1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koncept evropian bashkëpunimi - Në prag të samitit BE-Rusi

(VFB)13 Nëntor 2008

Shtypi gjerman i së enjtes analizon marrëdhëniet mes Brukselit dhe Moskës.

https://p.dw.com/p/FtOL
Fotografi: dpa

Gazeta "Die Tagespost" shkruan: "Nëse BE-ja do të izolohej përballë kësaj Rusie dhe do të përqëndrohej në një luftë politike dhe diplomatike pozicionesh, atëherë do të konfirmoheshin frikërat dhe paragjykimet e Moskës. Strategjia e Evropës kundrejt Rusisë nuk mund të konsistojë, në përvetësimin e mënyrës së të menduarit në qarqet drejtuese ruse, përkundrazi kësaj mënyre të menduari ajo duhet t´i kundërvihet me një koncept evropian bashkëpunimi. Nuk ishte NATO-ja, por BE-ja, nuk ishte Xhorxh Bushi, por Sarkozia ai që në verë ndali marshimin e Rusisë drejt Tbilisit dhe planet për rrëzimin e Shakazhvilit."

Gazeta "Ostsee Zeitung" komenton një tjetër aspekt në marrëdhëniet me Rusinë, pikërisht sinjalet e Moskës për të ndërprerë projektin e linjës gazsjellëse në detin Balltik: "Tani kryeministri Putin kërcënon me ndërprerjen e ndërtimit të linjës së gazit përmes detit Balltik. Mos vallë Perëndimi do të mbetet me gisht në gojë? Jo. Kërcënimet luftarake ndërkohë janë pjesë e repertorit standard të Kremlinit dhe kanë për qëllim të sinjalizojnë një vetëdije të re. Linja gazsjellëse është për Rusinë shumë e rëndësishme dhe një projekt që peshon miliarda nuk mund të mbytet kaq thjeshtë në detin Balltik. Kjo linjë është madje si bileta e futjes së Rusisë në tregun evropiano-perëndimor të gazit. Ky treg ka nevojë për sasi gjigande gazi nga fushat e Siberisë."