1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Betejë ligjore për mbrojtjen e Luginës së Valbonës

Arben Muka
2 Qershor 2017

Në Shqipëri kohët e fundit ka më shumë ndjeshmëri dhe mbështetje nga shoqëria civile e qytetarët për të kundërshtuar projekte ndërtimore në zonat e mbrojtura mjedisore.

https://p.dw.com/p/2e1rj
Albanien Lugina e Valbonës  TOKA
Fotografi: Catherine Bohne

Përfaqësues të komunitetit dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit në Luginën e Valbonës në veri të Shqipërisë janë përfshirë në një betejë ligjore në Tiranë. Me ndihmën vullnetare të një zyre avokatore shumë të njohur në kryeqytet, ata po ndjekin hap pas hapi seancat në Gjykatën Administrative me shpresën dhe besimin se kauza e tyre do të ketë finale pozitive, pas rreth një viti e gjysmë kundërshtime.

Gjithshka nisi kur në Luginën e Valbonës, një hapësirë tërheqëse natyrore në 8 mijë hektarë, filloi ndërtimi i dy hidrocentraleve, të cilat nëse do të ndiqet projekti ekzistues do të transformojnë terrenin e thyer, duke devijuar lumin për ta përdorur si burim energjie. Kundërshtia e banorëve dhe e aktivistëve mjedisorë vendas dhe të huaj për këto leje zhvillimore të akorduara nga institucionet dhe agjencitë qeveritare është nga vlerësimi që ata bëjnë se projektet janë armiqësore me ekosistemin, me bukuritë e rralla, duke minimizuar apo eleminuar monumentet natyrore, duke dekurajuar fluksin e turistëve që janë disafishuar në 5-6 vitet e fundit.

Flash-Galerie Albanien Wende 1990
Fotografi: Werner Daum

Kompania ndërtuese e HEC-eve, pretendon se gjithçka është bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, ku dosja e projektimit, e vlerësimit mjedisor dhe e impaktit në zonë është në përputhje me standardet e lejuara, si ato që aplikohen dhe në vendet e BE-së. Kompania e shikon kauzën e kundërshtarëve të projektit zhvillues si dëmtuese, me pasoja financiare për sipërmarrjen e tyre, dhe se mungesa e informimit dhe shtrëmbërimi i fakteve janë shkas për këtë fushatë.

Por anëtarët e komunitetit dhe mjedisorët pasi kanë ndjekur një kalendar aktivitetesh sensibilizuese për opinionin brenda dhe jashtë vendit, pasi kanë protestuar në vendin e ndërtimit të HEC-ve, pasi kanë afruar dhe disa figura të njohura të artit dhe kulturës – ditët e fundit janë zhvendosur në Tiranë, në ndjekje të procesit ligjor, për të detyruar shtetin dhe kompaninë ndërtuese që të heqi dorë nga zbatimi i projektit. Janë zhvilluar deri më tani dy seanca gjyqësore dhe të paktën nga ndjekja e procedurave dhe afateve kohore, "dosja Valbona”, nuk i ngjan çështjeve të tjera që zvarriten duke zgjatur pambarim afatet kohore, deri në degradim të procesit.

Ligjet shumë të mira, por çalon zbatimi

Catherine Bohne është shtetase amerikane që banon prej vitit  2009 në Valbonë. Ajo është një nga zërat më të fuqishëm të komunitetit që reziston kundër projekteve ndërtuese. Nga viti i kaluar ajo drejton shoqatën joqeveritare "Toka”, e cila ka si prioritet stopimin e çdo lloj ndërtimi të paligjshëm në Luginë.

Në bisedë me Deutsche Welle-n Bohne rendit tri arsye për kundërshtimin që u bëhet HEC-ve, duke përmendur së pari, pasojat e drejtëpërdrejta për dëmtimin e pakthyeshëm të mjedisit. Së dyti, sipas Catherine Bohne, janë pasojat ekonomike, për vetë specifikat që ka Lugina, ku i goditet turizmi, një e ardhur në rritje për komunitetin, që favorizon përdorimin me kriter të mjedisit në përgjithësi, duke konservuar bukuritë unike. E treta, është arsyeja ligjore.

Albanien Catherine Bohne
Catherine Bohne, shtetase amerikane që banon prej vitit  2009 në ValbonëFotografi: DW/Arben Muka

"Po t'i lexosh ligjet shqiptare ato janë të shkruara shumë mirë, por defekti është te zbatimi i tyre, me shkelje flagrante për qëllime afatshkurtëra ose interesa të ngushta”.

Ajo kujton psh legjislacionin për zonat e mbrojtura të cilin e përshkruan si shumë të mirë. Edhe ligjin për konsultimin me publikun për projektet.

"Por si zbatohet? Ky është problemi, sepse zbatimi sjell, ose prodhon situata të pavërteta, që bëhen pa transparencë dhe shiten si mendime të njerëzve, të komunitetit. Dhe bazuar në to fillojnë spekullimet. Po kështu dhe legjislacioni për vlerësimin mjedisor dhe ndikimin e projekteve është shumë i përparuar. Ama në zbatim ka deformime të qëllimshme”.

Ferruni: Ka dhe "Valbona” të tjera në Shqipëri

Lavdosh Ferruni, aktivist për mbrojtjen e mjedisit, e ka ndjekur rastin Valbona nga fillimet. Ai shprehet drejtëpërdrejt se interesi i kundërshtarëve të ndërtimit të HEC-ve është që territori i Luginës të mos preket. Për Ferrunin nuk ka rëndësi se sa projekte të ngjashme ka përgjatë 30 km të rrjedhjes së Valbonës, 14 apo 2. Aty nuk duhet të ketë asnjë HEC, përsërit disa herë me pasion ai në bisedë për Deutsche Welle-n.

"Në kushtet e një Parku Kombëtar, nuk është prioritet prodhimi i energjisë, por zhvillimi i turizmit. Ka një ekosistem të veçantë, që në rrethanat e operacioneve ndërtuese dëmton diversitetin natyror. Jemi optimistë: sepse ka sensibilizim maksimal të opinionit, por dhe ligji na favorizon për kërkesën tonë kryesore që të ndërpriten punimet dhe dy kontratat të bëhen nul.”

Albanien Lavdosh Ferruni
Lavdosh FerruniFotografi: DW/Arben Muka

Lavdosh Ferruni thotë se në Shqipëri ka dhe "Valbona” të tjera. Përmend Luginën e Thethit, po në veri të vendit, por për fat aty ka pasur rezistencë nga komuniteti dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit. Tjetër rast është zona e Parkut Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës në rrethin Librazhdit, ku ka përpjekje për projekte zhvilluese pa respektuar rregullat e mbrojtjes natyrore.

"Edhe derdhja e Vjosës është prekur nga moda e ‘hidrocentralizimit', ku dhe aty besoj se do të ketë betejë ligjore kundër shkeljeve dhe abuzimeve në vendimarrjen për të ndërhyrë pa kriter në mjedis. Devijimi i lumit të Langaricës, në rreth 7 km, ka dëmtuar shumë pjesën e kanoneve aty”.

Ferruni mendon se ka një përballje mes vendimarrjes së gabuar me interesimin gjithnjë në rritje të komuniteve për të mbrojtur pasuritë dhe resurset natyrore. Ai sjell në vëmendje trendin që energjitë nga erërat dhe rrezet diellore janë prioritete në strategjitë e prodhimit të energjisë, duke mënjanuar projektet me HEC-ve.

"Tani jemi më shumë, kemi organizata, institucione vendase dhe të huaja, diplomatë të ndryshëm që na mbështesin, që na monitorojnë në aktivitetin tonë, qytetarë të ndryshëm, kjo është nxitëse për kauzat tona”, thotë drejtuesja e shoqatës "Toka”, Catherine Bohne. Sepse sipas saj aktualisht ka vëmendje më të madhe nga media.

"Komuniteti në Valbonë është më i ndërgjegjësuar dhe kjo i bën mirë demokracisë, sepse ajo do qytetarë proaktivë, që merren me problemet e përditshme, kanë më shumë zë dhe vend në vendimarrje”, thotë ajo për Deutsche Welle-n.