1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioneri i ri i Zgjerimit,Várhelyi viziton Tiranën

16 Janar 2020

Komisioneri i Zgjerimit,Várhelyi në Tiranë konfirmoi mbështetjen e Komisionit Europian për hapjen e negociatave, në pranverë: Përqasje e re gjeo-politike e BE ndaj rajonit-mbështetje për hapjen e negociatave në pranverë.

https://p.dw.com/p/3WJH0
Albanien Oliver Varhelyi und Premierminister Rama
Fotografi: DW/A. Rui

Në vizitën e parë zyrtare në Tiranë, që zhvilloi sot, (16.01.2020) Olivér Várhelyi , komisioneri i ri i BE për zgjerimin,  konfirmoi mbështetjen e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të pranimit, në pranverën e sivjetme, para zhvillimit në maj të samitit të Zagrebit në kuadrin e një përqasdjeje  të re gjeo - politike të BE ndaj rajonit. " Zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet. Dëshirojmë ta rrisim praninë në rajon dhe të kemi më shumë ndikim. Duam të jemi një partner edhe më i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Për këtë do të punoj fort, pa pushim, me vendosmëri, së bashku me Kryeministrin Rama që kjo gjë të bëhet realitet.” theksoi  Várhelyi ,

Ai rriti shpresat për hapjen e negociatave,  në bazë të meritave të Shqipërisë, kur deklaroi në konferencën për shtyp se Komisioni i ri Europian ”merr në konsideratë raportin e Komisionit të mëparshëm dhe vazhdon ta konsiderojë Shqipërinë një vend që është gati për hapjen e negociatave”

Në këtë kontekst ai rikonfirmoi se KE " po rrit përpjekjet që negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninëe Veriut të hapen para samitit të Zagrebit”.

Ai theksoi se moshapja e negociatave të pranimit në tetorin e kaluar lidhet me disa shqetësime  të shteteve anëtare. "Po punojmë me këto shtete të gjejmë një zgjidhje, që të krijojë një shans të ri për të ecur para me procesin e integrimit,” tha komisioneri Várhelyi, duke patur parasysh Francën dhe Holandën, me të cilat, ka zhvilluar bisedime, bëri me dije ai.

Reformat, shteti ligjor vendimtare

Komisioneri  Várhelyi vlerësoi progresin e arritur në reformën në drejtësi. Ai përmendi rezultatet e vettingut në pastrimin e sistemit të ri të drejtësisë  nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.„ Është e domosdoshme, vendimtare vazhdimi i reformave dhe forcimi i shtetit ligjor." theksoi ai.

Ai konsideroi bashkëpunimin mes forcave politike si një ndihmesë për të arritur hapjen e neëgociatave para zhvillimit të samitit BE- BP në Zagreb. "Marrveshja politike per reformën zgjedhore është një gur kilometrik  i rëndësishëm,  tha ai për marrveshjen e arritur ditët e fundit qeveri-opozitë që synon kryerjen e reformës me konsensus të gjerë mes forcavë politike.

"Pa mbështetjen e të gjitha partive politike në sferën politike shqiptare, nuk do të jetë e mundur që të ketë përparim edhe më tej, pasi të jenë çelur negociatat” vuri në dukje komisioneri.

Komisioneri Várhelyi  u ndal edhe në sfidat që duhet të përballojë Shqipëria për të merituar happen e negociatave. " Më shumë për të luftuar krimin e organizuar dhe  korrupsionin, më shumë siguri për një shtet të përmirësuar të së drejtës” theksoi ai.

Gjatë qëndrimit në Tiranë komisioneri Várhelyi ka zhvilluar takime me Presidentin Meta dhe liderin e opozitës Basha.  Ai ka vizituar edhe zonat e prekura në Durrës nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ka rikonfirmuar mbështetjen financiare të BE në procesin e rindërtimit të tyre.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana