1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë për statusin e Kosovës në Bruksel

Viron Gjymshana28 Nëntor 2005

Në Bruksel u organizua sot konferenca me temë "Përseja e pavarësisë së Kosovës" organizuar nga Qendra për Studimet e Politikës Europiane

https://p.dw.com/p/AqsO
Komisioni evropian
Komisioni evropianFotografi: AP

Europarlamentarja gjermane, Doris Pack mbështeti opcionin e pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës, ndërkohë që në debatet që pasuan u vu theksi edhe në rrezikun e copëtimit të mëtejshëm të hartës së Ballkanit si dhe në pasigurinë e garantimit të të drejtave të pakicave serbe pas njohjes së pavarësisë. "Treni i pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës ka filluar tashmë të lëvizë", - kështu u shpreh ndër të tjera sot kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Europës Juglindore, eurodeputetja kristiandemokrate gjermane Doris Pack. Europarlamentarja gjermane porsa ishte kthyer në Bruksel pas një vizitë që ajo zhvilloi në Tiranë ku ishte diskutuar edhe rreth statusit të ardhshëm të Kosovës.

Edhe konferenca e sotme e organizuar me nismë të Qendrës të Studimeve Politike Europiane i ishte kushtuar pikërisht statusit të Kosovës. Në këtë mbledhje merrnin pjesë edhe Michael Emmerson, drejtor i këtij instituti, Aleksandros Janis, administrator për Ballkanin Perëndimor pranë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, përfaqësues të ambasadave europiane dhe ballkanike të akredituara në Bruksel, të institucioneve ndërkombëtare etj. etj. Kosova përfaqësohej nga Besnik Pula, në emër të Forumit 2015 të Koalicionit për Integrimet Euroatlantike si dhe nga Muhamedin Kullashi dhe Muhamet Mustafa.

Në fjalën e tij Besnik Pula argumentoi me aftësi dhe dinjitet domosdoshmërinë dhe dobinë e pavarësisë së Kosovës edhe për stabilitetin e rajonit dhe BE-së. Ai u ndal veçanërisht në aspektet historike dhe politike që pamundësojnë një kthim të sundimit të Beogradit në Kosovë. Sundimi i Beogradit në Kosovë ka dështuar dhe çdo tendencë për bashkim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk mund të mbijetojë - u shpreh ai.

Nga ana e saj europarlamentarja Doris Pack, u shpreh pothuajse hapur në mbrojtje të pavarësisës së kushtëzuar për Kosovën. Beogradi, tha ajo, e ka humbur prej kohësh Kosovën dhe politikanët e tij duhet t'i thonë të vërtetën popullit të tyre. Por ajo e vuri theksin po ashtu në vështirësitë aktuale me të cilat po ndeshet Kosova sot, siç janë papunësia e lartë, sidomos ndër të rinjtë që përbën një faktor shtysë për rritjen e kriminalitetit atje, probleme që siç tha ajo, nuk mund të zgjidhen si me magji pas përcaktimit të statusit. Për këtë arsye ajo kritikoi edhe klasën politike në Kosovë që duke u përqëndruar vetëm në çështjen e statusit, ka lënë pas dore probleme të tjera shumë të mprehta me të cilat do të ndeshet sot dhe në të ardhmen shoqëria kosovare.

Duke u ndalur te decentralizimi ajo nënvizoi se ky proces nuk duhet kuptuar dhe përdorur si një lloj ndarjeje faktike e Kosovës dhe u shpreh po ashtu kundër modelit federal belg si i papërshtatshëm për tu aplikuar edhe në Kosovë.

Por përveç këtyre thekseve në konferencë ranë në sy edhe debatet dhe kundërshtitë ndërmjet pjesëmarrësve lidhur sidomos me garantimin e të drejtave të pakicës serbe pas njohjes së pavarësisë së Kosovës si dhe rrezikut të krijimit të një mozaiku shtetesh shtesë në Ballkan siç mund të jenë Kosova, Mali i Zi apo edhe Vojvodina.

Në këtë konferencë u theksua po ashtu se për Bashkimin Europian ka po aq rëndësi forma dhe stabiliteti i Ballkanit sa edhe statusi i ardhshëm i Kosovës.