ndihmuar ekonominë dhe punësimin në Shqipëri që financohet nga GTZ-ja dhe në bashkëpunim me GTZ-në.


Shoqata gjermane për bashkëpunimin teknik GTZ është bashkëorganizatore e konferencës. Lidhur me përzgjedhjen e temave të konferencës Ulrike Gantzer-Sommer, drejtuese zyrës së koordinimit të GTZ-së në Tiranë dhe në Shkup vë në dukje: ”Ne kemi diskutuar, se cilat fusha do të ishin më me interes në Shqipëri. Shumë të rëndësishme për Shqipërinë janë investimet në sektorin e energjisë, pasi mundësitë për të prodhuar energji janë të pamjaftueshme dhe prandaj vitet e fundit ka pasur edhe mungesë dhe ndërprerje të furnizimit me energji. Ne mendojmë se kjo fushë është me interes edhe për investitorët gjermanë.”


Pavarësisht investimeve të bëra deri tani në sektorin e furnizimit me energji, në Shqipëri kjo vazhdon të mbetet një nga pikat e dobëta. Energjetika është shtylla e dytë e bashkëpunimit gjermano-shqiptar. Gjermania përmes bankës kredituese për zhvillimin KfW është aktive në këtë sektor me një volum prej rreth 90 milionë Eurosh.


Konferencës “Perspektivat e tregut në Shqipëri” i paraprijnë dy konferenca të ngjashme zhvilluar në Frankfurt në Gjermani në vitin 2006 dhe në vitin 2007 në Tiranë. Jelena Granovskaja nga Komisioni për Lindjen i Lidhjes së Industrialistëve gjermanë, vë në dukje, se në konferencë marrin pjesë përfaqësues nga politika dhe ekonomia nga të dyja palët: Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, disa ministra dhe nga pala gjermane është i ftuar Hartmut Schauerte, Sekretar Shteti pranë Ministrisë Gjermane të per Ekonominë dhe Teknologjinë, të ftuar janë dhe shumë biznesmenë e përfaqësues firmash. Mbi mënyrën e organizimit ajo thotë: ”Do të mbahen tri forume: një për energjetikën, një për ambjentin dhe një për ndërtimin. Ajo që është më e rëndësishme është, se ne do të ofrojmë edhe guida shumë interesante në firmat shqiptare, në mënyrë që përfaqësuesit e firmave gjermane të krijojnë një përshtypje direkte se si punohet dhe si funksionojnë ndërmarrjet në Shqipëri.”

Audio dhe video për temën

  • Data 20.10.2008
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/FdMg
  • Data 20.10.2008
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/FdMg