Komisari për politikën monetare Solbes paraqet parashikimet e pranverës të BE-së | Evropa | DW | 07.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Komisari për politikën monetare Solbes paraqet parashikimet e pranverës të BE-së

Paraqitjen e tij të fundit në publik si mbrojtës i Paktit të Stabilitetit komisari në largim i BE-së për politikën monetare Pedro Solbes e shfrytëzoi për dhënien e një mesazhi të gëzueshëm.

Komisari i BE-së për politikën monetare Pedro Solbes

Komisari i BE-së për politikën monetare Pedro Solbes

Përpara se socialisti Solbes të ndryshojë detyrë dhe të kalojë pas festës së Pashkëve në postin e ministrit të ri të ekonomisë dhe financave në Spanjë, ai tha në Bruksel se Gjermania vitin e ardhshëm pritet që për herë të parë që prej vitit 2001 t'i përmbahet kriterit të Paktit të Stabilitetit për shtimin e borxhit të brendshëm.

Komisari për politikën monetare i BE-së pret që defiçiti gjerman të jetë në vitin 2005 2,8% i PBB-së. Kufiri i lejuar është 3%: "Duket se Gjermania do të arrijë të përmbushë rregullat e përcaktuara nga këshilli i ECO-FIN-it. Qeveria madje është e gatshme të miratojë masa të tjera kursimi nëse kjo do të ishte e nevojshme vitin e ardhshëm. Një lajm i tillë natyrisht e qetëson Komisionin" - është shprehur Solbes.

Ministri gjerman i financave Hans Ajhel i cili kishte shkëmbyer polemika të ashpra me Solbes për shkak të shtimit të mundshëm të defiçit në Gjermani e dha lajmin e gëzuar qysh gjatë takimit jozyrtar të ministrave të financave të BE-së në Irlandë fundjavën e kaluar.

Dy javë më parë parashikimet ishin ende tepër skeptike. Situata ekonomike në Gjermani po përmirësohet më shpejt nga sa pritej beson tani Komisioni. Për vitin 2005 pritet një rritje prej 1,8%. Por në total zona e 12 vendeve të euros do të ketë një rritje më të madhe ka thënë komisari Pedro Solbes: "Ne presim që zona e euros të ketë këtë vit një rritje prej 1,8% dhe vitin e ardhshëm 2,3%. Rritja mbështetet në një kërkesë më të fortë konsumatore dhe shtim të eksporteve."

Solbes tërhoqi vëmendjen se ekonomia botërore do të ketë një rritje më të madhe dhe se ajo në Evropë ka mbetur prapa.

Situata për Francën nuk paraqitet aq e mirë sa në Gjermani. Borxhi i ri do të jetë në vitin 2005 3,6% të PBB. Komisari i BE-së për politikën monetare nuk ka besim në realizueshmërinë e reformave drastike në shëndetësi të lajmëruara nga ministri i ri francez i financave Nikolas Sarkozi.

Në bankën e mëkatarëve janë edhe Hollanda dhe Britania e Madhe. Të dyja do të jenë objekt i një proçedure formale qortimi për shkak të tejkalimit të kufirit të lejuar të defiçit. Shifrat për Greqinë duhen parë edhe njëherë ndërsa Portugalia konsiderohet e shëruar.

Protesta të forta kanë ardhur nga Italia pasi komisari për politikën monetare i ka dërguar një të ashtuquajtur "zarf blu" qeverisë konservative të kryeministrit Silvio Berluskoni, pra paralajmërim për një procedurë formale për defiçitin. Sipas parashikimeve borxhi i ri i Italisë do të kapë nivelin 4% të PBB. Deri tani italianët kanë mundur ta mbajnë nën kontroll defiçitin vetëm me masa të njëanshme dhe manovrime në bilancin e pagesave. Silvio Berluskoni e konsideron zarfin blu një sulm të rivalit të tij të majtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Itali, presidentit të Komisionit të BE-së Romano Prodi.

Në përgjithësi mund të thuhet se diskutimi për një reformë të Paktit të Satbilitetit është ndezur përsëri përballë faktit që për thuajse gjysmën e të gjitha vendeve të zonës së euros janë hapur proçedura ndëshkimore për mosrespektimin e kufirit të defiçitit. Komisioni i BE-së do të paraqesë propozime për trajtimin më fleksibël të kritereve të Paktit të Stabilitetit. Gjatë pesë viteve të fundit megjithatë ky pakt ka funksionuar është shprehur Solbes: "Unë besoj se nëse shohim vendimet më të rëndësishme do të konstatojmë se kriteret ku më shumë e ku më pak përdoren dhe funksionojnë. Ne jemi përpjekur të ushtrojmë më shumë presion që të gjitha vendet të ecim në drejtimin e duhur por jemi në fillim të një proçesi të gjatë."

Pas pezullimit faktik të Paktit të Stabilitetit të Euros pas presioneve nga Gjermania dhe Franca Pedro Solbes ngriti padi kundër Këshillit të Ministrave të Financave të BE-së pranë Gjykatës Evropiane në Luksemburg.

Proçedura pas ngritjes së padisë nga Komisari për politikën monetare do të vazhdojë edhe pas largimit nga posti i Pedro Solbes. Solbes do të vazhdojë të merret me kriteret e defiçitit por si të thuash nga ana tjetër e tryezës kur së shpejti si ministër i ri i Spanjës për financat të ulet në Këshillin e Ministrave të Financave pranë homologut të tij Hans Ajhel. Kështu Solbes do të kthehet nga paditës në të paditur por kjo nuk do të ketë asnjë ndikim mbi proçedurën hetimore ka bërë të ditur Gjykata në Luksemburg.

  • Data 07.04.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHg
  • Data 07.04.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHg