Komisioni Evropian rekomandon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në BE | Evropa | DW | 06.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Komisioni Evropian rekomandon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në BE

Turqisë do t’i vihen shumë kushte që ajo duhet të përmbushë para se të mund të anëtarësohet në BE

Simbole të Turqisë dhe të Bashkimit Evropian

Simbole të Turqisë dhe të Bashkimit Evropian

Më shumë se me përfundime këtu kemi të bëjmë me një rekomandim të Komisionit Evropian drejtuar kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 25 vendeve anëtare, të cilët në samitin e tyre që do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel, do të thonë fjalën vendimtare ndaj një mundësie qoftë kjo edhe afatlargët të integrimit të Turqisë në BE.

Megjithëse zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian ishin përpjekur të mos bëjnë të njohur përmbajtjen e konkluzioneve që u paraqitën tani para Parlamentit, që përpara 2 ditësh ishte pothuajse e sigurt se Komisioni Evropian në raportin e tij do të vlerësonte si të mundshme dhe të pranueshme fillimin e procesit të negociatave me Turqinë, duke ia lënë kështu samitit të BE-së, barrën e caktimit të datës së fillimit të këtyre negociatave. Por megjithëse Komisioni shqiptoi sot një "Po" të vakët, dihet tani që Turqisë do t’i vihen shumë kushte që ajo duhet të përmbushë para se të mund të anëtarësohet në BE. Mospërmbushja e njërit prej këtyre kritereve do të bëjë që negociatat të ndërpriten përfundimisht.

Në fakt në kancelaritë e kryeqyteteve evropiane gëlojnë kundërshti të shumta rreth futjes apo jo të Turqisë në BE. E lënë zvarrë me vite kjo çështje është shndërruar sot në një çështje akute të mbarëvajtjes së BE-së. Por ndërsa pothuajse të gjitha kancelaritë evropiane janë shprehur në parim pro integrimit të Turqisë, i pari që doli kundër rrymës ka qënë hartuesi i kushtetutës së sotme evropiane, ish-kryeministri i Francës Zhiskar d’Esten. Ai e barazoi hyrjen e Turqisë në BE me shkatërrimin e saj. Pas tij ishin komisionerët austriakë dhe hollandezë Fishler dhe Bolkashtjan që u shprehën hapur kundër një mundësie të tillë. I fundit në radhë ishte presidenti francez Zhak Shirak, i cili pak ditë më parë deklaroi se Franca do të orgnizojë një referendum mbarëpopullor rreth pranimit apo jo të Turqisë në BE.

  • Data 06.10.2004
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGB
  • Data 06.10.2004
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGB